Zakharieva: Bullgaria çmon kontributin e Turqisë në luftën kundër emigracionit të parregullt

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva, deklaroi të enjten se Turqia po luan një rol të jashtëzakonshëm për të mbajtur nën kontroll emigracionin drejt shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

1350489
Zakharieva: Bullgaria çmon kontributin e Turqisë në luftën kundër emigracionit të parregullt

“Bullgaria vlerëson lart kontributin e Turqisë në luftën kundër emigracionit të parregullt. Turqia po tregon një përgjegjësi dhe solidarësi maksimale në lidhje me këtë çështje. Falë bashkëpunimit të mirë ndërmjet nesh, presioni i emigracionit në kufirin turko-bullgar ka rënë në zero”, tha Zakharieva gjatë një prononcimi përpara vizitës në vendin e saj të ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu.

Ajo nënvizoi se bashkëpunimi i shëndoshë, i qëndrueshëm dhe në rritje ndërmjet dy shteteve vijon normalisht.

“Partneriteti ynë me Turqinë bazohet në themelet e fqinjësisë së mirë, respektit të ndërsjellë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Turqia, aleate e jona në NATO, është fqinji ynë me të cilin bashkëpunojmë në fusha të shumta që sigurojnë interesa reciproke, siç janë emigracioni, lufta kundër terrorizmit, ekonomia, energjia dhe bujqësia”, u shpreh kryediplomatja bullgare.

Sipas saj, vizita që ministri Çavusoglu do të realizojë më 30-31 janar në Bullgari, është një shans i rëndësishëm për të vlerësuar me hollësi marrëdhëniet dypalëshe.

“Gjatë vizitës do të merren në shqyrtim të gjitha çështjet. Ne besojmë që dialogu politik aktiv ka efekt edhe mbi marrëdhëniet tona ekonomiko-tregtare duke i shërbyer vazhdimit të raporteve që do të sigurojnë stabilitet, siguri dhe mirëqenie për popujt e të dyja vendeve. Diplomacia ka rëndësi kyçe në këtë aspekt”, shtoi Zakharieva.

Pasi rikujtoi gjithashtu se vëllimi tregtar ndërmjet dy shteteve, aktualisht në nivelin e pak më shumë se 3 miliardë dollarëve, po shënon një rritje të vazhdueshme; ministrja e Jashtme bullgare vuri në pah se gjatë vitit të fundit mbi 600 mijë turistë turq kanë vizituar vendin e saj dhe 1 milion e 360 mijë qytetarë të Bullgarisë kanë shkuar për turizëm në Turqi.

Shefja e diplomacisë bullgare theksoi edhe se Sofja zyrtare mbështet liberalizimin e vizave për udhëtimet e shtetasve turq drejt shteteve anëtare të BE-së.

“Ndryshimi i rregullave të BE-së për vizat do të hyjë në fuqi duke filluar nga muaji shkurt 2020. Sipas këtyre rregullave, fëmijët turq deri në 12 vjeç nuk do të paguajnë më tarifën e vizës”, sqaroi Zakharieva.



Lajme të ngjashme