Ministri Çavuşoğlu: Së shpejti Presidenti Erdogan viziton Shqipërinë

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu të mërkurën realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është takuar me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.

Ministri Çavuşoğlu: Së shpejti Presidenti Erdogan viziton Shqipërinë
Mevlüt Çavuşoğlu_ilir Meta.jpg
Mevlüt Çavuşoğlu - Gent Cakaj 03.jpg
Mevlüt Çavuşoğlu - Gent Cakaj 02.jpg
Mevlüt Çavuşoğlu - Gent Cakaj 01.jpg
Mevlüt Çavuşoğlu_Maarif Vakfı_Arnavutluk_New York Tirana üniversitesinde2.jpg
Arnavut Gezi Aşevi_Elazığ_6.jpg
Arnavut Gezi Aşevi_Elazığ_2.jpg
Edi Rama_Albin Kurti_Tiran.jpg
Teknofest 2020_Gaziantep.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (7/2020)

-Ministri Çavuşoğlu: Së shpejti Presidenti Erdogan viziton Shqipërinë

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, të mërkurën realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Vizitën e tij ministri Çavuşoğlu e ka filluar me një takim me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Takimi kishte në fokus diskutime në fusha me interes të përbashkët.

Pas takimit, palët nënshkruan tre dokumente shumë të rëndësishëm.

Së pari, Marrëveshjen për “Njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e lejeve të drejtimit”, e cila do të lehtësojë lëvizjen dhe do të eliminojë barrierat administrative dhe burokratike për përdorimin e lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Së dyti, Memorandumin e Mirëkuptimit Ndërmjet Akademive Diplomatike për Shkëmbimin e Diplomatëve, që do të shërbejë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe shtimin e mundësive të këmbimit të përvojave mes dy vendeve.

Së treti, ‘deklaratën e përbashkët’ ndërmjet dy ministrive që do të shërbejë për rritjen e përpjekjeve e bashkërendimin e qëndrimeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, dhunës ekstreme dhe terrorizmit. 

Ndërsa në përfundim të takimit dy kryediplomatët mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat.

Që në nisje të fjalës së mbajtur në konferencën për shtyp, sa i përket takimit, Cakaj i shprehu mirënjohjen e tij absolute homologut turk, për mbështetjen e pakursyer e solidaritetin e plotë që qeveria turke ka dhënë për Shqipërinë, që prej orëve të para pas goditjes së tërmetit dhe në vazhdimësi, si dhe çmoj lartë marrëdhëniet e qëndrueshme midis dy shteteve mike.

"...Marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve tona janë të rrënjosura thellë jo vetëm me lidhjet historike, por edhe të mirëvendosura në një rrafsh ndërveprimi dypalësh, bashkëpunimi konstruktiv në organizata ndërkombëtare dhe partneritetin strategjik në NATO. Në këtë kuptim, deklarata për krijimin e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit që do të firmoset shumë shpejt mes krerëve të të dy vendeve do të forcojë edhe më tej përmbajtjen e bashkëpunimit strategjik dhe do të zgjerojë përmasat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë...". 

Turqia është një nga aleatët më të vyer në NATOsa i përket kontributeve të saj tepër të rëndësishme në aleancën Atlantike, tha më tej Cakaj.

Ai shtoi se "Prej shumë vitesh, ushtarakët tanë kanë shërbyer krah në krah në Afganistan në mbështetje të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe siguri në atë vend. Turqia po ashtu vazhdon të jetë një ndër kontribuuesit kryesorë në KFOR në Kosovë duke mbështetur sigurinë e Kosovës, stabilitetin e rajonit për më shumë se 20 vite. Ne po ashtu njohim shqetësimet e sigurisë së Turqisë në zonën e saj kufitare me Sirinë veriore dhe po ashtu njohim kontributin madhor të Turqisë dhe faktin se ka mbajtur me zemërgjerësi barrën e miliona refugjatëve sirianë në territoret e saj".

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me homologun shqiptar Gent Cakaj në Tiranë, Çavuşoğlu falënderoi Shqipërinë për, siç tha ai, ndarjen e shqetësimeve të Turqisë lidhur me Sirinë dhe mbështetjen e ofruar në këtë drejtim.

Minstri turk Çavuşoğlu iu përgjigj interesit të medias lidhur me rrezikun e FETO-s dhe me numrin e gylenistëve që ndodhen në Shqipëri. 

“Organizata terroriste FETO nuk është e rrezikshme vetëm në Turqi, por edhe në vendet ku ajo ndodhet. Është një organizatë që kontrollohet nga shërbimet e disa vendeve. Kemi shpjeguar rrezikun që ajo paraqet... Nuk kam shifra të sakta, por kemi kërkuar kthimin e anëtarëve të FETO-s. Shqipëria ka hedhur disa hapa, presim të vijojmë më tej. Nuk dëshirojmë që Shqipëria të jetë portë sigurie për FETO-n. Mendojmë se prania e FETO-s. është një rrezik e kërcënim për sigurinë e të ardhmen e Shqipërisë. Duhet të hedhim hapa për të ardhmen tonë, ia shpjegova mirë këtë z. Cakaj do ia shpjegoj edhe kryeministrit Rama...” -u shpreh Çavuşoğlu, i cili paralajmëroi dhe një vizitë së shpejti në Shqipëri të Presidentit Erdogan...

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, u takua me kryparlamentarin Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit i shprehu Ministrit Çavuşoğlu mirënjohjen për mbështetjen për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntoritsi edhe solidaritetin për popullin turk dhe familjet e dëmtuara nga tërmeti i 24 janarit në Turqi.

Ministri Mevlüt Çavuşoğlu falënderoi kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi  për fjalët e ngrohta, vlerësimet dhe mbështetjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe i transmetoi përshëndetjet e përzemërta vëllazërore të Presidentit Erdogan dhe Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Şentop.

“Turqia do të marrë pjesë në mbledhjen e donatorëve dhe do të nxisë vendet pjesëmarrëse për rritjen e kontributeve të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e rindërtimit. Ndërtimi prej Turqisë i 500 njësive të banimit për familjet e pastreha prej tërmetit të 26 nëntorit do të fillojë në fund të muajit shkurt. Përpjekjet dhe kontributi ynë për njohjen dhe rritjen e rolit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të rriten”, vuri në dukje ministri Mevlüt Çavuşoğlu. 

Kryediplomati turk është takuar edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe kryeministrin Edi Rama.

Presidenca e Shqipërisë në një njoftim thekson se gjatë takimit presidenti Meta e falënderoi ministrin Çavuşoğlu për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme të dhënë nga autoritetet turke pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe i shprehu ngushëllimet për viktimat e tërmetit dhe ortekut në Turqi.

Meta i ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve si të shkëlqyera dhe tradicionale, si dhe theksoi rëndësinë e përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit dhe rritjes së investimeve turke në veçanti në Shqipëri.

Ndërsa, në takimin me kryeministrin Edi Rama, ministri turk ka diskutuar dhe vlerësuar hapat që mund të merren për të përmirësuar më tej marrëdhëniet  ekonomike shqiptare-turke, veçanërisht krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë.

Përmendim se Turqia është investitori më i madh i huaj dhe partneri i 4-ët tregtar në Shqipëri.

***

-Shqipëria përmes fondacioneve bamirëse në ndihmë dhe solidaritet me qytetin Elazig të Turqisë, pas tërmetit

Fondacioni “Mirësia” në bashkëpunim me Fondacionin IHH në Turqi ka kontribuar gjatë këtyre ditëve në ndihmë të banorëve te prekur nga tërmeti në qytetin Elazig të Turqisë.

Drejtori i fondacionit “Mirësia”, me seli në Tiranë i shoqëruar nga një grup vullnetarësh nga Shqipëria kanë vizituar zonat e prekura nga tërmeti në Elazig dhe

kanë ndjekur nga afër shpërndarjen e ushqimeve të gatuara enkas për banorët që jetojnë në çadra, pikërisht në kampet e ngritura në këtë qytet.

Ky kontribut vjen në shenjë mirënjohje për popullin vëlla turk, të cilët përmes qeverisë turke ndihmuan dhe u solidarizuan me banorët e prekur nga tërmetet në Shqipëri, vitin e kaluar. 

Drejtuesi i fondacionit “Mirësia”, Korab Kaja në një prononcim për Radion “Zëri i Turqisë”-TRT në mes të tjerave tha: “...Sot jemi në zonën e Elazig në Turqi me disa donator dhe kontribues, me të cilët kemi ardhur të sjellim kontribut për popullin mik të Turqisë. Është një zonë që është prekur nga një termet po aq i fuqishëm sa tërmeti i Shqipërisë. Të gjithë e kemi parasysh, nuk e harrojmë kurrë kontributin që Shqipëria mori nga qeveria turke dhe institucionet turke në ndihmë të popullit shqiptar. Në shenjë mirënjohje dhe solidarizimi jemi bashkangjitur edhe ne nismës së kontributit për këtë zonë.

Fondacioni "Mirësia" në bashkëpunim me Fondacionin IHH në Turqi  kanë mundësuar këtë donacion modest por shumë kuptimplotë, për t’ju gjendur pranë këtyre banorëve të cilët me të vërtetë janë prekur nga tërmeti, mbi 40 persona kanë vdekur, me mijëra njerëz jetojnë nëpër çadra. Jemi pikërisht në një nga ato kampet, vendstrehimet ku kanë ngritur çadrat e banuara.

Zoti i shpërbleftë me të mira të gjithë njerëzit të cilët kanë kontribuar me ne, Zoti i nderoftë të gjithë donatorët dhe falënderojmë shumë popullin turk, Fondacionin IHH dhe të gjithë donatorët të cilët kanë ndihmuar për të sjellë ndihmat tek ne në Shqipëri...”.

***

-Albin Kurti zhvillon vizitën e parë në Tiranë si kryeministër i Republikës së Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi të martën e kësaj jave në Tiranë një vizitë zyrtare, e para pas marrjes së detyrës si kryeministër. Ai u prit me ceremoni shtetërore nga Kryeministri Edi Rama në Pallatin e Brigadave.

Pas një takimi në mes dy delegacioneve të qeverive, pati një konferencë të përbashkët për shtyp mes dy kryeministrave.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria mbështet Kosovën në të gjithë betejën për të çuar përpara procesin e njohjes dhe afirmimit të plotë përfundimtar si një shtet sovran e demokratik në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Rama tha se kanë rënë dakord të zhvillojnë në fund të muajit mars mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në qytetin e Shkodrës.

Kemi pasur me kryeministrin e Kosovës një komunikim të hapur, të rëndësishëm, intensiv për ku jemi dhe ku duam ti çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur një angazhim të plotë e gatishmëri të plotë reciprokisht të fillimit menjëherë të përgatitjeve për mbledhjen e dy qeverive”, deklaroi Rama. 

Një vakum mes dy mbledhjeve, vijoi Kryeministri Rama na imponon të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe në të gjitha hapësirat mes dy mbledhjeve do të ngrihet një komision ndërshtetëror me ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për të ndjekur ecurinë e vendimeve dhe marrëveshjeve të dala prej mbledhjeve.

Temë diskutimi mes kryeministrave Kurti dhe Rama ishte edhe minishengeni ballkanik. Rama vuri theksin në krijimin e një hapësire të përbashkët që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Kemi diskutuar edhe për procesin e Berlinit dhe do vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore në rajonin tonë. Bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve. Nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të njerëzve dhe më pas dhe të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore të heqim kufirin mes dy shteteve. Jemi 100% në mbështetje të Kosovës në gjithë betejën për të çuar përpara procesin për njohjen e plotë..”, deklaroi Rama.

Ndërsa kryeministri kosovar, Kurti shtoi se vendi i parë që vizitoi jashtë Prishtinës si kryeqytet ishte Prekazi i kryekomandantit Adem Jashari. Qyteti i parë që vizitoi jashtë Prishtinës ishte Mitrovica dhe shteti i parë patjetër që duhet të ishte Shqipëria.

“Ju falënderoj shumë edhe për mikpritjen edhe bisedën që kishim. Për mikpritjen e përzemërt dhe për bisedën konstruktive”, tha ai.

Kurti theksoi se “në dekadën e tretë të shekullit 21 të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë Shqipëri, çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona. Pra Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk janë çështje që presin në asnjë fushë. U dakordësuam që të formojmë një komision ndërshtetëror të përbërë edhe nga ministra edhe deputet që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani të zbatohen por edhe të  shtohen me marrëveshje të reja. Dua që ta shtojmë bashkëpunimin, bashkërendimin duke thelluar dhe duke e zgjeruar atë”, tha ai.

Kurti falënderoi Shqipërinë, popullin shqiptar për ndihmën dhe përkrahjen e pakursyer e të pa rezervë për Kosovën.

Kosova nuk do ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por ashtu as në paqe pa Shqipërinë. Prandaj ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21 të ecim bashkë, shpejt, fuqishëm. Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik të prodhimtarisë të arsimit të sigurisë e të politikës së jashtme, besoj se këto janë fushat në të cilat i kemi preokupime e njëjta dhe gjithashtu edhe partnerët dhe aleatët demokratikë të zhvilluar dhe perëndimorë. Besoj se do ta dëshmojmë se si dy kryeministra të dy shteteve tona do të avancojmë  bashkëpunimin tonë ndërshtetëror me përmasa çfarë i ka dëshiruar kombi ynë, por ende nuk i ka parë dhe këtë do ta ketë rastin pikërisht me ne”, tha kryeministri i ri i Kosovës.

Nga ana tjetër, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pasi e uroi për marrjen e detyrës së lartë të kryeministrit dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, të popullit të saj dhe të ardhmes së përbashkët evropiane, Meta i tha kryeministrit Kurti se “qeveria e tij i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë”.

Kreu i shtetit vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera e vëllazërore.

Presidenti Meta shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës do të vijojnë të përfaqësojnë interesin më të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Presidenti Meta inkurajoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe partnerët e tjerë, që kanë pasur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës.

Albin Kurti u takua gjithashtu me kryetarin e parlamentit, Gramoz Ruç, si dhe me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha në vizitën e tij të parë si kryeministër i Kosovës.

*** 

-Shkodra shpreh interes për të aplikuar në festivalin TEKNOFEST në Turqi

Festivali i Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë –TEKNOFEST në aplikimet e para të huaja nga vendet e Ballkanit, është përfshirë edhe qyteti i Shkodrës në Shqipëri.

Përfaqësues të institutit turk “Yunus Emre” Shkodër, pikërisht drejtori i tij, Zafer Kiyici u takua me Rektorin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Prof. dr. Adem Bekteshi, ku gjatë takimit u zhvillua promovimi i TEKNOFEST si dhe për të vlerësuar kushtet e aplikimeve që përfshijnë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme si dhe studentë të vendeve të rajonit.

Kiyici informoi Bekteshin për aplikimet që do të bëhen nëpërmjet Fondacionit T3, përfshijnë mbi 23 fusha të ndryshme ndërsa nxënësit aplikimet e të cilëve do të pranohen, do të shkojnë në Gaziantep, ku do të organizohet "TEKNOFEST"-i.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme