Kosova feston 12-vjetorin e pavarësisë së saj

Më 17 shkurt 2020 shënohet përvjetori i 12 i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për këtë ditë janë planifikuar shumë aktivitete, kurse liderët e vendit kanë marrë urime nga shumë vende të botës.

1361102
Kosova feston 12-vjetorin e pavarësisë së saj
Ambasada turke uron 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.jpg
Çağrı Sakar_Albin Kurti.jpg
Çağrı Sakar_Vjosa Osmani.jpg
dikey resim_Çağrı Sakar_Anton Quni.jpg
Hashim Thaçi_Aleksandr Vuçiç_Münih Güvenlik Konferansında.jpg
Kosova Cumhurbaşkanı Hashim Thaçi_bağımsızlık mesajı.jpg
Kosova Meclisi_Bağımsızlık özel oturum.jpg
Kosova_Sırbistan demiryolları anlaşması.jpg
Kosova_Turk Taburunda Görev Değişimi.jpg
Shpend Ahmeti_TİKA heyetini kabul etti.jpg
Yunus Emre_Prizren.jpg

Kosova feston 12-vjetorin e pavarësisë së saj

Republika e Kosovës sot shënon 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, me shumë aktivitete të organizuara nga institucionet qendrore dhe lokale. Nën organizimin e Qeverisë, në mëngjes në oborrin e Qeverisë së Kosovës, Garda e FSK-së ka bërë ngritjen e flamurit të Kosovës.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri i vendit Albin Kurti, kryeparlajmentraja Vjosa Osmani, ministri i mbrojtjes Anton Çuni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe pjesëtarë të tjerë nga kabineti qeveritar.

Pas kësaj, udhëheqësit shtetërorë vendosën kurora me lule te kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Me këtë rast kryeministri Albin Kurti, e quajti Prekazin kryeqytet të kryengritjes dhe qëndresës së popullit tonë.

“59 veta të cilët luftuan dhe u sakrifikuan në një ngjarje të jashtëzakonshme që sot njihet si Epopeja e UÇK-së. Në 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë sot i kujtojmë me mall e pikëllim por edhe me shumë krenari”, tha Kurti.

Në anën tjetër kryeparlamentarja Osmani, tha se sot kanë ardhur për të nderuar sakrificën e familjes Jashari.

“Së bashku me kryeministrin dhe anëtarët e qeverisë ishim për të nderuar në këtë 12 vjetor të pavarësisë sonë, sakrificën e familjes Jashari të komandantit legjendat Adem Jashari dhe të gjithë anëtarëve të kësaj familje që u flijuan në mënyrë që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe shtetin tonë “, tha Osmani.

Ai shtoi se Prekazi duhet të vazhdojë të jetë udhërrëfyes për punën e tyre.

Kurse, më pas është mbajtur seanca solemne në Kuvendin e Kosovës, nën kujdesin e Vjosa Osmanit, kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pas kësaj, kryeministri Albin Kurti e kryeparlamentarja Vjosa Osmani, bëjnë vizitë në Forcën e Sigurisë se Kosovës, ku trupave të FSK-së iu drejtohen me fjalë përshëndetëse.

Gjithashtu, edhe komunat kanë paraparë disa aktivitete për shënimin e 12 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

*

Presidenti Thaçi uron festën e pavarësisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Përmes një postimi në Facebook ai ka shkruar se sot Kosova feston ditën më të veçantë në historinë e saj të re, ditën e shpalljes së Pavarësisë.

“Në fund të shekullit të njëzet populli ynë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shteteve të Europës, tërë botës demokratike e liridashëse, me intervenimin e NATO-s u çlirua përfundimisht nga okupimi dhe represioni i Serbisë.”

Ai thotë se gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve Kosova ka shënuar të arritura të mëdha në rrafshin nacional, në konsolidimin e institucioneve, përparimin ekonomik, në kultivimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Ai thotë se edhe në këtë përvjetor, si gjithmonë Kosova shpreh falënderimet e thella dhe mirënjohje për shtetet mike, që e përkrahën në ditët e vështira. 

*

Ambasada turke uron 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Ambasada e Turqisë në Prishtinë, përmes një postimi në facebook ka uruar popullin e Kosovës për përvjetorin e 12 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Kosovës, shtetit mik dhe vëlla, i urojmë 12 vjetorin e pavarësisë”, thuhet në postimin e Ambasadës turke në Prishtinë.

*

Ambasadori turk Sakar uron Kurtin për detyrën e kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë, Çağrı Sakar. Takimi i parë zyrtar midis kryeministrit Kurti dhe ambasadorit Sakar, i cili u mbajt me dyer të mbyllura për mediat në hapësirat e Qeverisë së Kosovës, ka zgjatur më shumë se gjysmë ore. Nga ambasada turke njoftuan se ambasadori Sakar ka uruar Kurtin për marrjen e detyrës si kryeministër.

Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës njoftuan se në takim ndër të tjera u diskutua rëndësia e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, si dhe bashkimi i ministrive dhe miratimi i buxhetit për fuqizimin e qeverisë së re.  Gjatë takimit, u theksua mbështetja e Turqisë për qeverinë e kryeministrit Kurti, në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik në dobi të të gjithëve.

“Ndër të tjera, ambasadori Sakar ia dorëzoi kryeministrit Kurti urimin e kryetarit të Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, z. Prof. Dr. Mustafa Şentop”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

*

Krye-parlamentarja Osmani: Do të rrisim bashkëpunimin parlamentar me Turqinë 

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, priti në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Çagri Sakar. Ambasadori Sakar uroi kryeparlamentaren për detyrën e re, duke shprehur edhe qëllimin e shtetit turk për të thelluar bashkëpunimin në shumë fusha mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë.

Sakar potencoi se Turqia do të vazhdojë të mbetet partner i besueshëm i Kosovës, duke ofruar përkrahje në të gjitha fushat e nevojshme. Në anën tjetër, kryetarja Vjosa Osmani, duke shprehur falënderimin e saj për vizitën dhe bashkëpunimin e ofruar, deklaroi se si kryetare e Kuvendit do të angazhohet maksimalisht në funksionalizimin e plotë të diplomacisë parlamentare mes Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Madh të Turqisë.

*

Ministri Anton Quni takon ambasadorin turk Çagri Sakar

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Nga ministria bëjnë të ditur se Quni shprehu besimin e plotë se bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Turqisë do të intensifikohen edhe më tej në funksion të arritjes së objektivit për arritjen e aftësive dhe kapaciteteve të plota të FSK-së. Kjo me qëllim që të mundësohet ofrimi i kontributit të Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global, në operacione paqeruajtëse krahas vendeve partnere në mesin e të cilave është edhe Turqia.

Gjithashtu u bë e ditur se Sakar premtoi se Turqia, si një vend mik dhe aleat i fuqishëm i Kosovës, sikur deri më tash do të vazhdojë ta ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, në të gjitha fushat dhe komponentët në mënyrë që t’i përmbushë me sukses të plotë synimet e saja. Sakar i uroi detyrën e re ministrit Quni, përderisa ky i fundit e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme nga Turqia.

*

I dorëzohet detyra shefit të ri të KFOR-it turk 

Në Prizren më 13 shkurt është mbajt ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës së shefit të kryesisë së delegacionit turk që vepron në kuadër të Misionit të Forcave Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR). Koloneli Numan Baş, i cili mbajti detyrën për një vit, ia dorëzoi atë kolonelit Savaş Yanar. Në ceremoninë e organizuar në kazermën Sulltan Murat në Prizren, të pranishëm ishin ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Quni, ambasadori turk në Prishtinë, Çağrı Sakar, komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral Michele Risi e tjerë.

Koloneli i ri Baş tha se ushtarët turq kanë punuar me të gjitha forcat për të kontribuuar për paqen në Kosovë. Ai tha se brenda një viti kanë realizuar 33 projekte në fushat e nevojshme në mbështetje të popullit kosovar.

*

Kryetari Ahmeti thellon bashkëpunimin me Turqinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti bashkë me drejtoreshën për kulturë Blerta Basholli e asambleisten Mimoza Sylejmani pritën në takim një delegacion nga zyra e zëvendësministrit për Kulturë e Turizëm nga Republika e Turqisë dhe përfaqësues të TIKA-s.

Në takim u diskutua për rritjen e bashkëpunimit edhe në nivelin e artit e kulturës përmes aktiviteteve konkrete kulturore. Thellimi i bashkëpunimit me Institutin Yunus Emre, koordinimi i aktiviteteve për Prishtina “Jazz Week” e “Turkish Jazz Week”, mundësia e shkëmbimit të nxënësve të shkollave të Prishtinës e Stambollit janë disa nga nismat e mundshme të menjëhershme.

Komuna e Prishtinës tashmë ka botuar "Katalogun e Dokumenteve Osmane në Arkivin Komunal të Prishtinës", promovimi i të cilit do të bëhet edhe në Stamboll.

Në takim u diskutua dhe u vlerësua bashkëpunimi dhe mbështetja e TIKA-s me projekte konkrete në Komunën e Prishtinës.

*

Junus Emre fton kosovarët për pjesëmarrje në Teknofest 

Këshilltarët e Zv. Ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Serdar Çam, Hacı Ahmet Daştan dhe Fuat Canan dhe Koordinatori i TIKA në Kosovë, Hasan Burak Ceran vizituan Institutin Junus Emre tonë në Prizren ku dhe u informuan për veprimtarinë kulturo-artistike. Fondacioni “Junus Emre” (Yunus Emre) është një fondacion publik i Turqisë, i cili ofron shërbime për ata që duan të mësojnë gjuhën turke apo të njihen me kulturën dhe artin turk; të zhvillojë miqësinë me Turqinë me vendet e tjera duke shtuar shkëmbimet kulturore. 

Kurse Instituti “Junus Emre” është një institucion që funksionon në varësi të Fondacionit me të njëjtin emër dhe me synimin për të realizuar qëllimet krahas mësimdhënies së turqishtes për të huajt në qendrat e ngritura jashtë vendit si dhe mbështet punimet shkencore. 

Instituti Junus Emre në Kosovë tani fton të interesuarit të marrin pjesë në garat teknologjike më të mëdha në Turqi! Për projektet të përzgjedhura janë paraparë mbi 3 Milion Lira turke mbështetjeje financiare, si dhe mbështetje për pjesëmarrje nga Teknofest dhe Instituti Yunus Emre. Data e fundit për aplikim është 28 Shkurti i këtij vitit 2020. Për aplikim dhe detaje: https://teknofest.org/en/

*

Thaçi: Jemi të përkushtuar për të arritur marrëveshje me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Këto deklarata ai i bëri në një postim në rrjetin social Tëitter, ku njoftoi se në Mynih të Gjermanisë është takuar me ushtruesin e detyrës së ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker. Presidenti Thaçi u shpreh se vetëm përmes dialogut mund të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Thaçi, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kanë marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Në mesin e burrështetasve aty ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

*

Kurti kritikon formën e nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë për hekurudha dhe autostrada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se zyrtarët që kanë nënshkruar dy marrëveshje me Serbinë në Mynih të Gjermanisë, atë për transportin hekurudhor dhe autostrata kanë qenë të autorizuar nga ish ministri i Infrastrukturës në qeverinë e kaluar, Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë së re. 

“Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re, as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”, thuhet në postimin e kryeministrit të Kosovës.

Marrëveshja për hekurudha dhe autostrada, u arritë me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për palën kosovare letrat e interesit, përkatësisht marrëveshjet i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.



Lajme të ngjashme