Turqia në krye të vendeve që premtuan më shumë ndihma për Shqipërinë

Tejkalohen pritshmëritë në konferencën e Donatorëve; mblidhet shifra rekord prej 1,15 miliardë eurosh për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri.

Turqia në krye të vendeve që premtuan më shumë ndihma për Shqipërinë
Arnavutluk depremine ilişkin Uluslararası Bağışçılar Konferansı_11.jpg
Arnavutluk depremine ilişkin Uluslararası Bağışçılar Konferansı_10.jpg
Arnavutluk_Maarif  Okulları_Kosova Bağımsızlığı_2.png
Arnavutluk_Maarif  Okulları_Kosova Bağımsızlığı.jpg
Arnavutluk_Tiran_Ethem Bey Camii restorasyonu_TIKA_01.jpg
arnavutluk-taki ethem bey camisi-nin restorasyonu tika yapacak.jpg
tiran ethem bey cami.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (8/2020)

Turqia në krye të vendeve që kanë premtuar ndihmatë mëdha në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për Shqipërinë 

Konferenca e Donatorëve, tejkalohen pritshmëritë. Mblidhet shifra rekord prej 1.15 miliardë eurosh për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri

Komisonieri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Olivér Várhelyi deklaroi se, “janë mbledhur gjithsej 1.15 miliardë euro në Konferencën e Donatorëve”.

Pasi përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse njoftuan kontributet e tyre, Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Olivér Várhelyi deklaroi shumën finale të mbledhur për Shqipërinë.

Konferenca e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” u organizua nga Bashkimi Evropian duke mbledhur së bashku përfaqësues nga shumë shtete, për mbështetjen e programit të rindërtimit në Shqipëri.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas përfundimit të Konferencës së Donatorëve u shpreh se u tejkalua objektivi i Rindërtimit, duke u arritur një shumë prej 1.15 miliardë eurosh.

“Lajm i mirë për popullin e Shqipërisë. Ne kemi tejkaluar objektivin tonë për rindërtimin e dhe arritëm në një total prej 1.15 miliardë eurosh, përfshirë dhe kontributet 400 milionë € në BE”, – u shpreh Von der Leyen.

“Jam e mallëngjyer nga mbështetja. Edhe një herë Evropa qëndron së bashku kur ka më shumë rëndësi”, përfundoi ajo.

"Kjo është përtej imagjinatës më të shfrenuar”, – deklaroi në Bruksel kryeministri Edi Rama, pasi Shqipëria mblodhi në Konferencën e Donatorëve 1.15 miliardë euro për përballimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. 

“Ky është në fakt momenti i vërtetë, që fakti që nuk kam një fjalim me vete tregon shumë për pritshmëritë e mia. Ndërkohë që po vinim këtu po spekulonim. Nevoja ishte kaq e madhe dhe po thoshim: nëse arrijmë të 40% të gjithë shumës mund të kthehemi në shtëpi pa ankth, po të arrijmë 50% të vlerës mund të ndihemi se kemi pasur sukses, dhe përtej 50% do të ketë qenë ndonjë magji”.

Në vazhdim, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama tha se “...Nuk di çfarë të them, po më lejoni të jem mistik, se në ç’mënyrë tjetër mund të shpjegoj të gjithë këtë. Më lini të citoj diçka nga Bibla, Korinthët, ku thuhet: Sepse në një frymë u pagëzuam në një trup dhe të gjithë vijmë nga e njëjta frymë. Nëse një pjesëtar vuan, të gjithë vuajmë së bashku. Nëse një pjesëtar nderohet, të gjithë gëzohemi së bashku. Unë jam i nderuar, shpresoj fort që ju të gëzoni të gjithë së bashku për mua e Shqipërinë. E ndërsa citoj Biblën, unë udhëheq një vend që e ka vëllazërinë fetare, siç edhe Papa Françesku e ka pagëzuar, nuk mund të largohem pa e përmbyllur me Kuranin. E nuk gjej dot shembull më të bukur sesa ky që ndodhi sot për të përdorur këtë citim nga Kurani: Njerëzimi është një komb i vetëm. Faleminderit shumë”, – tha kryeministri, duke iu drejtuar shteteve pjesëmarrëse në Konferencën e Donatorëve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka falënderuar Turqinë dhe disa vende të tjera për ndihmën e dhënë për të rindërtuar zonat e dëmtuara nga tërmeti shkatërrues i vitit të kaluar.

“...Është e jashtëzakonshme sesi solidariteti u përhap dhe u shpërfaq një për një prej zemrës së Evropës këtu në Bruksel, në një kontribut të jashtëzakonshëm nga BE, Italia, Turqia, Emiratet, Gjermania, etj..." .

Në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, krahas Turqisë morën pjesë shumë vende të tjera, u premtua një ndihmë prej 1.15 miliardë euro për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit që goditi vendin me 26 nëntor vitin e kaluar.

Në konferencën e zhvilluar me pjesëmarrjen e gjithsej 124 vendeve dhe organizatave, Turqia u përfaqësua nga zv.ministri i Jashtëm dhe ministri për BE-në Faruk Kaymakcı.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se nëpërmjet Autoritetit Shtetëror të Zhvillimit Strehimor (TOKI) në qytetin Laç do të vihet në zbatim një projekt për ndërtimin e 504 banesave për të prekurit e tërmetit, Kaymakcı, transmetoi se ceremonia për fillimin themeleve të projektit në fjalë është parashikuar që të fillojë në fund të muajit shkurt.

Me këtë projekt, i cili pritet të arrijë vlerën 45 milionë euro, Turqia ndodhet në krye të vendeve që kanë premtuar ndihma në sasi të mëdha në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për Shqipërinë dhe se Turqia do të bëjë një premtim prej gjithsej 46.3 milionë euro tha në fjalën e tij Kaymakcı.

Ndër të tjera Kaymakcı rikujtoi se krahas ndihmave në terren dhe aktiviteteve për rindërtimin, presidenti Recep Tayyip Erdoğan ftoi vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunimin Islam që të ndihmojnë Shqipërinë.

***

-Macron: Mbështes hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se, nëse rezultatet e një raporti të Komisionit të Bashkimit Evropian, që do të dalë në muajin mars 2020,  për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ishte pozitiv, atëherë ai do të mbështeste hapjen e negociatave që këto dy vende t’i bashkohen bllokut, njoftoi një nga gazetat më të njohura kanadeze ”The National Post”, që i referohet agjencisë britanike të lajmeve, Reuters.

“Ne jemi duke pritur për raportin në muajin mars”, deklaroi Macron.

Nëse rezultatet janë pozitive dhe besimi vendoset, atëherë ne duhet të hapim negociatat”, theksoi Macron në Konferencën për Sigurinë, që u zhvillua në Mynih.

***

-Fondacioni Turk Maarif zhvillon në Tiranë veprimtari për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës 

Departamenti i Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri organizoi një veprimtari artistike me rastin e 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Pjesë e kësaj veprimtarie të organizuar në Tiranë në ambientet e shkollave që administrohen nga “Maarif” ishte këshilltari për çështjet e arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Atakan Doğan, zëvendësdrejtuesja e Departamentit së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Erinda Zhupani, administratori i gjimnazit "New York High School” dhe shkollës 9-vjeçare "New York Basic Education", Mehmet Işıker, mësues, prindër dhe nxënës.

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare "New York Basic Education", që administrohet nga Fondacioni Turk Maarif, interpretuan këngë, valle dhe recituan poezi me temë për Pavarësinë e Kosovës, ndërsa krijuan një atmosferë festive.

Për të pranishmit u ekspozuan edhe disa punime në piktura të nxënësve të shkollës "New York Basic Education", që i kushtoheshin Kosovës dhe Shqipërisë.

Me flamujt e Shqipërisë, Turqisë dhe Kosovës në duar nxënësit e pranishëm me programin artistik përcollën mesazhet e solidaritetit, ndërsa për të pranishmit u servir edhe torta me simbolet e Kosovës.

***

-Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështet masat në Shqipëri për parandalimin e depërtimit të koronavirusit 

Drejtori i Programit të Emergjencave Shëndetësore për Ballkanin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë(OBSH), Abebayehu Mengustu, gjatë një vizite në Tiranë deklaroi se OBSH do të ofrojë ndihmë teknike dhe mbështetje për mjetet mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme, për parandalimin e depërtimit të koronavirusit.

Në një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, thuhet se OBSH mbështet masat e marra nga Shqipëria për parandalimin e depërtimit të koronavirusit.
Zyrtari i OBSH-së ka realizuar një vizitë në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Tiranë, për të ndjekur nga afër masat e marra në nivelin e parë të shërbimit.
“Shqipëria ka ndërmarrë masa të cilat ne si Zyrë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i mbështesim plotësisht, pavarësisht se vendi nuk ka asnjë rast të koronavirusit COVID-19 dhe rreziku është i ulët. Zyra e OBSH-së do të japë mbështetje teknike për të gjitha vendet e Ballkanit dhe mbështetje sa i takon mjeteve mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme”, është shprehur Mengustu.
Ndër masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është trajnimi deri tani i 475 punonjësve të sistemit shëndetësor, ndërsa sipas njoftimit nuk ka asnjë rast në Shqipëri të personave të prekur me koronavirus.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpërthimin e këtij virusi e ka shpallur emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.

***

-Rikonstruksioni i xhamisë Et’hem Beu që financohet nga TIKA së shpejti drejt përfundimit

Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore shqiptare, do të rifitojë së shpejti shkëlqimin e fshehur prej vitesh.

Me një financim të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim-TIKA, specialistë shqiptarë e turq, nën supervizimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë po punojnë për rikthimin në identitet të kësaj xhamie.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, bëri të ditur para pak ditëve se “pas një pune të palodhur të skuadrës së restauratorëve, pikturave shumëngjyrëshe murale të Xhamisë së “Et’hem Beut”, po u kthehet freskia”.

“Pas montimit të skelës, punëtorët kanë nisur me rikonstruksionin e çatisë. Falë financimit të TIKA-s ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë materiale dhe shpirtërore do të rifitojë shkëlqimin e fshehur prej viteve”, – tha Margariti pas inspektimit të punimeve në këtë monument.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një tiranas i pasur, i cili me qëllim bamirësie hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791.

***

-Doli në qarkullim libri: “Elbasani në dokumentet arkivore” 

Para pak ditëve studiuesi i osmanologjisë dhe i arkivave osmane, Ermal Nurja nxori në dritë botimin e tij, “Elbasani në dokumentet arkivore”.

Libri fillon me disa aspekte mbi zhvillimin ekonomik-social të sanxhakut të Elbasanit, pozitën gjeografike dhe organizimin administrativ në këtë vilajet.

Autori në hyrje të këtij libri përmend se ky qytet është pasues i kalasë së Skampës, sepse pikërisht këtu sulltan Mehmeti II zgjodhi vendin për të rindërtuar, më 1466, për “30 ditë”, muret rrethuese të kalasë mbi themelet e një kështjelle antike. Pas ndërtimit të kalasë së Elbasanit Mehmeti II solli edhe disa familje myslimane, shpërnguli nga Shkupi në Elbasan edhe disa familje ortodokse. Këta kanë qenë myselemë kristianë (kategori banorësh që nuk paguanin taksa kundrejt punëve që bënin në ndihmë të garnizoneve ushtarake) të cilët shërbenin si muratorë, gurskalitës etj.

Autori Nurja shpjegon gjithashtu se një punë e madhe është bërë për identifikimin e onomastikës që gjendet në përshkrimet e dokumenteve. Puna për saktësimin e kësaj onomastike e bën këtë ndërmarrje të vlefshme dhe për vetë treguesin osman në Stamboll, pasi tashmë mund të korrigjohen edhe shumë transliterime ta pasakta të antroponimeve dhe toponimeve në databazën e arkivit.

Sipas autorit treguesi i Elbasanit është njëkohësisht edhe një mjet që do të lehtësojë krahasimin e përmbajtjes së fondeve të Arkivit të Stambollit me materialet dokumentar në gjuhën osmane (vitet 1878-1912) që ruhen në Arkivin e Shtetit Shqiptar në Tiranë, pjesën dërrmuese të së cilës e përbëjnë pikërisht materialet e sanxhakut të Elbasanit.

Me këtë botim, sot e tutje elbasanasit do të dinë se çfarë kanë në arkivin e Stambollit për qytetin dhe trevën e tyre.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme