Nënshkruhet marrëveshja për koalicionin qeverisës në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës në Kosovë.

1352177
Nënshkruhet marrëveshja për koalicionin qeverisës në Kosovë
Kosova'da yeni hükümet, Albin Kurti - Isa Mustafa.jpg
Albin Kurti_yeni hükümet.jpg
Hashim Thaçi-Albin Kurti görüşmesi.jpg
AAK_Ramush Haradinaj_PDK-Enver Hoxhaj.jpg
Vjosa Osmani_Kosova_LDK parti bşk.yrd.jpg
Kosova LDK_isa mustafa_MYK toplantısı.jpg
Goran Rakiq_Lista Serbe.jpg

Nënshkruhet marrëveshja për koalicionin qeverisës në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës në Kosovë. Marrëveshja është nënshkruar nga kryetarët e partive në fjalë, Albin Kurti  dhe Isa Mustafa. Dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan për arritjen e marrëveshjes dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re.

*

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se qeveria do të këtë 15 ministri dhe 33 zëvendësministra. Kurti ka bërë të ditur se LDK-së i takojnë 6 ministri dhe krye-parlamentari, ndërsa Vetëvendosje do të këtë kryeministrin dhe po ashtu 6 ministri. Tri ministri do t’u takojnë komuniteteve.
“Nga 21 ministri që kishim në qeverinë e kaluar, tash do ti kemi vetëm 15 dhe nga mbi 80 zëvendësministra do të bie në rreth 33. Kjo tregon që qeveria jonë e përbashkët ende pa ia nisur punës ka bërë një ndryshim të madh, sepse është qeveria më e vogël në shtetin e pavarur të Kosovës, gjithsesi për ta forcuar republikën tonë si asnjëherë më parë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se të hënën përsëri do të takohen me Mustafën, për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë të jetësohet ndryshimi  madh politik i 6 tetorit. Kurti ka folur edhe për pozitën e krye-parlamentarit.

“Nuk do të jap dorëheqje kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ai do të vij në ekzekutiv, dhe tjetra është që, është e vërtetë se ka një lloj zgjatje për shkak të interesimit të madh, dhe interesimi është i madh sepse nevojat e qytetarëve janë të mëdha. Ne duam të bëjmë një reformë që është e 5-fishtë, në ekonomi, arsim, shëndetësi, siguri i drejtësi”, tha Kurti.

E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se dy partitë dëshirojnë që qeveria të jetë e suksesshme, dhe siç u shpreh ai, të realizojë pritjet e qytetarëve.

“Vlerësoj se marrëveshja është rezultat i një mirëkuptimi dhe i një pune të përbashkët, mjaft të gjatë me liderin e LVV, Albin Kurti, por edhe me bashkëpunëtorët e tij. Kemi hulumtuar të gjitha alternativat, të gjitha mundësitë. Kemi ardhur bashkë në një zgjidhje të cilin e vlerësojmë që është zgjidhje në interes të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

E pas nënshkrimit të marrëveshjes, mandatari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim në Facebook, ka uruar qytetarët për arritjen e marrëveshjes.

*

Të hënën seanca ku votohet qeveria Kurti 

Të hënën më tre shkurt mbahet Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku mandatari për kryeministër, Albin Kurti, do ta paraqes kabinetin e ri qeverisës, e cila pastaj, sipas procedurave, votohet nga deputetët.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave, 61 e mbi, të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në numrin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, shumica prej 61 votave është e pritshme të arrihet, pasi Vetëvendosje ka 29, kurse LDK 28 ulëse në Kuvend. Këtij numri i shtohen edhe votat e komuniteteve pakicë, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë po ashtu.

Në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

*

Për presidentin vendoset më vonë

Çështja e presidentit nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, tha lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

“Do të jetë çështje për të cilën do të dakordohemi unë dhe Kurti si lider politik dhe do ta zgjedhim edhe atë çështje në kohën që është e domosdoshme”, tha Mustafa.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka miratuar marrëveshjen e koalicionit me Vetëvendosjen, ndërkaq partia e Albin Kurtit ka ftuar anëtarësinë e saj që të votojë për këtë marrëveshje.

*

Lista serbe nuk e përkrahë qeverinë e re, por merë pjesë në institucione

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka deklaruar të dielën në Beograd pas konsultimeve me Qeverinë e Serbisë së subjekti politik që ai përfaqëson është ftuar vetëm njëherë në konsultime për Qeverinë e re të Kosovës.

“Kemi mësuar nga mediat se është arritur njëfarë koalicioni dhe kemi vendosur të mos e përkrahim atë qeveri ngase i besojmë vetëm Beogradit”, ka thënë ai, pas takimit me kryeministren serbe Ana Bërnabiq dhe shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

E Gjuriq tha se Lista Serbe do të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, pavarësisht se nuk do ta mbështesë qeverinë.

Se nuk do të mbëhstetet qeveria nga lista serbe e ka konfirmuar edhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabic.

“Lista Serbe, e cila fitoi 10 nga 10 vendet e parapara për komunitetin serb, ka vendosur të mos e mbështesë formimin e kësaj Qeverie”, tha Bërnabiq në Beograd.

Ajo deklaroi se serbët në Kosovë janë më të fortë se kurrë më parë sepse ato janë unike sot.

*

Deputetët e komuniteteve jo-serbe i kërkojnë Kurtit dy ministri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar të dielën me disa deputetë të pakicave joserbe në qytetin e Prizrenit, të cilët i kanë kërkuar t’i kenë dy ministri, prej tri sa janë ndarë për komunitetet.

Ky takim u mbajt pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes LVV dhe LDK, me qëllim që edhe partitë e komuniteteve të marrin pjesë në qeveri dhe ta japin kontributin e tyre edhe në Kuvendin e Kosovës.

Kurti për KosovaPress tha se këto takime po mbahen me qëllim të grumbullimit të sa më shumë votave për qeverinë e re.

“Në bazë të obligimit Kushtetues, për shkak se do të jenë gjithsej 15 ministri, tri do t’i takojnë pakicave”, u shpreh Kurti.

Deputeti nga grupi parlamentar 6 plus, Fikrim Damka, tha se gjatë takimit kanë parashtruar kërkesat e tyre.

Damka tha se si grup multietnik i 6 plusit, edhe pse do të kenë më së paku ministri, do të japin përkrahje dhe kontribut të madh në shtet-formim.

E deputeti nga grupi 6 plus, Rasim Demiri, i cili po ashtu ishte prezent në takim, tha se nuk është pjesë e gjashtë plusit, e që arsyet nuk deshi t’i bëjë publike.

Demiri tha se në këtë takim i kanë dhënë kërkesat e tyre kryeministrit të ardhshëm dhe shpreson që ato të realizohen.

*

AAK-ja ashtu si edhe PDK-ja, nuk e votojnë qeverinë Kurti 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur marrëveshjen që u nënshkrua mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, nga ana tjetër pohoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do ta votojë qeverinë Kurti.

“Kosova është dashur të ketë qeveri pas 6 tetorit. Kanë qenë të paarsyeshme vonesat për mosarritjen e marrëveshjes. Është dashur prej kohësh që për ministritë të thonë se janë 15 ministri dhe jo të proklamojnë se janë 12”, citohet të ketë thënë Haradinaj, sipas një postimi të Grupit Parlamentar të AAK-së në Facebook.

Edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia e tij do të mbetet në opozitë dhe se nuk do ta votojë një qeveri e cila formohet prej partive tjera.

*

Rama uron bashkëpunim me qeverinë Kurti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka uruar suksese Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së në formimin e qeverisë. Rama ka uruar që të kenë bashkëpunim të dobishëm për shqiptarët në të dy anët e kufirit.

“Pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë”, ka shkruar Rama në Tëitter.

*

Zbulohen emrat e ministrave të LVV-së në qeverinë Kurti 

Janë bërë të ditur emrat e ministrave nga Lëvizja Vetëvendosje që do të jenë nën udhëheqjen e kryeministrit, Albin Kurti.

Vetëvendosje do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Drejtësisë, të Financave, të Ekonomisë, të Shëndetësisë si dhe atë të Integrimeve Evropiane.

Ministria e Punëve të Jashtme, pritet të udhëhiqet nga Glauk Konjufca

Ministria e Drejtësisë, nga Albulena Haxhiu

Ministria e Financave, nga Besnik Bislimi

Ministria e Ekonomisë, nga Rozeta Hajdari

Ministria e Shëndetësisë, nga Arben Vitia

Ministria e Integrimeve Evropiane, nga Blerim Reka

Zëvendës-ryeministër Haki Abazi.

*

Edhe LDK publikon emrat e ministrave

Edhe kryesia e LDK-së ka miratuar listën me gjashtë ministrat e kësaj partie që do të jenë pjesë e qeverisë Kurti.

Agim Veliu –  Ministër i Brendshëm

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

Lumir Abdixhiku – Ministër për Infrastrukturë

Hykmete Bajrami –  Ministre për Arsim

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë

Vlora Dumoshi- Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport

Ndërsa zëvendëskryeministër do të jetë Avdullah Hoti.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu i cili është propozuar si ministër i brendshëm, duhet të japë dorëheqje, me cka hapet rruga për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës. Sipas ligjit, në momentin që e pranon pozitën e ministrit, Veliu duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Podujevës dhe ky qytet brenda 45 ditësh mban zgjedhjet e reja për kryetar të ri.

*

Anëtarësia e Vetëvendosjes, pro marrëveshjes me LDK-në 

Në referendumin e mbajtur të dielën, 95.99 % e anëtarësisë së LVV’së ka votuar pro marrëveshjes me LDK’në për koalicionin qeveritar. Në referendumin brenda anëtarësisë së partisë, është votuar nëse anëtarët e LVV’së e përkrahin ose jo marrëveshjen për formimin e Qeverisë me LDK’në.

Partia e Kurtit përmes një njoftimin në Facebook ka publikuar të plotë rezultatin e referendumit.

Kundër marrëveshjes kanë votuar 3.64%.

“Ky rezultat dëshmon për vullnetin e madh e të palëkundur drejt ndryshimeve të domosdoshme në qeverisjen e vendit, në përputhje me besimin e dhënë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

*

Vjosa Osmani thotë se asnjë lindje nuk është e lehtë

Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, është deklaruar pas raportimeve se nuk po e pranonte pozitën e krye-parlamentares dhe se dëshiron të jetë deputete.

Ajo shkruan se është angazhuar që nga fillimi për ta arritur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se nuk ka rrjedhur gjithçka sic është paramenduar.

“Ngjarjet që rrjedhin jo gjithmonë janë pikërisht sic i kemi paramenduar. Por, sido që të jetë, asnjë lindje nuk është e lehtë. Këtë e dimë më së miri ne që jemi nëna. Nuk është e lehtë as lindja e ndryshimit”, ka shkruar ajo.

Megjithatë Osmani ka thënë se të hënën do të merren përgjegjësitë e reja, e do të krijohen institucionet.

“Shumë mund e përpjekje u bënë për të na ndalur e përçarë. Por shumë më i madh ishte vullneti ynë për të jetësuar kërkesën për ndryshim. Dhe tani, ua kemi borxh qytetarëve, e të gjithë atyre që nuk hoqën dorë nga besimi në ne, që fjalën e dhënë ta jetësojmë deri në fund. Të hënën do t’i themelojmë institucionet e reja. Do t’i marrim përgjegjësitë e reja. Nuk ka asgjë që na ndalë”, ka shkruar Osmani.



Lajme të ngjashme