Thellohen marrëdhëniet Mali i Zi – Turqi

Mali i Zi do të përfaqësohet nga Turqia në 23 shtete në Azi dhe Afrikë ku nuk ka përfaqësi diplomatike.

1349773
Thellohen marrëdhëniet Mali i Zi – Turqi

Ambasadat e Turqisë në 23 shtete të Azisë dhe Afrikës do të përfaqësojnë edhe shtetasit e Malit të Zi

Me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Turqisë për ofrimin e mbrojtjes konsullore shtetasve të Malit të Zi që e miratoi qeveria, parashihet prezantimi i përfaqësive konsullore diplomatike turke në gjithsej 23 shtete te Afrikës dhe të Azisë. Marrëveshja parasheh që përfaqësitë diplomatike turke t’u ofrojnë mbrojtje shtetasve të Malit të Zi në Mbretërinë e Bahrejnit, në Republikën e Beninit, Botsvanë, Burkina-Faso, Kamerun, Mbretërinë e Kamboxhias, Çad, Kongo, Bregun e Fildishtë dhe vende të tjera ku Mali i Zi nuk ka seli diplomatike. Me marrëveshje precizohet po ashtu që përfaqësimi konsiston në raste urgjente të nevojave konsullore siç janë: burgosjet, ndalimet, paraburgimet si dhe dhënia e dokumenteve për kthim në atdhe në rast të humbjes së dokumenteve, vjedhjes ose dëmtimit të tyre. Po ashtu kjo marrëveshje parasheh dhe ofrimin e ndihmës financiare me pëlqimin e organeve kompetente në Mal të Zi. Komunikimi thuhet se do të zhvillohet nëpërmjet ambasadës së Turqisë në Podgoricë.

Telegrame ngushëllimi për viktimat e tërmetit në Turqi

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq i ka dërguar telegram ngushëllimi Presidentit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan me rastin e tërmetit katastrofal që goditi viset lindore të Republikës së Turqisë. Ai në emër të qytetareve dhe në emrin e tij personal u shpreh se Mali i Zi ndan dhembjen dhe trishtimin me popullin mik të Turqisë dhe shpreh besimin që sa më parë të tejkalohet kjo situate e vështirë dhe të sanohen pasojat e tërmetit. Autoritetet turke i kanë ngushëlluar edhe Kryeparlamentari Ivan Brajeviq, i cili i ka dërguar telegram homologut të tij turk, Mustafa Shentop. Të njëjtën gjë ka bërë edhe nënkryetari i qeverisë Rafet Husoviq, ndërkaq ministri i Brendshëm, Mevludin Nuhoxhiq ka thënë se Mali i Zi është i gatshëm që të dërgoj ndihma dhe përkrahje popullit turk të goditur nga tërmeti. Kryetari i Ulqinit, Loro Nrekiqi ka dërguar telegram ngushëllimi Ambasadores së Republikës së Turqisë në Podgoricë Songul Ozan për viktimat e tërmetit tragjik. Në telegram thuhet se ndjejnë shqetësim dhe dhimbje për viktimat në njerëz, ju shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të të dashurve të tyre, të gjithë popullit turk duke u lutur që të mos ketë të tjera humbje jetësh. Të gjithë të lënduarve nga kjo fatkeqësi natyrore ju uroj shërim sa më të shpejtë. Në këto momente tepër të vështira, ne jemi pranë jush thuhet në telegram. Ngushëllime ambasadores së Turqisë në Podgoricë i ka dërguar edhe lideri i Forcës së re Demokratike, Nazif Cungu.

Kryeministri malazez i ofron bisedime Kishës Ortodokse Serbe. Markoviq, ka ftuar mitropolitin Amfillohije në dialog

Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq, i ka dërguar ftesë mitropolitit të kishës serbe ortodokse Amfillohije, për dialog, është kumtuar nga qeveria. “Është koha dhe rasti i duhur që edhe më fuqishëm ti kushtohemi harmonisë dhe ndërtimit të mirëbesimit, në veçanti brenda konfesionit ortodoksë, numerikisht më i madhi”. Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me mitropolitin Amfilohije të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, në lidhje me Ligjin për liritë fetare. Amfilohije e kundërshton ashpër këtë ligj, duke thënë se me të, shteti malazez do të konfiskojë pronën e Kishës. Markoviq tha se nuk do ta tërheqë ligjin dhe se opsioni i vetëm për Kishën do të jetë sfida në Gjykatën Kushtetuese. Me ligjin e ri, të miratuar në Parlamentin malazez në fund të dhjetorit, komunitetet fetare duhet të dëshmojnë pronësinë mbi pasurinë para vitit 1918 – në të kundërtën, asetet do të konsiderohen pronë e shtetit. Mali i Zi, me shumicë të krishterë ortodokse, iu bashkua Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve në vitin 1918 dhe Kisha Ortodokse Malazeze u përvetësua nga Kisha Ortodokse Serbe dhe humbi gjithë pronën e saj. Kisha Ortodokse Serbe, mbështetësit e saj dhe opozita pro-serbe e Malit të Zi druajnë se ligji i ri do t’i mundësojë qeverisë malazeze të konfiskojë pronën e Kishës, edhe pse autoritetet e mohojnë një synim të tillë. Duke i komentuar protestat e shpeshta kundër ligjit, të organizuara nga Kisha Ortodokse Serbe në të gjithë Malin e Zi, Markoviq tha se ato janë shndërruar në një përballje me institucionet e shtetit malazez. “Këto sulme dhe propaganda të papara po kryhen jo vetëm nga aktorët brenda vendit, por edhe nga aktorët më drastikë dhe brutalë të Serbisë fqinje”, tha Markoviq. Ai shtoi se marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Serbisë janë në nivelin më të keq të mundshëm që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi, më 2006.

Gjukanoviqi: Nacionalizmi i madh serb vazhdon të ëndërrojë për ta bërë Serbinë e Madhe

Në reagimin e tij të radhës ndaj kishës serbe ortodokse në Mal të Zi, por dhe politikës serbe të Beogradit, Presidenti malazez Milo Gjukanoviç tha se që prej viteve ’90 ka ekzistuar ideja e Serbisë së Madhe, e cila vijon të jetë ende aktive. Sipas tij, Beogradi vazhdon të jetë një kërcënim për popujt në rajon. “Nacionalizmi i madh serb kurrë nuk u pajtua me pavarësinë e Malit të Zi dhe vazhdon të ëndërrojë për të rikthyer për ta bërë Serbinë e Madhe, ndërsa Shqipërinë, Kroacinë dhe pjesën tjetër që të zhduket”, tha Gjukanoviç. “Ky është afërsisht plani që ka ekzistuar gjithmonë në vitet 1990 dhe i ka kushtuar rajonit tonë një numër të madh viktimash. Pra, s’mund të ketë as Serbi të Madhe, as Shqipëri të Madhe, në të kundërt mund të ketë vetëm një tragjedi të madhe. Dhe në vend që t’i mësojmë prej atyre përvojave të hidhura në vitet 1990, në vend që të hiqet dorë, siç po shohim, rreth 30 vjet pas, idetë e vjetra po kthehen në tryezë, dhe pjesë integrale e këtyre ideve është nacionalizmi i madh serb, i cili duke përdorur (Kishën Ortodokse Serbe), përpiqet të vazhdojë të përfaqësojë Malin e Zi, të ndikojë në jetën në Mal të Zi si në jetën e një shteti tjetër ”, ka thënë Gjukanoviç. “Është diçka për të cilën ne nuk pajtohemi dhe që duhet të tregojmë një rezistencë shumë e palëkundur dhe të fortë ndaj saj. Është diçka që nuk do të lejojmë kurrë të ndodhë në Mal të Zi”, përfundoi Gjukanoviç. Këto komente të Presidnetit të Malit të Zi Milo Gjukanvoiq janë nën frymën e një acarimi në raportet mes dy vendeve, ku si shkak është bërë Ligji për Fenë, të cilin Kisha Ortodokse Serbe, por dhe Beogradi, e shohin si kërcënim ndaj bashkësisë fetare serbe në Mal të Zi.

Nga anëtarët e NATO-s janë grumbulluar 1,3 miliardë euro

Prej anëtarësimit të Malit të Zi në NATO deri në fund të vitit 2019, investimet e përgjithshme në Mal të Zi, nga anëtarët e NATO-s kanë qenë 1 miliardë e 300 milion euro, ka theksuar guvernatori i Bankës qendrore të Malit të Zi, Radoje Zhugiq. Aika theksuar se vetëm për 11 muaj të vitit të kaluar, investimet e jashtme nga vendet anëtare të NATO-s, kanë qenë 248.4 milionë euro. “Ndikimi i NATO- s ndoshta është më i madh në degën tonë kryesore të ekonomisë, në turizëm, i cili është gjenerator i rritjes së ekonomisë malazeze. Prej anëtarësimit të Malit të Zi, në NATO deri në fund të vitit 2018, Gjermania, Holanda dhe Turqia, kanë shënuar rritje mbi 50% dhe këtu bënë pjesë edhe Britania e Madhe”, ka theksuar, Zhugiq. Vendet skandinave brenda rreth 2 viteve, për të njëjtën periudhë kanë shënuar rritje 120%, kur është fjala për qarkullimin në turizëm, ka shtuar ai. “Gjatë 10 muajve të vitit të kaluar në bazë të anëtarësimit në NATO, kemi pasur të ardhura 1 miliardë e 52 milion euro, kurse në vitin 2016 këto të ardhura kanë qenë 850 milion euro, ka theksuar Zhugiq.

Autor: Vera Alibegu Katana



Lajme të ngjashme