Kurti nuk e dërgon emrin e mandatarit për kryeministër

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në takimin e parë të tij me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka kërkuar atij emrin e mandatarit të qeverisë, kurse Kurti ka thënë se këtë do t’ia dërgojë me shkrim.

Kurti nuk e dërgon emrin e mandatarit për kryeministër
Albin Kurti_Hashim Thaçi görüşmesi.jpg
Albin Kurti_Isa Mustafa görüşmesinden sonuç çıkmadı.jpg
Kosova Cumhurbaşkanı Hashim Thaçi_yeni hükümet.jpg
Kosova_Prizren_turizm_temizlik.jpg
Albin Kurti_yeni hükümet.jpg

Kurti nuk e jep emrin e mandatarit për kryeministër, megjithë kërkesën e presidentit Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka pritur në takimin e tij ta parë si president i Kosovës, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Qëllimi i pritjes së presidentit, ishte mandatimi për postin e kryeministrit, mirëpo Kurti tha se ishte vetëm një takim konsultativ. Kurti nuk i ka dhënë presidentit asnjë emër si propozim për kryeministër, megjithë kërkesën e presidentit Thaçi. Takimin me presidentin, Kurti e ka cilësuar si konsultativ dhe që nuk prodhon asnjë efekt juridik, rrjedhimisht, nuk ka ndodhur akti i mandatimit nga i cili më pas nisin afatet kushtetuese për formimin e qeverisë. 

“Në këtë takim disa minutash, unë e dëgjova presidentin i cili shprehu interesimin e tij për formimin sa më shpejt të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Por, njëkohësisht edhe tha që e di se ju nevojitet një kohë e caktuar për këtë gjë. Por gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin. Mirëpo në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit siç e kemi lexuar ne, është e nevojshme që këtë ta bëjmë me një shkresë me shkrim”, tha Kurti.

Kurti më tej ka thënë se do të vazhdojnë përpjekjet që të lidhet një marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në. Ai tha se të dyja palët kanë një shans historik që të bëjnë marrëveshjen , derisa shprehu besimin e tij se kjo çështje do të përmbyllet shpejt.

“Unë besoj se jemi në hapat e fundit të arritjes së marrëveshjes, e cila nuk është vetëm interes e gatishmëri e jona, por mbi të gjitha është domosdoshmëri që na e ka përcaktuar burimi I sovranitetit, pra populli i Kosovës”, tha ai.

Kurti po ashtu tha se do të zhvillojë një takim me Kryesinë e Vetëvendosjes dhe më pas do të përgatisë shkresën e cila i dërgohet institucionit të presidentit, që në fakt përmban propozimin e Vetëvendosjes për të parin e qeverisë. Por, një propozim i tillë nuk është bërë gjatë tërë javës.

*

Thaçi i jep afat Kurtit

Presidenti Hashim Thaçi, menjëherë pas takimit të parë të tij me Kurtin, përmes një komunikate, ka thënë se ka vendosur t’ia jap Vetëvendosjes një afat prej 48 orësh që ta mandatojë kandidatin për kryeministër, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore. Ky afat ka përfunduar të mërkurën. E pas këtij afati, Presidenti Thaçi i ka dërguar një tjetër letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, ku mes tjerash shprehet se është në pritje të mandatarit të qeverisë së re të Kosovës.

“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për kryeministër”, i ka shkruar Thaçi.

Presidenti ka theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14,  e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin.

Kreu i shtetit i ka kërkuar Albin Kurtit, që të njoftojë nëse Lëvizja Vetëvendosje do të dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër apo do të zgjedhë ta refuzojë atë.

Presidenti Hashim Thaçi insiston që ky vendim të merret sa më shpejt, ndërsa shton se qytetarët duhet ta kenë funksionale qeverinë e re.

*

Kurti zbulon emrat e kabinetit qeveritar 

E para takimit me presidentin e vendit Hashim Thaçin, lideri i LVV-së, Albin Kurti përmes një video mesazhi kishte kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës që ta bëjnë marrëveshjen sa më shpejtë. Ai potencoi se kishte bërë përpjekje të shumta.

“Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk m’u bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit. Të dashur qytetarë të Republikës, Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na zë pa qeveri. Si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve, por është kohë e shtetit dhe kohë publike”, tha ai.

Kurti ka bërë thirrje LDK-së që të propozojë emrat e ministrive, ndërsa, ka publikuar edhe emrat të cilët i ka propozuar ai.

“I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që sa më parë t’m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj. Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia”, njoftoi Kurti.

Ai poashtu u zotua se menjëherë pasi t’i ketë ata gjashtë emra, do ta sjellë emrin e ministrit nga pakicat jo-serbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave.

*

Takim pa rezultat Kurti - Mustafa

Takimi i parë në vitin e ri mes liderëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka zgjatur mbi tri orë, por nuk rezultoi me marrëveshje për bashkëqeverisje. Të dy liderët nuk kanë pranuar të flasin për media, megjithatë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa tha se dy kryetarët do të takohen sërish të mërkurën, ndërsa është shprehur se nuk ka detaje se për çka është diskutuar aty.
“Në fund të këtij takimi janë pajtuar që të kemi edhe një takim të radhës nesër, për orën e saktë dhe për detaje të tjera të takimit të nesërm iu njoftojmë nesër paradite, nuk kam detaje të tjera nga takimi i sotëm. Nuk kam detaje të tjera”, tha ai.
Takimi Kurti-Mustafa ka ndodhur pas mbledhjes së kryesisë së Vetëvendosjes, pas së cilës Albin Kurti tha shkurt se komunikimet me LDK-në janë të vazhdueshme. Ndërkohë, edhe takimi i ardhshëm rezultoi pa marrëveshje.

*

Grenell anulon vizitën në Kosovë  

Emisari special i Presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka anuluar një vizitë në Prishtinë. Arsye për këtë vlerësohet të jenë vonesat në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019. Një zyrtar i Ambasadës së SHBA-së në Berlin ka thënë se vizita është anuluar sepse jo të gjithë në Kosovë kanë qenë të gatshëm që ajo të realizohet.

Ditë më parë në Berlin, emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, kishte pritur nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliun, dhe dy anëtarët e kryesisë, Avdullah Hotin dhe Skënder Hysenin, me të cilët kishte folur rreth bisedimeve për çështjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe krijimin e qeverisë së re. Duke parë një situatë të tillë, Richard Grenell, kishte planifikuar edhe një vizitë në Kosovë. Megjithatë, ai e ka anuluar vizitën, pasi siç thonë nga zyra në Berlin, jo të gjitha palët kanë qenë të gatshme, por pa e specifikuar se cilat palë. “E kemi anuluar udhëtimin e fundit sepse jo të gjitha palët ishin të gatshme”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi i Përfaqësuesit Special, Dik Kastin.

*

Trump uron Thaçin dhe Haradinajn 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka uruar presidentin e Kosovës Hashim Thaci dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn, por edhe popullin e Kosovës, me rastin e festave të fundvitit. 

Presidenti Thaçi ka pranuar një letër urimi për Vitin e Ri 2020 nga Presidenti Donald Trump. Në këtë letër, presidenti Trump uron presidentin Thaçi dhe popullin e Kosovës për festat e fund-vitit. Presidenti Thaçi e ka falënderuar presidentin Trump për urimin, duke ritheksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës.

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar letër urim nga presidenti i SHBA-ve. Haradinaj ka thënë se marrëdhënia e Kosovës me ShBA’ në, nuk është vetëm një raport bilateral ndërmjet dy vendeve, por është speciale dhe e përhershme.

“Kjo marrëdhënie e fuqishme dëshmohet edhe me këto urime por edhe më lidhjet që kemi krijuar tash e sa kohë, e për të cilat ne jemi përherë mirënjohës”, shkruan Haradinaj në Facebook.

*

Turistët te pakënaqur me pa-pastërtinë në Prizren 

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka realizuar një studim mbi kënaqshmërinë e turistëve që kanë vizituar qytetin e Prizrenit, duke e ditur rëndësinë e turizmit dhe përfitimit të shumanshëm të tij dhe për të pasur një pasqyrë më të qartë për nivelin e kënaqësisë dhe pritshmërive të turistëve që zgjedhin Prizrenin si destinacion turistik
Si qëllim tjetër i hulumtimit ka qenë identifikimi i komponentëve kryesorë të turizmit që ndikojnë në tërheqjen e më shumë vizitorëve në Prizren dhe ndërtimi i një matësi për vlerësimin e përmbushjes së pritshmërive të turistëve me Prizrenin.

Pastaj, motivet për përzgjedhjen e Prizrenit, aktivitetet e planifikuara, si dhe nivelin e përmbushjes së këtyre pritjeve.

Me përgjigjet e tyre, vizitorët kanë ofruar disa rekomandime që do të mund të rrisin kënaqësinë turistëve në të ardhmen.

Sipas të anketuarve, monumentet e trashëgimisë kulturore, mikpritja, atmosfera lokale dhe natyra janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në kënaqësinë e përgjithshme të vizitorëve.

Në anën tjetër, pakënaqësia më e madhe, është shfaqur në të gjitha përgjigjet e tyre që kanë të bëjnë me pastërtinë e destinacionit dhe problemin e qarkullimit të veturave në Qendrën Historike të Prizrenit.

Hulumtimi ofron rekomandime për politik-bërësit e vendimmarrësit e përfshirë në industrinë e turizmit të nivelit lokal dhe qendror mbi hapat e ardhshëm që turistët besojnë se duhet të ndërmerren për të rritur konkurueshmërinë e Prizrenit si destinacion turistik.  



Lajme të ngjashme