Maqedoni e Veriut – Konfirmohet rasti i parë me COVID-19, vinte nga Italia

Autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut konfirmuan të mërkurën rastin e parë të prekur në vend nga epidemia e koronavirusit të ri, tani zyrtarisht i njohur si COVID-19.

1367253
Maqedoni e Veriut – Konfirmohet rasti i parë me COVID-19, vinte nga Italia

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, deklaroi se ekzaminimet mjekësore të një gruaje të lindur më 1970-n, e cila është shtruar të mërkurën në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, kanë rezultuar pozitive ndaj koronavirusit të ri dhe se ky është rasti i parë i konstatuar në Shkup.

“Nuk ka nevojë për panik”, shtoi ai duke theksuar se shtetasja maqedonase e infektuar në fjalë, e cila ka qëndruar rreth një muaj në Itali, është vënë në karantinë.

Rastet e para me COVID-19 janë konfirmuar gjithashtu në Danimarkë dhe Estoni.

Në Francë, një tjetër rast është vërtetuar duke e çuar në gjithsej 18 numrin e personave të infektuar në vend. Nga këta, 11 janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali, ndërsa 2 të tjerë kanë humbur jetën.

Kurse Instituti i Shëndetit Publik të Suedisë bëri me dije përmes një komunikate të shkruar se një grua 30-vjeçare, e kthyer nga pushimet në veri të Italisë, është rasti i 2-të i konfirmuar me koronavirus në vend.

Bilanci i rasteve të konfirmuara të koronavirusit ka shkuar në 2 edhe në kryeqytetin Helsinki të Finlandës. Edhe në këtë rast pacientja ishte kthyer nga Italia.

Sa i përket vetë Italisë, personat që kanë humbur jetën nga virusi kanë arritur në 12 dhe numri total i rasteve të konfirmuara në mbi 400.

Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëroi të mërkurën qytetarët e SHBA-së që të bëjnë kujdes teksa udhëtojnë në Itali, aktualisht shteti i 3-të i në botë për numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara me COVID-19.

“Italia është përfshirë në kategorinë e vendeve ku duhet të merren masa, prandaj bëni kujdes kur udhëtoni në këtë vend”, thuhet në komunikatën e Departamentit amerikan të Shtetit, i cili bëri thirrje gjithashtu që qytetarët të rishikojnë edhe udhëtimet e tyre në Mongoli, një tjetër vend ku epidemia në fjalë po vazhdon të përhapet me shpejtësi.

Nga ana tjetër, sipas një artikulli të publikuar në median britanike dhe të bazuar në një raport të qeverisë, epidemia e koronavirusit të ri mund të shkaktojë vdekjen e rreth 500.000 njerëzve vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Raporti i titulluar “Skenari i Rastit më të Keq të Arsyeshëm COVID-19” (Covid-19 Reasonable Worst Case Scenario) thekson se epidemia do të infektojë 80 për qind të popullsisë britanike duke shkaktuar rreth 500.000 vdekje në rast se shndërrohet në pandemi.



Lajme të ngjashme