Më në fund, palët politike në Shqipëri ulen në tryezën ë dialogut për reformën zgjedhore

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Petrit Vasili.

Më në fund, palët politike në Shqipëri ulen në tryezën ë dialogut për reformën zgjedhore
Arnavutluk_seçim reformu_siyasi partiler.jpg
Arnavutluk_afet dayanışma futbol maçı_Murat Kurum.jpg
Atakan Doğan_Arnavluk_1.jpeg
Murat Kurum_Arnavutluk Maarif okuluna ziyaret.jpg
Diyanet_Namaz takvimi_Arnavutça2.jpg
Murat Kurum_Arnavutluk Maarif okuluna ziyaret2.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (3/2020)

-Më në fund, palët politike në Shqipëri ulen në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Petrit Vasili (LSI) dhe Oerd Bylykbashi (PD).

Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për reformën zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020.

Së pari u vendos të formohet Këshilli Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend. 

Çështjet që do të adresohen përcaktohen në vendimin e Kuvendit nr. 102/2017, i amenduar “Për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore” përfshirë dhe planin e punës të miratuar me konsensus nga komisioni në vitin 2017, si dhe çdo problematike tjetër zgjedhore që palët bien dakord me konsensus me qëllim arritje e standardeve zgjedhore ndërkombëtare.

Palët e përfshira angazhohen gjithashtu të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve, objekt i punës së komisionit të reformës zgjedhore, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.

Projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti, do të miratohet nga Kuvendi në përputhje me procedurat parlamentare.

Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në komisionin e reformës zgjedhore dhe në seancë plenare në tekstin e miratuar dhe dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti.

Në mbyllje të takimit, përfaqësuesit e opozitësBylykbashi dhe Vasili duke folur para mediave vlerësuan konsensusin si një hap të rëndësishëm për të ardhmen.

“...Ky dokument garanton atë që kemi kërkuar prej kohësh, reforma zgjedhore të bëhet me konsensus, të jetë gjithë përfshirëse. Do të kemi dhe asistencën ndërkombëtare....”.

Ndërsa, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, e vlerësoi vullnetin e mirë për gjetjen e një forme dialogu me opozitën.

“...Do përpiqemi të punojmë me konsensus me ndihmën e ekspertëve të ODIHR që do tu kërkojmë zyrtarisht të vijnë në Tiranë me qëllim që të adresojnë çështjet ku palët mund të ndahen. Sistemi është objekt i punës së komisionit të  reformës zgjedhore, do një dakordësi por nuk lidhet me rekomandimet e ODIHR...”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca mirëpritën marrëveshjen e të martës ndërpartiake mbi ecjen përpara me një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

“Është një arritje e rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE”, vlerësoi Soreca.

Ne besojmë, tha ai, “se të gjitha partitë do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përfunduar në kohë reformën zgjedhore që do të miratohet nga Parlamenti, në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmes së tyre evropiane”.

***

-Ministri turk, Kurum, viziton institucionet turke në Shqipëri

Ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit i Turqisë, Murat Kurum, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me autoritete të larta të shtetit me fokus rindërtimin e 500 banesave nga qeveria turke, ka vizituar institucionet dhe organizatat turke që veprojnë në Shqipëri.

Fillimisht, ministri Kurum u takua me studentët e Universitetit New York Tirana të Fondacionit Maarif të Turqisë.

Më pas, Kurum u informua nga përfaqësuesit e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim - TIKA, institutit turk “Yunus Emre” dhe Fondacionit Maarif të Turqisë lidhur me veprimtaritë që këto institucione kryejnë në Shqipëri.

Pas takimeve në këto tre institucione, ministri Kurum vizitoi edhe Ambasadën e Turqisë në Tiranë, ku u prit nga ambasadori, Murat Ahmet Yoruk.

***

-Banka Botërore: Eksportet kontribuuan në rritjen ekonomike të Shqipërisë

Zgjerimi i eksporteve “Made in Albania” dhe diversifikimi i tyre nga disa sektorë mbështeti rritjen ekonomike të Shqipërisë përgjatë gjithë vitit 2019.

Banka Botërore, institucioni më i rëndësishëm ndërkombëtar në ekzaminimin e treguesve ekonomikë për të gjitha vendet e botës, publikoi këtë javë raportin “Perspektiva globale ekonomike”, ku citon se “rritja e eksportit në Shqipëri, kontribuoi në një moderim të rritjes përafërsisht 3,2% në vitin 2019”.

Raporti shkruan se, “në Ballkanin Perëndimor pati një ngadalësim në investimet publike në Kosovë, të prodhimit (Serbi), dhe rritje e eksportit (Shqipëria, Serbia) që kontribuoi në një moderim në rritje përafërsisht 3,2% në vitin 2019”.

Sipas vlerësimeve në raportin e Bankës Botërore, energjia kryesoi eksportet shqiptare, por citon raporti “faktorët e përkohshëm që lidhen me motin dhe prodhimin e energjisë zbehën lehtë aktivitetin në Shqipëri, ndërsa kërkesa e lartë për import për projekte të investimeve publike ka kontribuar negativisht në eksportet neto në Malin e Zi. Në Evropën Lindore, rritja e prodhimit industrial është zbutur, duke reflektuar ulje të theksuar në prodhim në një kohë kur rritja e eksportit është ngadalësuar, veçanërisht në Bjellorusi.”

***

-Bashkësia Islame e Malit të Zi kontribuon me ndihmë financiare për të dëmtuarit nga tërmeti

Tiranën e vizitoi këtë të hënë kryetari i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat ef. Fejziç, i shoqëruar nga drejtuesi i shoqatës “Horizonti”, Omer Kajoshaj.

Miqtë nga Mali i Zi bënë një vizitë në Fondacionin ALSAR gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin shqiptar.

Pritja në zyrën ekreut të fondacionit, Mehdi Gurra, ishte e ngrohtë dhe tepër miqësore.

Në kuadër të kësaj vizite, Fejziç dhe Kajoshaj shprehën solidaritetin me të dëmtuarit nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar me dhurimin e një shume prej 10.000 euro.

Kontributi në para do të shkojë te të dëmtuarit përmes ndihmave humanitare të shpërndara nga Fondacioni ALSAR.

Fondacioni u shprehu mirënjohjen mysafirëve për solidaritetin e treguar, e nëpërmjet tyre, shprehu mirënjohjen dhe për Bashkësinë Islame të Malit të Zi.

Nga ana tjetër, drejtues të Fondacionit ALSAR pritën më 10 janar atasheun për çështjet arsimore në Ambasadën e Republikës së Turqisë, Atakan Doğan.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, shkëmbeu me të pikëpamje mbi zgjerimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke në fushën arsimore.

Gurra e vuri theksin në hapjen e rrugës për të mundësuar arsimimin e nxënësve shqiptarë në Turqi dhe në shkollat e mesme profesionale veç atyre teologjike.
Doğan bisedoi më pas me ndjekës të kurseve të gjuhës turke në Fondacionin ALSAR dhe u dhuroi atyre libra jashtëshkollorë në turqisht, dhënë posaçërisht për ta nga Ministria e Arsimit në Turqi.

***

-Në “Air Albania Stadium” zhvillohet një ndeshje për të prekurit nga tërmeti,morën pjesë edhe veteranë nga Turqia 

“Air Albania Stadium”  hapi sërish dyert në një ndeshje, ku mblodhi të ardhura për të prekurit nga tërmeti shkatërrues në Shqipëri.

Andi Lila, kreu i “Sindikatës së Futbollistëve”, prej kohësh është angazhuar për të zhvilluar një ndeshje miqësore mes veteranësh.

Ndeshja me pjesëmarrjen e futbollistëve të ndryshëm si dhe veteranë nga Turqia dhe Greqia u realizua në stadiumin e ri shqiptar në datën 10 janar të vitit 2020.

Në këtë ndeshje miqësore pati lojtarë që kanë luajtur me kombëtaren shqiptare, ndërkohë që këtë organizim e mbështetën edhe yje të Italisë kampione bote të vitit 2006.

Gjithashtu pati veteranë të Turqisë, që në vitin 2002 zuri vendin e tretë në kampionatin botëror të Japonisë.

Të gjitha të ardhurat e biletave do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

Kujtojmë që edhe në ndeshjen Tirana - Partizani, të mbajtur në "Air Albania", të ardhurat nga shitja e biletave shkuan për të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit.

Ministri turk Kurum, i cili mori pjesë në këtë eveniment para ndeshjes Turqi-Greqi bashkëbisedoi me futbollistët dhe më pas ndoqi ndeshjen së bashku me ambasadorin turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe delegacionin shoqërues.

Gjithashtu në ndeshje luajti edhe kreu i Administratës së Zhvillimit të Strehimit Publik të Turqisë, Ömer Bulut.

Italia në penallti mundi Shqipërinë dhe u përball në ndeshjen finale me Greqinë, e cila mundi Turqinë me rezultatin 1-0. Në ndeshjen finale ekipi italian doli fitues i këtij turneu.

***

-Kryesia e Çështjeve Fetare-Dijateti turk i dhuron Shqipërisë 18.000 kopje kalendarë të namazit për vitin 2020

Dijaneti turk përmes Zyrës së Çështjeve Fetare në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë ka shpërndarë në zona të ndryshme të Shqipërisë, në disa myftini dhe institucione të tjera fetare rreth 18.000 kalendarë të faljes së namazit për vitin 2020.

Kjo nuk është hera e parë që Dijaneti turk përmes përfaqësive të saj shpërndan kësi lloj kalendarësh, të cilat përveç orareve të kohëve të faljes janë të shoqëruara edhe me hadithe profetike, ajete kuranore, thënie të urta nga dijetarë islam etj.

Kalendarët-takvim janë shpërndarë edhe në Kosovë, Maqedoni e gjetkë.

Në lidhje më këtë kontribut që vjen në vazhdën e shumë kontributeve të tjera nga Dijaneti si ndërtim të xhamive, shpërndarje të ndihmave humanitare, të kurbaneve e të tjera ne i morëm një prononcim për Radio "Zëri i Turqisë",sekretarit pranë Zyrës së Këshilltarit për Çështje Fetare në ambasadën turke, Ilmi Proshka, i cili tha:

"... Zyra e Këshilltarit për Çështjet Fetare në Ambasadën Turke njëkohësisht dhe zyra përfaqësuese e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë në Shqipëri - Dijanetit, që nga viti 2004 gjendet në Shqipëri, e cila zhvillon aktivitete në fusha të ndryshme fetare, arsimore si dhe sociale. Ndër vite ka organizuar aktivitete në lidhje me ndihmat në Ramazan, shpërndarje të pakove me mish kurbani, ndihma në raste emergjence, gjithashtu ndihmon në procesin e dërgimit të studentëve në medrese ose për teologji në Turqi. 

Aktiviteti më i rëndësishëm i kësaj zyre që nga viti 2014 e këtej është botimi i librave fetarë, libra të cilat janë vepra të Kryesisë të Dijanetit, të përkthyera nga personeli i zyrës tonë në ambasadën turke dhe pasi botohen në Turqi sillen përsëri këtu për t’u ndarë në masë, sipas nevojës.

Deri më tani zyra jonë ka botuar afërsisht 20 vepra të ndryshme fetare. Janë shpërndarë afërsisht 100 mijë kopje të këtyre veprave në rang vendi në Kosovë dhe Maqedoni, gjithashtu një nga veprat periodike është edhe kalendari i namazit. Kalendari i cili tregon 5 kohët e namazit përmban edhe njohuri të ndryshme fetare kulturore  etj. 

Këtë vit zyra jonë ka shpërndarë në Shqipëri 18.000 mijë kopje të këtij kalendari, ndërsa në Kosovë 6.000 mijë kopje dhe në Maqedoni janë shpërndarë 5,000 mijë kopje. Rreth 29.000 mijë kopje shqip, në gjithë Ballkanin...".

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme