Ankara – Dalin nga karantina 42 të evakuuarit nga Kina, përfshirë shtetasen shqiptare

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, njoftoi të premten se 42 personat e evakuuar nga qyteti Wuhan në Kinë, ku shpërtheu epidemia e koronavirusit të ri (Covid-19) kanë dalë nga karantina dhe do të vazhdojnë jetën e tyre normale.

1359672
Ankara – Dalin nga karantina 42 të evakuuarit nga Kina, përfshirë shtetasen shqiptare

Ministri Koca bëri një vizitë në spitalin “Zekai Tahir Burak" në Ankara, ku u trajtuan 42 qytetarët, përfshirë edhe shtetasen shqiptare, të cilët u evakuuan nga qyteti Wuhan në fillim të këtij muaji dhe për të cilët ka përfunduar periudha e vëzhgimit.

Në një prononcim për gazetarët ministri i Shëndetësisë ka vënë në dukje se sot [14 shkurt] është dita e 14-të e karantinës për këta persona dhe se në kuadër të propozimeve të Këshillit Shkencor, janë marrë mostrat një herë në çdo tri ditë, ku bashkë me rezultatin e dalë sot për mostrën e fundit të marrë dje, tek të evakuuarit nuk janë gjetur shenja të sëmundjes.

"Për të marrë rezultatet e të gjitha analizave janë përdorur ‘kompleti vendor i diagnostikimit‘ dhe mund të them lirisht se nuk ka ndonjë rast të koronavirusit", theksoi Koca.

Në mesin e 42 personave ndodhen gjashtë shtetas të Azerbajxhanit, tre të Gjeorgjisë dhe një shtetase e Shqipërisë, rikujtoi ministri Koca, duke shtuar se është takuar me të gjithë veç e veç.

"Ata kanë treguar durim gjatë këtij procesi jo vetëm për shëndetin e tyre, por edhe për shëndetin e qytetarëve tanë, duke kaluar një periudhë karantine për 14 ditë", shtoi Koca.

"Nga këtu dua të shpreh falënderimet për punonjësit tanë, personelin shëndetësor dhe ata që kanë shërbyer. Ky proces 14-ditor ka përfunduar sot. Që sot e tutje ata do të vazhdojnë jetën e tyre normale. Nuk ka nevojë që të bëjmë ndonjë monitorim. Këshilli Shkencor nuk ka ndonjë propozim në këtë drejtim. Shtetasit nga Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Shqipëria për shkak se i kanë nesër rezervimet e avionëve, u shprehën se duan të qëndrojnë edhe një ditë më shumë. Pra, do t’i kemi si mysafirë edhe për një ditë vëllezërit dhe motrat tona",- u shpreh ministri Koca, duke bërë të ditur se personat e mbajtur në krarantinë kanë mbetur shumë të kënaqur.

Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me 'kompletin vendor të prodhuar për diagnostikimin e koronavirusit', Koca tha se ky komplet është zhvilluar sipas të dhënave dhe parametrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

"Deri më tani, diagnostikimet tona shkonin nga katër deri në 24 orë, por me këtë paketë mund të arrihet rezultati nga 90 deri në 120 minuta... Ky komplet është i rëndësishëm sepse redukton kohën e pritjes të të sëmurëve dhe me diagnostikimin e hershëm mundëson fillimin sa më të shpejtë të trajtimit",- theksoi ministri turk.

Duke njoftuar se këtë paketë diagnostikimi kanë filluar ta përdorin që nga enjtja e kaluar dhe se rezultatet e dy personave të fundit që ndodheshin në krarantinë i kanë nxjerrë me këtë paketë të shpejtë, Koca tha se "paketa vendase e diagnostikimit ka një normë saktësie 99,6 për qind, pothuajse 100 për qind".

 


Lajme të ngjashme