Greqi – Për herë të parë një grua zgjidhet në postin e presidentit

Ekaterini Sakellaropoulou, kandidatja e qeverisë së drejtuar nga Demokracia e Re (ND) e Qiriakos Miçotaqis, është zgjedhur Presidentja e re e Republikës së Greqisë.

Greqi – Për herë të parë një grua zgjidhet në postin e presidentit

Në raundin e parë të zgjedhjeve Sakellaropoulou mori pjesë si kandidatja e vetme dhe siguroi 261 vota nga 294 deputetët që morën pjesë në votimin e mbajtur të mërkurën në seancën e posaçme të parlamentit grek me 300 karrige gjithsej.

Partitë që votuan “Pro” kandidaturës së Sakellaropoulou krahas “Demokracisë së Re” (Nea Dimokratia-ND) ishin edhe Partia Radikale e Aleancës së Majtë (SYRIZA) dhe Partia e Lëvizjes për Ndryshim (KINAL). Kurse partitë e opozitës nuk nxorën kandidatë në garën presidenciale. Nga ana tjetër deputetët e Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), e cila ishte kundër kandidaturës së Sakellaropoulou, Partisë së Zgjidhjes Greke (ELY) dhe të partisë “Mera25” e ish-ministrit grek të financave, Janis Varufakis, abstenuan në votimin për zgjedhjen e presidentit.

Sipas ligjeve greke deputetët nuk mund të përdorin votën “Kundër” në votimin që bëhet në parlament për zgjedhjen e presidentit.

Kështu Ekaterina Sakellaropoulou do të jetë presidentja e parë e Greqisë. Mandati i saj 5-vjeçar do të fillojë me betimin që do të bëjë më 14 mars. Detyrën e re ajo do ta marrë nga Presidenti aktual i Greqisë, Prokopis Pavlopulos, mandati i të cilit mbaron më 13 mars.  

Presidentja e re e Greqisë, Sakellaropoulou ka lindur në vitin 1956 në Selanik. Pas diplomimit në Fakultetin Juridik të Universitetit të Athinës ajo i vazhdoi studimet pasuniversitare në Sorborne të Francës për jurisprudencë kushtetuese dhe administrative.

Në vitin 1982 Sakellaropoulou ishte emëruar si gjyqtare relatueseGjykatën e Lartë Administrative të Greqisë (Këshilli i Shtetit) dhe në vitin 2018 ishte bërë kryetare e kësaj gjykate.



Lajme të ngjashme