Kosovë – Albin Kurti dhe Isa Mustafa nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje VV-LDK

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë përmbyllur të dielën përpjekjen për një marrëveshje bashkëqeverisjeje pas një maratone takimesh e bisedimesh gati 4-mujore.

1351599
Kosovë – Albin Kurti dhe Isa Mustafa nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje VV-LDK

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një konference për media nga krerët e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, në Kuvendin e Kosovës.

Albin Kurti, kryetar i VV-së, tha se marrëveshja tashmë është nënshkruar dhe se janë marrë vesh me partnerin e koalicionit (LDK-në).

“Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha, përveçse për harmonizimin e programit dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re ku ne do të bashkëqeverisim”, tha Kurti.

Edhe pse VV-ja planifikonte të kishte 12 ministri në fillim të bisedimeve me LDK-në, Kurti tha në konferencë për shtyp se kanë vendosur të kenë 15 ministri; kjo për shkak se shndërrimi i 21 ministrive në 12 do të merrte rreth 1 vit kohë më shumë.

“Jemi dakorduar që në qeverinë e ardhshme të kemi 15 ministri gjithsej, të kemi 2 zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku rreth 33 zëvendësministra. Pra, nga 21 ministri sa kishim në qeverinë paraprake, do të kemi vetëm 15 dhe nga mbi 80 zëvendësministra, do të bien në rreth 33. Kjo do të thotë që qeveria e ardhshme ende pa filluar punë ka bërë një ndryshim të madh, sepse është qeveria më e vogël në shtetin e pavarur të Kosovës”, tha Kurti.

Ai shtoi se i zgjedhuri për kryetar të Kuvendit nga VV-ja, Glauk Konjufca, do të jetë pjesë e ekzekutivit, ndërsa VV-ja do të propozojë emrin e një kandidati nga LDK-ja për t’u votuar si kryeparlamentar.

Ndërsa kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se vlerëson që marrëveshja e arritur me VV-në “është marrëveshje e mirë në dobi të Kosovës dhe në interes të ndryshimeve që domosdoshmërish duhet të ndodhin në vend”.

Mustafa tha se marrëveshja është rezultat i mirëkuptimit dhe punës së përbashkët VV-LDK.

“Sa i përket presidentit, ne jemi marrë vesh që ajo të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar. Do të jetë një çështje për të cilën do të akordohemi unë dhe Kurti si liderë politikë. Dhe do ta zgjidhim edhe atë çështje në kohën që është e domosdoshme që të zgjidhet”, tha Mustafa, i cili shtoi se në lidhje me kryetarin e Kuvendit do të diskutojnë sot në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së.

Më 26 dhjetor 2019, Vetëvendosja propozoi Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit, ndërsa LDK-ja e votoi atë pa ndonjë kusht, gjë që mundësoi zgjedhjen e tij kryetar, por “prishi” marrëveshjen e mëhershme VV-LDK që kryetari i Kuvendit t’i takojë LDK-së.

Që nga ajo kohë, LDK-ja ka insistuar që kryetarin e Kuvendit ta marrë ajo, ndërsa gjithashtu t’i jepet përkrahje edhe në zgjedhjen e presidentit nga LDK-ja kur të përfundojë mandati i presidentit aktual.

Më 20 janar, Albin Kurti është propozuar si mandatar nga Presidenti Thaçi, ndërsa me kushtetutë, 4 shkurti është dita finale kur ai duhet t’i ketë votat e mjaftueshme në Kuvend për themelimin e qeverisë së re.

Megjithatë, në një mbledhje të kryesisë së Kuvendit të Kosovës të premten, seanca parlamentare për votimin e qeverisë së re u caktua të hënën në orën 11:00, kur edhe pritet që Vetëvendosja të formojë qeverinë e re të Kosovës në partneritet me LDK-në. / AA



Lajme të ngjashme