Ndërrimi i viteve në Shqipëri në mes entuziazmit dhe shpresës

Tirana dhe qytetet e tjera pritën ndërrimin e viteve kur akrepat e orës shënuan 00:00 me fishekzjarrët shumëngjyrëshe që shkëlqyen në qiellin e kësaj mbrëmjeje.

1333693
Ndërrimi i viteve në Shqipëri në mes entuziazmit dhe shpresës
Arnavutluk_2020 Yeni Yıl kutlamaları_3.jpg
Arnavutluk_2020 Yeni Yıl kutlamaları_5.jpg
Arnavutluk_2020 Yeni Yıl kutlamaları_7.jpg
Arnavut milli sembolleri_Karadağ.jpg
Arnavutluk_2020 Yeni Yıl kutlamaları_2.jpg
Arnavutluk_Edi Rama_2020 Yeni Yıl mesajı.jpg
Arnavutluk_Ilir Meta_2020 Yeni Yıl mesajı.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (1/2020)

-Ndërrimi i viteve në Shqipëri në mes entuziazmit dhe shpresës

Viti i Ri 2020 mbërriti edhe në Shqipëri. Tirana dhe qytetet e tjera pritën ndërrimin e viteve kur akrepat e orës shënuan 00:00 me fishekzjarrët shumëngjyrëshe që shkëlqyen në qiellin e kësaj mbrëmjeje.

Një koncert madhështor në sheshin “Skënderbeu” ashtu siç është bërë traditë tashmë çdo vit nga Bashkia e Tiranës mblodhi qytetarët. Një spektakël i vërtetë fishekzjarrësh u realizua për të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe vizitorët e shumtë të kryeqytetit, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë në Tiranë festat e fundvitit.

Kur akrepat e orës shënuan 00:00 mijëra fishekzjarrë shoqëruan numërimin mbrapsht që priti Vitin e Ri 2020. ndërkohë që përshëndeti edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.... 

Ashtu si në çdo festë edhe në këtë të ndërrimit të viteve Policia Rrugore ka qëndruar në gatishmëri për të lehtësuar qarkullimin. Në gatishmëri ka qenë dhe ambulancat, po ashtu edhe zjarrfikësit.

Ndërkaq, shqiptarët e kanë nisur ndryshe vitin 2020.  Si asnjë vit tjetër, në natën e ndërrimit të viteve,nuk është shënuar asnjë ngjarje kriminale dhe asnjë aksident rrugor.

Të gjithë njerëzit në këto ditë të para të 2020 urojnë dhe shpresojnë se Viti i Ri të jetë sa më i mbarë dhe i begatë.

Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri ku kërkon bashkim dhe solidaritet.

Në mesazhin e tij kreu i shtetit shqiptar shprehet se “në këtë festë tradicionale të ndërrimit të viteve, të bashkimit dhe solidaritetit njerëzor e shpirtëror pranë vatrave të ngrohta familjare, të takimit me të dashurit e zemrës dhe miqtë tuaj në tryezat e gëzimit, shpresave dhe ëndrrave të reja, kam kënaqësinë t’i bashkohem urimit të përzemërt: Gëzuar Vitin e Ri 2020!".

“Qoftë një vit i mbarë dhe i begatë, i mbushur me lumturi, dashuri dhe paqe në çdo familje, në shoqërinë dhe në Shqipërinë tonë të dashur! Zhgënjimet që po lemë pas me vitin e vjetër, le të na ndihmojnë për një reflektim të thellë e të sinqertë në mënyrë që viti 2020 të jetë viti i realizimit të shpresave dhe ëndrrave të çdo shqiptari dhe familje shqiptare, por edhe viti që e afron Shqipërinë me familjen europiane dhe standardet e saj !Çdo shqiptar i ndershëm dhe punëtor kërkon më shumë shpresë dhe meriton mirëqenie, por edhe ndihmë, përkrahje e mbështetje, për të ndërtuar një jetë të denjë dhe një të ardhme të sigurt në Atdheun tonë. Secili prej jush meriton më shumë pozitivitet, një Shqipëri më të drejtë, më të dashur, më të dhembshur dhe më njerëzore. Dhe kjo në radhë të parë kërkon një Shqipëri përfshirëse dhe më të bashkuar, e udhëhequr gjithmonë nga interesi kombëtar dhe publik”, shprehet ai.

Në vijim Meta shton se “solidariteti mbarëkombëtar që treguam pas tërmetit tragjik, është një themel i fortë dhe i qëndrueshëm, që na frymëzon të gjithëve dhe na jep besim për sfidat që na presin!".

“Sot ne shkëmbejmë urimet më të mira për Vitin e Ri, por nga 1 janari duhet të mendojmë dhe të punojmë më shumë, të gjithë së bashku, për t’i dhënë dritë dhe shpresë të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë në Atdheun tonë! E ardhmja është në dorën e secilit prej nesh dhe të bashkuar  do t’ia dalim!”, shprehet ai. 

Ndërsa, kryeministri shqiptar Edi Rama, në videomesazhin e publikuar prej tij me rastin e ndërrimit të viteve, duke uruar shqiptarët për një vit sa më të mbarë dhe të bekuar nga Zoti, tha se "...është detyrë e gjithsecilit për ta bërë këtë vend më të mirë, më të sigurt e më të begatë për fëmijët tanë.

Gëzuar Vitin e Ri 2020 dhe ardhtë i lehtë, me shëndet e mbarësi në familjet tuaja. Zoti e bekoftë Shqipërinë!” – përfundoi Rama mesazhin e tij me rastin e viti të ri 2020. 

***

-Shqipëria nga 1 janari mori Kryesimin e OSBE-së për vitin 2020

Shqipëria mori zyrtarisht më 1 janar  kryesimin e Organizatës për Siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSBE) për vitin 2020.

Kryesimin e OSBE Shqipëria e mori nga Sllovakia, e cila i dorëzoi në 6 dhjetor Kryesinë e OSBE-së Shqipërisë, në Këshillin e Përhershëm të kësaj organizate në Vjenë, në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Kryeministri Rama në fjalën e tij në ceremoninë e mbajtur në Bratislavë u shpreh se, “Presidenca e OSBE-së, shënon kulmin e një transformimi kaq domethënës”.

Edhe Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj e vlerësoi ngjarjen  si “suksesin më të madh në historinë e diplomacisë shumëpalëshe të Shqipërisë, pas anëtarësimit në NATO”.

OSBE është organizata më e madhe e sigurisë në botë. 36 vendet e saj anëtare nga tre kontinentet ia besuan Shqipërisë kryesimin e organizatës para dy vitesh, në dhjetor 2018, në Ministerialin e OSBE-së në Milano, ku morën  pjesë Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare.

Vendimi i Ministerialit në Milano tregoi qartë se Shqipëria tanimë është shndërruar nga një konsumatore e sigurisë dhe përfituese e asistencës nga programet e demokratizimit të OSBE, në një kontribuuese për çështjet e sigurisë.

***

-Ligji për simbolet kombëtare në Malin e Zi, kryeparlamentari i Shqipërisë Ruçi: Mirënjohje kolegut Brajoviç dhe partive shqiptare 

Kryetari i Kuvendit shqiptar, Gramoz Ruçi përshëndeti miratimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare nga Kuvendi i Malit të  Zi.

Ligji i sapo miratuar u garanton njësive administrative  ku shqiptarët përbëjnë 5 përqind të popullsisë të drejtën  e përdorimit të flamurit kombëtar me rastin e festës kombëtare.

“Përdorimi i simboleve kombëtare është një e drejtë thelbësore etnike dhe politike në demokracinë liberale. Me miratimin e këtij ligji, fqinji dhe partneri  ynë, Mali i Zi, shënon një hap domethënës drejt konsolidimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve, përfshirë pakicat etnike, në një shoqëri multietnike. I shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time kolegut Brajoviç dhe deputetëve të Kuvendit që votuan këtë ligji”, shprehet kryeparlamentari Ruçi.

Një përgëzim të veçantë, thekson ai, meritojnë partitë shqiptare dhe deputetët shqiptarë për përpjekjet e tyre për miratimin e këtij ligji.

“Kjo është një provë tjetër e kontributit të shqiptarëve si një faktor paqeje, stabiliteti dhe kohezioni në rajon”, shprehet  kryetari i parlamentit shqiptar.

***

-Bashkësia e Sanxhakut solidarizohet me Shqipërinë

Myftiu i Sanxhakut, Senad ef. Halitoviç duke shprehur solidaritetin e tij me familjet e prekura nga tërmeti zhvilloi një vizitë 2 ditore në Shqipëri, për të ndjekur nga afër situatën dhe për të ofruar ndihmën humane.

Gjatë qëndrimit të tij ai zhvilloi një vizitë pune në selinë e Fondacionit “ALSAR” i shoqëruar edhe nga drejtuesi i organizatës humanitare "Amaneti" me qendër në Sanxhak.

Ata u pritën nga Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit ALSAR, ku takimi u karakterizua nga një frymë e ngrohtë e miqësore. Fokusi kryesor i kësaj vizite ishte shprehja e solidaritetit me familjet e prekura nga tërmeti dhe ofrimi i kontributit të mbledhur nga kjo bashkësi në vlerën monetare 4000 euro si donacion për t’ju dhuruar ndihma humanitare familjeve të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore, përmes Fondacionit ALSAR si organizatë partnere.

Gurra shprehu mirënjohjen e thellë Bashkësisë Islame të Sanxhakut që me bujarinë e fisnikërinë e saj, iu bashkua fushatës së bamirësisë në ditët e solidaritetit me familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

***

-Busti i Adem Jasharit për gjithë shqiptarinë është në Elbasan 

Kryetari i grupit parlamentarë të PS-së, Taulant Balla ka zgjedhur të urojë shqiptarët për Vitin e Ri me lajmin, se ditën e verës, busti i Adem Jasharit do vendoset në qendër të Elbasanit.

Në bashkëbisedim me skulptorin që po gdhend në shkëmb Adem Jasharin, Balla ka ftuar popullin e Kosovës që Ditën e Verës me 14 Mars, t’i bashkohen inaugurimit të bustit të Adem Jasharit, siç thotë ai, “në shkëmb siç ka qenë”.

Edhe në ditën e fundit të vitit, skulptori duarartë vijon punën për bustin më të madh të heroit Adem Jashari. Ditën e Verës 2020 ju mirëpresim në Elbasan. Gëzuar 2020. Kjo është dhurata më e bukur për Elbasanin për 2020, busti i Adem Jasharit për gjithë shqiptarinë është në Elbasan”, shprehet Balla.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme