Kroaci – Zgjedhësit i drejtohen kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Qytetarët e Kroacisë iu drejtuan të dielën kutive të votimit duke filluar nga ora 7:00 për të zgjedhur presidentin e vendit.

Kroaci – Zgjedhësit i drejtohen kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Plot 3 milionë e 854 mijë e 747 zgjedhës të regjistruar mund të përdorin të drejtën e votës për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale deri në orën 19:00.

Në këtë raund të presidencialeve garojnë Presidentja aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviç, si kandidate e Unionit Demokratik Kroat (HDZ); si dhe ish-kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SDP).

Këta janë 2 kandidatët që fituan numrin më të madh të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 22 dhjetor 2019, ku në garë ishin gjithsej 11 emra dhe asnjëri nuk arriti të siguronte 50 për qind të votave.

Në raundin e parë Milanoviç fitoi 29,54 për qind të votave dhe Grabar-Kitaroviç 26,67 për qind; ndërsa kandidatët e tjerë Miroslav Skoro 24,44 për qind, Mislav Kolakusiç 5,87 për qind, Dario Juriçan 4,60 për qind, Dalija Oreskoviç 2,89 për qind, Ivan Pernar 2,31 për qind, Katarina Peoviç 1,12 për qind, Dejan Kovaç 0,95 për qind, Nedjeljko Babiç 0,21 për qind dhe Anto Dapiç 0,15 për qind.

Rezultatet paraprake jozyrtare të presidencialeve kroate, të cilat mbahen 1 herë në çdo 5 vjet, pritet të shpallen përpara mesnatës.



Lajme të ngjashme