Shqipëri - Përkujtohet 100-vjetori i Kongresit të Lushnjës

Më 21 janar u bënë 100 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920, datë që shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.

Shqipëri - Përkujtohet 100-vjetori i Kongresit të Lushnjës
Arnavut parlamentarizmi_100 yaşında_7.jpg
Arnavut parlamentarizmi_100 yaşında_2.jpg
Arnavut parlamentarizmi_100 yaşında_6.jpg
Arnavut parlamentarizmi_100 yaşında_5_Gramoz Ruçi.jpg
Arnavut parlamentarizmi_100 yaşında_4_Vasilika Hysi.jpg
Güneydoğu Avrupa AB Entegrasyon Meclis Komisyonların Toplantısı_1.jpg
Güneydoğu Avrupa AB Entegrasyon Meclis Komisyonların Toplantısı_2.jpg
Arnavutluk Başbakanı_Edi Rama_bayrak.jpg
Kosova_Priştine havalimanı uçuş iptal.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (4/2020)

-Shqipëri: Përkujtohet 100-vjetori i Kongresi të Lushnjës

Më 21 janar shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920. Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi e ka cilësuar si një ditë reflektimi 21 janarin ku në këtë datë shënohet 100-vjetori i Kongresit të Lushnjës, që është edhe 100-vjetori i Kuvendit në Shqipëri.

 “...Kjo është një datë kur shqiptarët të gjithë duhet të ndjehemi krenarë për të gjithë ato vendime që ka marrë Kongresi i Lushnjës për fuqizimin e shtetit, Pavarësisë dhe mbrojtjen e territoreve”.

Në fjalën e saj, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi tha gjithashtu se ekspozita e ngritur për këtë datë të madhe historike është pjesë e një liste të tërë veprimtarish që Kuvendi i Shqipërisë po organizon në kuadër të 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar.

-“Kjo ekspozitë na sjell në kujtesën tonë episode të rëndësishme të historisë 100 vjeçare të parlamentarizmit shqiptarë. Parlamentarizmi shqiptar filloi me Kongresin e Lushnjës, i cili përmbylli periudhën e shtetformimit si dhe vendosi arkitekturën institucionale të shtetit të pavarur shqiptar. Kongresi shprehu vullnetin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për moslejimin e copëtimit tjetër të trojeve të tyre nga Konferenca e Paqes në Paris”, tha Hysi. 

Sipas saj, Kongresi i Lushnjës nisi konsolidimin e Shqipërisë së pavarurparlamentare, çka u mishërua me krijimin e Këshillit të Lartë, Senatit, qeverisë, statutit të shtetit dhe caktimin e Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë.

-“Fillimi i veprimtarisë së institucioneve parlamentare filloi në rilindjen e ndërgjegjes politike, unifikimin e territorit të shtetit, ndërtimin e administratës shqiptare dhe pjekurinë e shqiptarëve si qytetarë të një shtetit të ri. Veprimtaristë parlamentarë kanë pasur uljet dhe ngritjet e tyre”, deklaroi Hysi.

Ndërsa, historiani dhe politikani Paskal Milo në një prononcim mediatik u shpreh: “...kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme historike, madje pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 1912, kjo është ngjarja më madhore dhe më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Është e tillë për shkak se në rrethanat ndërkombëtare që u krijuan në përfundim të Luftës së Parë Botërore dhe pas Konferencës së Paqes së Parisit që e shoqëroi atë Shqipëria u rrezikua të copëtohej nga projektet që u shfaqën në këtë Konferencë në favor të vendeve fqinje. Dhe ka qenë pikërisht Kongresi i Lushnjës, i thirrur me urgjencë nga nevoja kombëtare që ishte faktori kryesor i brendshëm që e ndali copëtimin e Shqipërisë dhe që riformatoi shtetin shqiptar në kushte të reja. Rikrijoi institucionet shqiptare, shtetërore dhe qeverisëse të Shqipërisë...”.

 Më tej, Milo kërkoi që nga kjo datë e shënuar në historinë shqiptare të ketë reflektim nga institucioni i Kuvendit të Shqipërisë."...le të shpresojmë që parlamentarizmi shqiptar në 100-vjetorin e tij do të ketë momente të reja reflektimi që do ta bëjnë këtë institucion, gjithnjë e më përfaqësues. Një përfaqësim që duhet të jetë i drejtpërdrejtë, të shprehë vullnetin real të shqiptarëve, por në të njëjtën kohë të ketë dhe kapacitetin, aftësinë që të miratojë projektligje në shërbim të vendit, prosperitetit, por edhe të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Milo. 

Në këtë veprimtari, morën pjesë ish-drejtues të Kuvendit, të grupeve parlamentare dhe të qeverive të Shqipërisë, deputetë dhe ish-deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtues e përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të qeverisjes vendore dhe institucioneve kushtetuese, akademikë e historianë nga Shqipëria, Kosova e SHBA, përfaqësues të medies etj.

Në kuadër të 100-vjetorit të parlamentarizmit, në mjediset e Pallatit të Kongreseve ku u hap ekspozita që do të qëndrojë e hapur për disa ditë u zhvillua edhe Konferenca Shkencore kushtuar 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, ku i pranishëm ishte dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. 

***

-Rama nis vizitën e parë në Ukrainë në cilësinë e kryetarit të OSBE-së

Në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Kiev, Ukrainë.

Kryeministri Rama e nisi agjendën e takimeve në Kiev, me takimin me ministrin e Punëve të Jashtme, Vadym Prystaiko.

Rama së bashkë me delegacionin që e shoqëroi u prit në një takim nga ministri Prystaiko në Ministrinë e Jashtme të Ukrainës. Në këtë vizitë, Rama shoqërohej nga delegacioni dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Kiev, Ukrainë: Ditë takimesh me autoritetet e larta të vendit në cilësinë e Kryetarit në Detyrë të OSBE – Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me ministrin Vadym Prystaiko”, tha Rama.

Agjenda e takimeve të kryeministrit Edi Rama në Kiev përfshiu edhe takime me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministrin Oleksiy Honcharuk dhe kryetarin e Parlamentit, Dmytro Razumkov.

Pas takimeve Rama pati një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës.

Shqipëria ka presidencën e OSBE-së për vitin 2020. Adresimi i krizës në Ukrainë është shpallur si një ndër prioritetet e Presidencës shqiptare të OSBE-së.

*** 

-Ruçi: Mjaft vende të rajonit janë anëtare të NATO-s, por nuk kanë ende një perspektivë të qartë drejt BE-së.

Në Tiranë u zhvillua konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian të shteteve të Evropës Juglindore.

Në Konferencën e 16-të të këtyre komisioneve të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore morën pjesë përfaqësues të parlamenteve nga vendet e Evropës Juglindore, ndërsa fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Në fjalën e tij, Ruçi tha se kjo konferencë do të diskutojë disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, të cilat zhvillohen e mbështeten nga Procesi i Berlinit, lidhshmëria, transporti, lëvizja e studentëve dhe njohja e diplomave.

Të gjitha këto aspekte janë thelbësore për zhvillimin, bashkëpunimin dhe kohezionin rajonal. Nëpërmjet tyre, vendet tona do të mundësojnë fuqizimin e ekonomive dhe shoqërive të tyre, për të ndërtuar një rajon me zhvillim, mirëqenie, paqe, stabilitet, siguri e qarkullim të lirë të ideve, mallrave, kapitaleve, shërbimeve e qytetarëve. Me qëllim që të ndërtojmë një rajon paqësor, produktiv e konkurrues, që shfrytëzon në mënyrë racionale e të qëndrueshme burimet dhe pasuritë tona dhe i përkthen ato në mirëqenie për qytetarët”, tha Ruçi.

Duke folur për rëndësinë e konferencës, kryeparlamentari Ruçi theksoi se çështjet që do të diskutohen në këtë takim nxisin jo vetëm bashkëpunimin rajonal, por edhe bashkëpunimin e rajonit tonë me pjesën tjetër të kontinentit dhe na afrojnë më shumë me familjen evropiane.

“Mjaft vende të rajonit janë anëtare të NATO-s, por nuk kanë ende një perspektivë të qartë drejt BE-së. Serbia dhe Mali i Zi kanë çelur negociatat, por janë në vendnumëro. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u refuzuan pa të drejtë dhe pa e merituar nga ky proces në mbledhjen e Këshillit Europian të 17-18 tetorit. Ndërsa Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina kanë një perspektivë edhe më të paqartë. Kjo pozitë asimetrike midis integrimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Evropian dëmton jo vetëm vendet e rajonit, por edhe vetë Bashkimin Evropian”, theksoi Ruçi.

Kryeparlamentari i Shqipërisë tha më tej se “Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e influencave të qytetërimit perëndimor dhe atyre joperëndimore. Qëndrimet e dyzuara të vendeve skeptike dhe imponimi i tyre ndaj Këshillit Europian, natyrshëm lëshojnë terren për influencat joperëndimore”, tha Ruçi.

Ndërsa, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luiggi Soreca, u shpreh se perspektiva evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor mbetet në pjesën kryesore të agjendës së vetë Bashkimit Evropian. Ai ritheksoi shpresën dhe optimizmin e shprehur nga presidentja e Komisionit Evropian, Van der Leyen, për ecurinë e mbledhjes së Këshillit Evropian në mars të këtij viti. Soreca theksoi se një metodologji e re e zgjerimit po përpunohet në bazë të propozimit të bërë nga vetë Komisioni Evropian. Mbetet, në këtë drejtim sipas tij, më shumë punë për t’u bërë si nga PE, ashtu edhe nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, përfaqësues nga komisionet parlamentare për integrimin evropian nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

*** 

-Kryeministri i Shqipërisë përshëndet linjën ajrore Kosovë-Serbi

Përmes një postimi në Twitter, duke cituar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, i cili deklaroi se kjo marrëveshje është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”, kreu i qeverisë shqiptare, Rama tha se ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajë në atë rrugë.

 “Shumë mirë bëri edhe Ramushi që e përshëndeti këtë hap”, shkruan Rama, duke  shtuar se “Paqja është tejet e vështirë, por në asnjë rast ajo nuk fitohet me mjetet e luftës dhe popullariteti i përkohshëm që sjellin nganjëherë ato mjete, nuk i sjell asnjë hajër popullit e vendit”, përfundon Rama.

Përmendim se Kosova e Serbia janë pajtuar t’i nisin procedurat për një linjë direkte fluturimi mes dy shteteve në mënyrë të hapet korridori ajror, të cilin Serbia e ka penguar që nga paslufta.

Megjithëkëtë, kjo është kushtëzuar nga Beogradi me heqjen e taksës, kurse delegacioni i Kosovës ka treguar se linja mund të jetësohet vetëm pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s, e cila ka kujtuar se ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme