KE për të tretën herë: Shqipërisë t’i hapen negociatat

Komisioni Evropian (KE) i ka rekomanduar sërish të hënën Këshillit të Evropës për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

1372569
KE për të tretën herë: Shqipërisë t’i hapen negociatat
Avrupa Komisyonu.jpg
Gordan Grliç-Radman_Gent Cakaj_ortak basın açıklama.jpg
Arnavutluk Cumhurbaşkanı İlir Meta_eylem.jpg
Arnavutluk Cumhurbaşkanı İlir Meta_eylem3.jpg
Arnavutluk Cumhurbaşkanı İlir Meta_eylem5.jpg
ALSAR_Arnavutluk_Türk bayrakları.jpg
Florian Kali_Şakir Cumhur Somer.jpg
İDLİB-KAPAK-03.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (10/2020)

-Komisioni Evropian publikon raportin: Shqipërisë t’i hapen negociatat

KE i ka rekomanduar sërish të hënën Këshillit të Evropës për hapjen e negociatave me Shqipërinë. 

“Në vijim të progresit domethënës të arritur dhe të kushteve të përcaktuara njëzëri nga Këshilli në qershor 2018 që janë përmbushur, Komisioni Evropian rekomandoi në paketën e tij të zgjerimit 2019 që Këshilli të hapte negociatat e pranimit me Shqipërinë, thuhet në raportin e KE për Shqipërinë.

”Në përgjithësi, Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj dhe ka dhënë rezultate të tjera të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Konkluzionet e Këshillit të Qershorit 2018”, shtohet në të.

Për rrjedhojë, bazat e rekomandimit të Komisionit për vitin 2019 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë mbeten të vlefshme”, theksohet në raportin e KE-së për Shqipërinë.

KE evidenton se Shqipëria ka bërë përparime  në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti plotësimin e të gjitha dosjeve me përparësi, dhe përfundimin e krijimit të strukturave të pavarura gjyqësore, siç parashikohet në reformën kushtetuese.

Gjithashtu, KE përmend edhe “finalizimin e krijimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Gjykatës”.

“Shqipëria po bën përparim për të rindërtuar Gjykatën Kushtetuese pas verifikimit të anëtarëve të saj dhe ka emëruar disa anëtarë të rinj. Kjo do të krijojë bazën që Gjykata Kushtetuese të rimarrë funksionalitetin dhe të rrisë besimin e publikut...”, thuhet në raport.

KE vlerëson faktin e forcimit të bilancit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë  nivelet e larta.

KE thekson se “Shqipëria ka ruajtur ritmin për të adresuar kërkesat e pabaza të azilit të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE-së dhe vendet e lidhura me Schengenin. Duke krahasuar të dhënat e disponueshme për vitin 2019 (deri në nëntor 2019 përfshirë), me të njëjtën periudhë të vitit 2017, fluksi është rreth 17% më i ulët”.

“Shqipëria është vendi i parë në rajon ku Marrëveshja për Statusin e Kufirit Evropian dhe Rojës Bregdetare (EBCG) me BE-në ka hyrë në fuqi. Vendosja e ekipeve të përbashkëta EBCG në kufirin e Shqipërisë me Greqinë që nga maji 2019 ka treguar rezultate të mira në adresimin e migracionit të parregullt dhe sfidat e sigurisë”, theksohet në raport.

Në lidhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, KE deklaron se Shqipëria ka mbështetur politikën e saj për t’u përafruar 100% me deklaratat dhe vendimet e BE-së.

***

-Kroacia mbështet Shqipërinë për anëtarësimin në BE 

Kroacia mbështetet Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në procesin për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, u theksua gjatë vizitës në Tiranë të kryediplomatit kroat, Gordan Grliç-Radman.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, ndërsa takimi mes dy homologëve u fokusua në disa çështje, si për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, angazhimin i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, procesin e reformave në Shqipëri, si dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. 

Pas takimit, të dy ministrat mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat, ku Cakaj tha se Kroacia i ka dhënë një mbështetje të pakursyer Shqipërisë pas tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar.
"...Kroacia si presidencë aktuale e Këshillit të Bashkimit Evropian është duke bërë një punë të jashtëzakonshme për të mbështetur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në aspiratën e tyre historike për çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Po ashtu përfshirja e Ballkanit Perëndimor në agjendën e presidencës kroate është një veprim që gëzon vlerësimin tonë më të lartë...", u shpreh Cakaj.
Ai theksoi se gjatë takimit kanë vlerësuar rëndësinë e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor sipas tij si një faktor tepër i rëndësishëm për thellimin e reformave të brendshme.
"...Shqipëria edhe një herë nënvizoj dhe kjo ishte një pikëpamje që ndamë bashkërisht ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim. Ky nuk është as qëndrim personal as një opinion politik, por realitet objektiv i dokumentuar tashmë edhe nga Komisioni Evropian. Në të njëjtën kohë ne jemi shumë të inkurajuar e tepër mirënjohës për gatishmërinë e Kroacisë për të ndarë me Shqipërinë përvojën e tyre teknike dhe njohuritë profesionale. Përvoja e Kroacisë është tepër e vyer për Shqipërinë...", tha Cakaj.
Cakaj theksoi më tej se janë pajtuar për të filluar nismën e takimeve trepalëshe dhe të rregullta mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. me qëllim sipas tij bashkërendimin e qëndrimeve politike sipas interesave të përbashkëta dhe zhvillimin e projekteve konkrete, ndërsa shtoi se "Liberalizimi i vizave me Republikën e Kosovës mbetet një domosdoshmëri".
Ndërsa, ministri kroat theksoi se kanë biseduar me ministrin Cakaj rreth procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
"Tema e sotme e diskutimeve tona kishte të bënte me rrugëtimin evropian të Republikës së Shqipërisë. Duke ardhur sot në Tiranë doja të tregoja mbështetjen e qartë të Kroacisë për një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë pa asnjë vonesë të mëtejshme. Kjo është ajo që kemi shprehur me këmbëngulje edhe te partnerët evropianë", tha kryediplomati i Kroacisë.
Më tej ai shtoi se dëshirojnë që samiti i Zagrebit i cili do të mbahet në maj të këtij viti të jetë një pikë kthese në rrugëtimin midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.


***

-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi një manifestim popullor në mbrojtje të Kushtetutës 

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Presidencës është mbajtur manifestimi i thirrur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Meta ka theksuar se ky manifestim zhvillohet në mbrojtje të Kushtetutës, për të mos lejuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca qeverisëse.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në fjalën e tij në manifestimin e thirrur në mbrojtjes të Kushtetutës, tha se “Presidenti i popullit kuqezi, ulet në gjunjë vetëm para flamurit kuq e zi dhe para popullit kuq e zi, para popullit të shqiponjave”.

Këtë, theksoi Meta, ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze që kërkon të shkatërrojë sovranitetin dhe Kushtetutën tuaj”, iu drejtua ai qytetarëve pjesëmarrës në manifestim.

“Neni 2 i Kushtetutës që ju votuat në referendum më 22 nëntor ‘98 thotë sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit. Ndaj ju kam ftuar jo si Ilir Meta, por si Presidenti i juaj, si i vetmi institucion legjitim që ka mbetur në këtë shtet për të dëgjuar zërin tuaj sepse kur institucionet bien, ngrihet populli dhe populli nuk futet në xhep si paratë e oligarkëve”, theksoi Meta.

Meta foli edhe për djegien e mandateve nga opozita. “Një vit më parë ata provokuan opozitën për ta larguar nga Parlamenti, vrapuan të zëvendësonin deputetët në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor, me ligjin, Kushtetutën, vetëm që të eliminohej opozita në Kuvend”, tha Meta.

Në këtë manifestim morën fjalën edhe disa personalitete të njohur të drejtësisë, artit, kulturës dhe politikës.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se Kuvendi nuk do të njohë asnjë dekret për shpërndarjen e parlamentit.

“Iliri që s’ka asgjë prej Presidenti më, dhe që sot ka çelur faktikisht një fushatë brenda opozitës, mund të firmosë edhe një dekret për t’i shpallur luftë SHBA, por parlamenti nuk do ta njohë. Lajmi i mirë sot është që Shqipëria reale ka marrë një tjetër mbështetje në Bruksel, ndërkohë  që Shqipëria e cila po bën gjithë këtë progres po bëhet gjithmonë e më shumë një problem për ata që u mblodhën sot në shesh. Lajmi i keq sot është që PD u kthye në një servis figurantësh për Presidentin”, tha Rama pas mbarimit të manifestimit, në reagim ndaj presidentit, Ilir Meta, i cili u shpreh se do të shpërndajë parlamentin nëse mazhoranca nuk e merr seriozisht dekretin e firmosur në Bulevard.

***

-Vrasja e pabesë e ushtarëve turq ka prekur zemrat e shqiptarëve 

Pikëllim për ushtarët turq të rënë në Idlib: ngushëllime të sinqerta nga ALSAR-i për popullin turk.

Forcat e regjimit sirian të Beshar Esadit, të ndihmuara nga mbështetësit e tyre, goditën pabesisht në të hyrë të kësaj të premteje(më 28 shkurt 2020) ushtarët turq në rrethinat e Idlibit.
Dëshmorë në këtë sulm të pabesë ranë 33 ushtarë turq, bij nënash që në Idlib gjendeshin me detyrën fisnike të ruajtjes së paqes së brishtë dhe të shmangies së mëtejshme të tragjedive njerëzore në këtë pjesë të Sirisë të mbërthyer prej konfliktit shumëvjeçar.
Vrasja e ushtarëve turq erdhi në një moment të përkeqësimit të situatës në Idlib, rrjedhojë e veprimtarisë terroriste ushtarake të regjimit esadist. Ky sulm pason disa incidente të ngjashme në ditët dhe javët e shkuara.
Përshkallëzimi i gjendjes dhe vënia në shënjestër e forcave turke është me pasoja tragjike për Idlibin dhe rajonin, ndërsa vë në diskutim dhe marrëveshjet e mëhershme mbi qytetin sirian dhe mbikëqyrjen e tij.
Martirët turq e dhanë jetën e tyre në mbrojtje të jetës dhe paqes së sirianëve, goditur prej një regjimi pa legjitimitet, mbajtur në këmbë prej përkrahësve të jashtëm. Gjaku i tyre u derdh për një mision fisnik!
Lajmi për vrasjen e ushtarëve turq ka prekur zemrat e shqiptarëve, të pikëlluar për humbjen e jetëve të mbrojtësve të paqes. Në Fondacionin ALSAR mësuan me keqardhje për të rënët turq në krye të detyrës. Pikëllimi është ndjenja e pranishme në këtë moment te çdo punonjës i fondacionit.
ALSAR-i i shpreh ngushëllimet më të sinqerta popullit turk për humbjen e bijve të vet! Fondacioni lutet që martirizimi i tyre të jetë i pranuar te Zoti!

***

-Plan bashkëpunimi në fushën ushtarake Shqipëri-Turqi

Shteti turk është një nga kontribuesit më të rëndësishëm të logjistikës ushtarake dhe asaj të emergjencave civile në Shqipëri. 

Po ashtu Turqia tregoi se jo vetëm është një nga bashkëpunëtorët më të mirë të vendit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes, por edhe një vend mik në momente të vështira. Shteti turk dha një ndihmë të konsiderueshme gjatë periudhës së vështirë pas tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor të vitit të kaluar.

Me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes është nënshkruar edhe plani i Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes për vitin 2020 ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë.
Plani u nënshkrua nga Florian Kali drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe kolonel Şakir Cumhur Somer, atashe ushtarak i Republikës së Turqisë në Tiranë.
Plani i bashkëpunimit përmban aktivitetet që të dy ministritë angazhohen të realizojnë gjatë vitit 2020 me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme