Edhe një herë vërtetohen marrëdhëniet e mira midis Malit të Zi dhe Turqisë

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi ftohet për vizitë zyrtare nga homologu i tij turk Mustafa Shentop, Ambasadorja Songul Ozan i ka përcjellë ftesën kryeparlamentarit malazez, Ivan Brajeviq.

1317823
Edhe një herë vërtetohen marrëdhëniet e mira midis Malit të Zi dhe Turqisë
Songül Ozan_Ivan Brajoviq.jpg
Karadağ_TİKA ihtisas kütüphanesi açtı_2.jpg
Karadağ_TİKA ihtisas kütüphanesi açtı.jpg
Genci Nimanbegu_Arnavutluk ziyareti_deprem.jpg
Ülgün_Ulqin Belediye Bşk_Arnavutluk ziyaret_deprem.jpg
BM Madrid İklim Konferansı.jpg

TIKA hap bibliotekën e parë të specializuar në Mal të Zi

Hapet biblioteka e parë e specializuar në Mal të Zi

Përfaqësuesit e Agjencisë Turke për Bashkëpunimin dhe Koordinimin (TIKA) dhe të Qendrës për Resurse për Fëmijët dhe të Rinjtë në Podgoricë hapën solemnisht bibliotekën e parë të specializuar në Mal të Zi. Biblioteka, e cila gjendet në kuadër të kësaj qendre, është hapur me rastin e 3 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Personave me Invaliditet. Drejtorja e Qendrës, Miriana Popoviq është falënderuar për donacionin e TIKA-s dhe ka shtuar se kjo bibliotekë do të shndërrohet në një sallë shumë funksionale. Koordinatori i zyrës së TIKA-s për Malin e Zi, Muhamed Unal ka theksuar se TIKA do të vazhdojë të ndihmojë arsimimin e të gjitha sferave në Mal të Zi. E pranishme në solemnitet ishte edhe Ambasadorja e Republikës së Turqisë, Songul Ozan, e cila me këtë rast ka përkujtuar se TIKA në Mal të Zi deri tani ka realizuar 330 projekte nga të gjitha fushat e jetës.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë, Songul Ozan takohet me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi 

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan u takua me Kryetarin e Parlamentit Ivan Brajoviq. Në takim edhe një herë u vërtetuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve në të gjitha fushat e jetës si politike, ashtu edhe ekonomike. Duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit parlamentar, Ambasadorja Ozan i përcolli z. Brajoviq ftesën zyrtare të Presidentit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë (TBMM), Mustafa Shentop, për të vizituar Turqinë në periudhën e ardhshme. Në takim po ashtu u shkëmbyen mendime për rëndësinë e stabilitetit në rajon, të cilit i përkasin Mali i Zi dhe Turqia, si dhe proceset integruese të të dy vendeve kandidate.

Spitali privat turk “Acibadem” i interesuar për prezencë më të fuqishme në Mal të Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka pritur në një takim pune delegacionin e spitalit privat turk Acibadem të kryesuar nga drejtori i përgjithshëm i kompanisë Tahsin Gynej (Tahsin Güney). Në takim është konstatuar se Mali i Zi dhe Turqia kultivojnë marrëdhënie të mira në të gjitha sferat si ato politike, edhe ekonomike dhe se sistemi shëndetësor i Malit të Zi ka bashkëpunim cilësor me spitalin “Acibadem”. Në takim u theksua se nga ky bashkëpunim përfitimin më të madh e kanë qytetarët e këtushëm, të cilët si pacientë u shlyhen shpenzimet nga Fondi Shëndetësor dhe kështu marrin shërbimet më kualitative shëndetësore. Kryeministri është shprehur i kënaqur për interesimin e kësaj kompanie, e cila ka 29 qendra shëndetësore në 18 shtete, për zgjerimin e aktivitetit të saj edhe në Mal të Zi. Drejtori i përgjithshëm i “Acibadem”, Tahsin Gynej në takim ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e deritashëm me sistemin malazez shëndetësor duke shtuar se vendimi për t’u zgjeruar edhe në Mal të Zi është marrë edhe nga fakti që kjo republikë gëzon një stabilitet të dukshëm afatgjatë. Të dy delegacionet kanë diskutuar edhe për mundësinë e ndërtimit një spitali të përgjithshëm, menaxhimin e ndonjë spitali të këtushëm ose edhe për hapjen e ndonjë klinike onkologjike. Në takim po ashtu është diskutuar edhe për trajnimin e mjekëve nga Mal i Zi në sistemin “Acibadem” dhe mundësinë që mjekët tanë të përcjellin pacientët malazez që shërohen në këtë spital.

Markoviq në konferencën kushtuar ndryshimeve klimatike 

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq mori pjesë në takimin e shefave të shteteve dhe të qeverive të Konferencës së Kombeve të Bashkuara kushtuar ndryshimeve klimatike, i cili po mbahet në Madrid. Konferenca e Kombeve të Bashkuara kushtuar ndryshimeve klimatike ka filluar punimet në Madrid me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 196 vende të botës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh konsideron se janë të pamjaftueshme aktivitetet për ndalimin e ndryshimeve klimatike. Ai konsideron se ngrohja globale ka arritur pikën nga e cila nuk ka kthim mbrapa. “Duhet ta ndalojnë luftën kudër natyrës”, ka theksuar Guteresh në hapje të kësaj konference. Markoviq, siç është kumtuar nga Qeveria do tu drejtohet pjesëmarrësve të Konferencës, të cilën e kanë hapur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Guteresh dhe Kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez. Konferenca në Madrid është rast për afirmimin e mëtejmë të politikave të Malit të Zi nga fusha e mjedisit dhe e ndryshimeve klimatike, në veçanti duke pasur parasysh se Mali i Zi para një viti e ka hapur kapitullin negociues 27, por edhe për takime bilaterale të Kryeministrit Markoviq, thuhet në kumtesë. Në konferencë marrin pjesë 26 kryetarë të shteteve ose të qeverive si dhe zyrtarët më të lartë të BE-së: Kryetari i Këshillit Evropian Sharll Mishell, Kryetarja e Komisionit Evropian Ursulla Fond Der Llajen dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Zhoze Borell. Në margjinat e tubimit kryeministri Markoviq e ka përgëzuar kryetaren e Komisionit Evropian, Usulla Fon Der Llajen për zgjedhjen e saj në këtë detyrë me përgjegjësi dhe ka përsëritur përkushtimin e plotë të Malit të Zi për reformat dhe vazhdimin me sukses të procesit të integrimeve evropiane, është kumtuar në llogarinë e Qeverisë së Malit të Zi në “Twitter”.

Për menaxhimin më efikas të kufirit 3,9 milion euro shtesë

Bashkimi Evropian me programin e përkrahjes buxhetore në sektor ka lejuar edhe 3,9 milion euro shtesë për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi me qëllim të zhvillimit të mëtejmë dhe efikas të sistemit të kontrollit dhe menaxhimit të kufirit. Siç është kumtuar nga Ministria e Punëve të Brendshme pas evoluimit të rezultateve në implementimin e Strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2014-2018, harmonizimin me sistemin evropian për mbrojtjen e kufijve dhe miratimin e standardeve të Shengenit, BE ka përkrahur forcimin e qasjes të integruar në menaxhimin e kufijve me një shumë të përgjithshme prej 19,9 milion euro. “Në periudhën e kaluar, me përkrahjen e Qeverisë dhe të BE-së janë avancuar dukshëm kapacitetet materiale dhe teknike të policisë kufitare si dhe bashkëpunimi policor në fushën e pengimit të kriminalitetit të organizuar tejkufitar”, thuhet në kumtesë.

Delegacioni i Kuvendit të Malit të Zi vizitoi rajonet e goditura nga tërmeti në Shqipëri 

Delegacioni i Kuvendit të Malit të Zi ka vizituar rajonet e goditura nga tërmeti në Shqipëri dhe, siç është kumtuar, ka transmetuar mesazhin e solidaritetit për popullin dhe pushtetin shqiptar, me dëshirën që pasojat e tërmetit të tejkalohen sa më parë të jetë e mundur. Në kumtesën nga Parlamenti theksohet se delegacioni, të cilin e ka kryesuar nënkryetari i Parlamentit, Genci Nimanbegu, ka vizituar Lezhën, Shëngjinin, Bubqin dhe Durrësin. Nimanbegu i ka njoftuar bashkëbiseduesit se delegacioni parlamentar do ta njoftojë Kuvendin me të dhënat nga tereni me qëllim kërkimin e mënyrave që Mali i Zi t’i ofrojë ndihmë të domosdoshme shtetit fqinj dhe mik. Në fund të vizitës delegacioni është takuar edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, të cilët i shprehën falënderime Malit të Zi për solidaritet dhe ndihmë si dhe delegacionit parlamentar për vizitën e realizuar”, thuhet mes tjerash në kumtesë. Edhe një delegacioni i Komunës së Ulqinit, të cilin e udhëhoqi kryetari i saj Loro Nrekiq me bashkëpunëtorë, vizituan Durrësin. Me këtë rast ata i dorëzuan një ndihmë të konsiderueshme drejtoreshës së Spitalit Rajonal në këtë qytet, Nadira Jani.

Për ndihmë banorëve shqiptarë janë grumbulluar 42,5 mijë euro

Qytetarët e Malit të Zi, subjektet afariste dhe subjektet e tjera kanë paguar mbi 42,5 mijë euro në xhirollogarinë, të cilin e ka hapur Kryqi i Kuq për ndihmë të banorëve shqiptarë të prekur nga tërmeti. Nga Kryqi i Kuq kanë theksuar se janë të kënaqur me zhvillimin e grumbullimit të ndihmave për banorët e Shqipërisë të goditur nga kjo fatkeqësi natyrore dhe i kanë falënderuar të gjithë ata, të cilët deri tani kanë ofruar kontributin e vet. Mjetet e grumbulluara do t’i dorëzohen Kryqit të Kuq të Shqipërisë, i cili që nga fillimi është shumë aktiv në ofrimin e ndihmës së parë, në përkrahjen psiko-sociale dhe shpërndarjen e ndihmës intervenuese tek banorët e rrezikuar, kanë theksuar nga Kryqi i Kuq i Malit të Zi. Nga kjo organizatë kanë theksuar se janë në kontakt të përhershëm me Kryqin e Kuq të Shqipërisë dhe janë duke përcjellë veprimet e Fondacionit Ndërkombëtar të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, të cilat së bashku koordinojnë dhe realizojnë ofrimin e ndihmës. Ndërkohë, siç kanë theksuar, Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e kuqe kanë shpallur apelin preliminar për ti ofruar ndihmë Kryqit të Kuq të Shqipërisë.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme