Kosova hyri në Vitin e Ri me shpresë për jetë më të mirë

Festën më të këndshme e kanë bërë edhe vizitat e familjarëve të cilët ndodhen me punë jashtë vendit.

1335666
Kosova hyri në Vitin e Ri me shpresë për jetë më të mirë
Kosova yeni yıla umutla girdi3.jpg
Hashim Thaçi-Albin Kurti görüşmesi.jpg
Sırp polisi.jpg
Kosova_Rexhep Qosja.jpg

Kosova hyri në Vitin e Ri me shpresë për jetë më të mirë

Pritjet me orë të tëra në kufi nuk i kanë ndaluar mërgimtarët të kthehen në Kosovë për të festuar bashkë me familjet e tyre Vitin e Ri. Nëpër qytete të Kosovës për këtë arsye vërehej një fluks më i madh i njerëzve dhe i automjeteve, të cilët shpesh kanë shkaktuar kolona në komunikacionin rrugor jo të rregulluar mirë në Kosovë. E bizneset dukeshin të kënaqur, pasi këto ditë për ta janë një mundësi e mirë për ta mbyllur vitin me profit, në kohën kur rrjedhja e parave në treg rritet në mënyrë enorme. E më të lodhur dukeshin punëtorët, të cilët përveç punës së shumë-ngarkuar, punojnë edhe jashtë orarit të punës, zakonisht edhe pa pagë shtesë dhe vetëm me një ditë pushim, e inspektorët zakonisht nuk duken gjëkundi për të kontrolluar respektimin e të drejtave të punëtorëve.  Shkelja e të drejtave të punëtorëve ka vazhduar të jetë temë edhe 20 vite pas luftës, e me gjasë do të jetë edhe në Vitin e ri 2020.

*

Thaçi e Haradinaj me ushtarët e Kosovës 

Krerët e shtetit Vitin e Ri 2020 e kanë pritur edhe bashkë me ushtarët e Kosovës duke i vizituar ata në “Kazermën Adem Jashari”, në Prishtinë. Presidenti, Hashim Thaçi si dhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj kanë vlerësuar si arritjen më të madhe të vitit që mbeti pas, formimin e Ushtrisë së Kosovës..

Presidenti Hashim Thaci ka vizituar “Kazermën Adem  Jashari”, ku është takuar me ushtarët të cilët kanë qenë në detyrë. Me këtë rast, presidenti, njëkohësisht Komandanti Suprem Hashim Thaçi ka potencuar se arritja më e madhe për vitin 2019, ka qenë formimi i Ushtrisë së Kosovës. Sipas tij, kur të gjithë qytetarët po festojnë, ushtarët e FSK-së, si institucioni më i besueshëm në vend, janë në krye të detyrave kushtuese, e në mbrojtje të kufijve të Kosovës.

“Jeni krenari edhe nderi i shtetit të Kosovës, i qytetarëve të Kosovës. Është një arritje e jashtëzakonshme themelimi i Ushtrisë, prandaj si president i vendit por edhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, ndihem shumë krenar që sonte kur qytetarët e Kosovës festojnë në Kosovën e lirë, të pavarur e sovrane, ju jeni në krye të obligimeve e përgjegjësive për ruajtjen e territorit të Kosovës”, tha Thaçi.

Edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, vizitat për nder të festës së Vitit të Ri i ka përfunduar në kazermën Adem Jashari. Me këtë rast Haradinaj u shpreh se qëllimi i shkuarjes në FSK ishte për t’ua shprehur atyre respektin dhe falënderimin që janë në detyrë

“Në çdo kohë por sot veçanërisht për ata që janë në detyrë që nuk mund të jenë bashkë me familjet e veta, edhe të ju them që krenohem me juve, me ushtrinë tonë. Njëkohësisht si ushtri e jona që jemi këtu, në këtë rast edhe unë e vendosi vetën si pjesë të juaj, ne i shprehim edhe ushtrive të NATO-s që shërbejnë në Kosovë. njëkohësisht ajo që na bën krenar është se vërtet ju, e keni besimin e të gjithëve”, tha Haradinaj.

Edhe Komandanti i FSK-së, Gjeneral-lejtnant Rrahman Rama garantoi se do t’i kryejnë punën me nder dhe përkushtim.

*

Pa incidente, e më pak të lënduar e të helmuar se vitin e kaluar

Festa e Vitit të Ri në Kosovë ka kaluar e qetë dhe pa incidente. Këtë e ka konfirmuar zyrtari për informim në polici Baki Kelani.

“Policia e Kosovës me kohë ka bërë përgatitjet e nevojshme, kryesisht me një fokus në ambientet e hapura, në sheshe ku ka pasur frekuentim më të madh të qytetarëve, situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente madhore. Kryesisht kanë qenë të evidentuara disa incidente të natyrave më të vogla që ndërlidhen me mjete piroteknike”, ka thënë ai.

Festa e ndërrimit të moteve ka kaluar edhe pa lëndime serioze. Drejtori i Klinikës emergjente në QKUK Basri Lenjani ka thënë se afro 200 qytetarë kanë kërkuar ndihmë si pasojë e lëndimit apo helmimit.

E në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK ka lindur fëmija i parë për vitin 2020 në Prishtinë. Nënën dhe foshnjën e gjinisë mashkullore e kanë vizituar edhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje.

E disa prej qyteteve kryesore të Kosovës kanë pasur probleme me furnizim me rrymë, duke e pritur Vitin e Ri nën dritën e qirinjve. Sipas Korporatës që ofron Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë KEDS, mungesa e rrymës në pjesë të caktuara ka ndodhur për shkak të mbingarkesave, të cilat kanë shkaktuar dëme.

*

Të hënën, takim i konfirmuar Thaçi-Kurti 

Fillimi I vitit 2020, e gjeti Kosovën pa qeveri, ndonëse zgjedhjet e jashtëzakonshme u mbajtën tre muaj më parë. Partia Fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur deri më tash të arrijë marrëveshje koalicioni me subjektin e preferuar të saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Albin Kurti, i cili konsiderohet si kandidati kryesor për kryeministër të Kosovës, pas ftesës së tretë që I është bërë nga presidenti I vendit Hashim Thaçi, propozoi që takimi të bëhet të hënën me 6 janar, propozim të cilin e pranoi presidenti:

“E mirëpres përgjigjen pozitive që e ka dërguar për datën 6 në pra 15.00, që të mbahet takimi këtu në presidencë”, ka thënë Thaci.

E Kuvendi është konstituar me 26 dhjetor dhe partitë fituese duhet brenda 60 ditëve të krijojnë Qeverinë. Njohësit e kushtetutës thonë që nëse dështojnë dy përpjekje për krijimin e qeverisë vendi shkon në zgjedhje. Pra, pas afatit kushtetues 40 ditor nga mandatimi i kreut të qeverisë që mund të ndodhë me 6 janar, vendi shkon në zgjedhje. E autoritetet ndërkombëtare në Kosovë vazhdojnë t’i bëjnë thirrje politikës kosovare që të merren vesh për formimin e qeverisë.

*

Akademiku Qosja fajëson LDK-në për mos-krijim të qeverisë së re

Akademiku Rexhep Qosja në llogarinë e tij në Facebook e ka publikuar një shkrim të gjatë dhe të titulluar “Antologjia e të përzgjedhurve”. Aty, Qosja analizon edhe situatën e krijuar në vend pas zgjedhjeve të 6 tetorit si dhe pas tentimeve për marrëveshje bashkëqeverisjeje mes LVV-së dhe LDK-së.

Për mos-krijimin e Qeverisë së re, ai e fajëson kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën dhe të tjerët në këtë subjekt politik dukë thënë se “duan ta pengojnë Vetëvendosjen që të bëhet forca politike historike”.

“Kryetari i LDK-së që për shumë vështrues të punëve tona politike lë përshtypjen e uzurpuesit të LDK-së sot, po e dëshiron edhe postin e kryetarit të Kosovës: ende s’dihet sigurt për veten apo për ndonjë anëtar tjetër të kësaj partie”, shkruan Qosja.

Sipas tij, fajtorin e mos-krijimit të qeverisë së Republikës së Kosovës sot, mos ta kërkojmë andej e këndej, po aty ku është: e është në politikën e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe, të atyre të tjerëve jashtë LDK-së, që duan ta pengojnë Vetëvendosjen që të bëhet forca politike historike, që do realizojë vullnetin e popullit për ndryshimin e gjendjes që po e gulçon Kosovën, që moçalishten shtetërore të Kosovës të vërshuar prej korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar, padrejtësive, përpjekjeve për të gjetur shpëtim në botë rinia e saj, despotizmit primitiv do ta shërojë e ta bëjë shtet të shëndoshë, modern, demokratik, të denjë për të jetuar i lirë e i denjë në të, ka shkruar Qosja.

*

Serbia e arreston një qytetar nga Kosova 

Nezir Mehmetaj është kosovari që u ndalua të premten nga autoritete serbe. Prokuroria në Serbi të dielën i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ai tha se Serbia me këto veprime po tregon se nuk ka ndryshuar mentalitetin politik dhe se shqiptarët i shohin ‘si njerëz të dorës së dytë’. Konjufca i bëri thirrje Serbisë ta lejojë Mehmetajn të kthehet pranë vatrës së familjes së tij, dhe ta ndryshojë qasjen që ka ndaj Kosovës e qytetarëve të saj. Ai theksoi se jemi në shekulli 21 dhe se këto sjellje duhet të ndalen. Edhe ministri në detyrë Behxhet Pacolli ka kërkuar lirimin e tij, duke thënë se ka lajmëruar edhe institucionet e Bashkimit Europian për rastin.

*

Asnjë investim serioz gjatë vitit 2019, thotë Rukiqi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se viti 2019 është karakterizuar me vendimin e gabueshëm për rritje pagash në sektorin publik si dhe me vazhdimin e situatës së paqartë rreth tarifës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

“Nuk kishte asnjë investim serioz që do të krijonte vende pune, pasi ndodhën zgjedhjet dhe vonesat për formimin e institucioneve, që ndikuan në konfidencën e të bërit biznes në Kosovë”, ka thënë Rukiqi për “Epokën e re”.

Ai ka theksuar se pritjet e tij për vitin 2020 janë në aspektin e reformave ekonomike, edhe pse pranoi se nuk pret shumë ndryshime duke pasur parasysh ngarkesën me temat si dialogu, por edhe presionin social, përfshirë grevat dhe shumë çështje të tjera të hapura dhe të pazgjidhura për shumë vjet.



Lajme të ngjashme