Ministri i Jashtëm turk viziton Shqipërinë

Të martën ministri i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu ka vizituar Universitetin “New York Tirana” të fondacionit turk “Maarif” dhe ka realizuar një takim në Tiranë me qytetarët turq dhe zyrtarët e institucioneve turke në Shqipëri.

1357686
Ministri i Jashtëm turk viziton Shqipërinë
Mevlüt Çavuşoğlu_Maarif Vakfı_Arnavutluk_New York Tirana üniversitesinde.jpg

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) ndodhet në Shqipëri në kuadër të vizitës së tij zyrtare.

Gjatë ditës së martë ministri Çavushollu vizitoi Universitetin “New York Tirana” të fondacionit turk “Maarif” dhe pati një takim në Tiranë me qytetarët turq dhe zyrtarët e institucioneve turke në Shqipëri.

Kryediplomati turk ishte pjesë e ceremonisë së hapjes së zyrës së re të Qendrës për Kërkime Ballkanike (Balkan Research Center-BRC), e cila do të funksionojë në kuadër të Universitetit “New York Tirana” (UNYT), ndërsa pjesë e ceremonisë ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të Fondacionit Turk “Maarif”, drejtues të universitetit, studiues dhe studentë.

Sipas njoftimit nga UNYT në fjalën e tij në ceremoni, ministri Çavushollu foli mbi përparësitë e politikës së jashtme turke, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit.

Qendra BRC synon të kontribuojë për bashkëpunimin përmes shkëmbimit të mendimeve akademike, hulumtimit dhe ekspertizës në fushën e kërkimeve në Ballkan. Gjithashtu kjo qendër në të ardhmen do të organizojë aktivitete të ndryshme duke përfshirë shkëmbimin e studentëve, leksione, seminare, simpoziume dhe tryeza diskutimi.

Ndërkohë, në një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, në lidhje me vizitën e ministrit Çavushollu në Shqipëri thuhet se "Me Shqipërinë vëllazërore do të diskutohen marrëdhëniet bilaterale si dhe mundësitë e bashkëpunimit. Do të ndahen përvojat mbi proceset e pranimit në BE, si dhe do të shkëmbehen pikëpamjet mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare".

Ministri Çavuşoğlu, gjatë ditës së sotme do të realizojë takime me zyrtarë të lartë të Shqipërisë, si me Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj dhe zyrtarë të tjerë. (Agjencia Anadolli - AA)



Lajme të ngjashme