"Shteti shqiptar gati ta përballë në rast shfaqjeje me organizim e profesionalizëm të lartë"

“Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë, por si për gjithë botën është një kërcënim potencial, për të cilin janë marrë të gjitha masat në rast se do të na duhet ta përballim”, ka thënë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

1367583
"Shteti shqiptar gati ta përballë në rast shfaqjeje me organizim e profesionalizëm të lartë"

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (9/2020)

-Koronavirusi-Kryeministri i Shqipërisë: Shteti shqiptar gati ta përballë në rast shfaqjeje me organizim e profesionalizëm të lartë

 “Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë, por si për gjithë botën është një kërcënim potencial, për të cilin janë marrë të gjitha masat në rast se do të na duhet ta përballim”.

Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama, ndërsa duke iu drejtuar qytetarëve u shpreh se “të njëjtat mendje të shthurura, që ju shqetësuan keq me lajmet fallco dhe me gojë ligësinë e tyre gjatë ditëve e netëve të gjata pas tërmetit, janë në veprim”.

“Mos bini pre e tyre dhe jini të sigurt se shteti shqiptar po e bën prej kohësh detyrën për të qenë gati në rast shfaqjeje të koronavirusit, të cilin jemi gati ta përballim me organizim e profesionalizëm të lartë”, tha Rama. 

-Më herët, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino ka deklaruar se nuk duhet të ketë panik për situatën e koronavirusit në Shqipëri, ku deri tani nuk kemi asnjë rast të dyshuar”, ndërkohë që theksoi se “laboratori i ISHP-së është pjesë e rrjetit evropian të laboratorëve për sëmundjet e rrezikshme, që e përcakton diagnozën e koronavirusit”.

Nga ana tjetër, Taskforca mblidhet herë pas here për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen ndaj Covid-19.

Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, ministrja Manastirliu ka deklaruar se pas konfirmimit të koronavirusit në Itali në pikat kufitare të Shqipërisë janë shtuar masat e kontrollit dhe monitorimit ndaj koronavirusit.

-"Nuk është koha që paniku t’i zë vendin arsyes. Është koha të vlerësojmë dhe dëgjojmë ekspertët, që në Shqipëri nuk mungojnë, të cilët po ndjekin planin e veprimit të miratuar nga Taskforca dhe strukturat në qeverinë shqiptare. Kemi dyfishuar masat në aeroportin ‘Nënë Tereza’ dhe në pikat kufitare. Vetëm dje janë monitoruar më shumë se 4500 udhëtarë që kanë ardhur nga vendet me raste të koronavirusit, ku përfshihet dhe Italia. Sa i përket mbylljes së kufijve, do të vlerësohet rreziku dhe në bazë të tij do të përcaktohen masat", është shprehur Manastirliu.

Manastirliu ka deklaruar se ka firmosur urdhrin për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si dhe ka bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

***

-Koronavirusi në Itali, Ministria e jashtme e Shqipërisë: Po ndjekim nga afër situatën, deri tani nuk ka informacione për shqiptarë të prekur

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi se, “së bashku me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe në Bari, janë duke ndjekur nga afër situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë”.

Deri më tani nuk ka informacione për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në një deklaratë të MEPJ-së.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali shprehen se janë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e përhapjes së virusit në territorin shqiptar.

***  

-Shqipëria i shpreh ngushëllime Turqisë për viktimat e tërmetit

Shqipëria ka shprehur ngushëllime në lidhje me tërmetin e fundit në Turqi, që shkaktoi vdekjen e nëntë personave dhe lëndimin e dhjetëra të tjerëve.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka shprehur ngushëllimet për popullin turk.
Ngushëllimet tona më të sinqerta për vëllezërit dhe motrat tona në Turqi pas tërmetit vdekjeprurës. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me njerëzit në Turqi. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe lutemi për një shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit”, shkruan Cakaj.
Tërmeti i cili më 23 shkurt 2020 goditi pjesën juglindore të Turqisë, shkaktoi vdekjen e nëntë personave dhe lëndimin e më shumë se 70 të tjerëve.

***

-Rama në Moskë: Serbia të njohë Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë mirë për të gjithë.

Në një konferencë për medien pas takimit të zhvilluar në Moskë me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, kryeministri Rama ka folur lidhur me Kosovën.

Duke theksuar se pozicioni i Qeverisë së Shqipërisë është shumë i kuptueshëm, Rama tha se "...Sa më shpejt Serbia ta njohë Kosovën, aq më mirë do të jetë për të gjithë dhe për Serbinë...".

Pasi u shpreh se mbështesin dialogun dhe kërkimin e bazës së përbashkët lidhur me njohjen e Kosovës, kryeministri i Shqipërisë vuri në dukje se nuk diskutojnë alternativën për mosnjohjen e Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, në cilësinë si kryetar i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë-OSBE, ka realizuar një vizitë në Rusi. Rama gjatë qëndrimit në Moskë, është takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, dhe zyrtarë të tjerë rusë.

Përmendim se në vitin 2020 Shqipëria ka presidencën e radhës të OSBE-së, ndërsa në kuadër të kësaj kryesie, kryeministri Rama paralajmëroi vizita në disa shtete të botës.

***

-Ministri Roth: Vendim pozitiv në mars nga BE për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut 

Ministri gjerman për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth është shprehur me besim, se BE në mars do të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas agjencisë së lajmeve DPA, Roth shpreson, që në takimin e ardhshëm me homologët e tij më 24 mars ” të jepet një sinjal i qartë në drejtim të Ballkanit Perëndimor”.

Michael Roth ka kujtuar ndryshimet që janë bërë në metodologjinë e zgjerimit të BE-së dhe pret që Komisioni Evropian të njohë edhe progresin në reforma që kanë bërë të dyja vendet.

“Komisioni Evropian ka për të njohur “progresin e rëndësishëm” në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe reformës së drejtësisë”-, u shpreh Roth.

***

-Ekspozitë e fotografisë arkeologjike Göbeklitepe "Njeriu dhe Jeta"

Instituti turk “Yunus Emre” Shkodër organizoi para pak ditëve ekspozitën e fotografisë arkeologjike me temë "Göbeklitepe: Njeriu dhe Jeta"

Në ekspozitën e realizuar ishin të pranishëm drejtues të institutit turk  “Yunus Emre" Shkodër, përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe turke, studentë dhe artdashës.
Drejtori i institutit turk “Yunus Emre” Shkodër, Zafer Kıyıcı, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës tha se vlera e vërtetë e Göbeklitepe nisi të shfaqej me gërmimet e nisura pas vitit 1994. Sipas tij, pas këtyre studimeve u kuptua që Göbeklitepe ishte një qendër kulti që datonte deri në 1200 vjet më parë.
-"Të dhënat shkencore mbi Göbeklitepe japin informacion të rëndësishëm nga studimet arkeologjike që kërkojnë rivlerësimin e kornizës teorike dhe datimin e periudhës neolitike. Mendohet se Göbeklitepe me vendndodhjen, dimensionet, datimet dhe strukturat monumentale përbën një zonë të shenjtë unike për periudhën neolitike. Duke mbetur e paprekur në mjedisin e saj natyror për 1200 vjet, zona dhuron gjetje të rëndësishme arkeologjike", theksoi Kıyıcı.

Ekspozita e organizuar me rastin e një vjetorit të regjistrimit të Göbeklitepe në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, do të qëndrojë e hapur për vizitorët në ambientet e sallës së ekspozitave në institutin turk Shkodër deri më datë 6 mars, ku do të pasqyrohen pamje të trashëgimisë historike të Göbeklitepe.
Kjo ekspozitë organizohet nga instituti “Yunus Emre” Shkodër, për të promovuar një ndër tempujt më të vjetër në botë me një histori prej 12 mijë vitesh në Turqi, që bart veçorinë “pika zero e historisë”.

Të ftuarit vizituan ekspozitën duke u informuar mbi pamjet, nën shoqërinë e muzikës turke.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme