Mijëra të strehuar në Kosovë, pas tërmeteve në Shqipëri

Pas tërmetit, i cili ka goditur Shqipërinë më 26 nëntor, shumë familje nga Kosova ofruan strehim për ata të cilëve iu është shembur shtëpia, ose që iu është dëmtuar seriozisht.

Mijëra të strehuar në Kosovë, pas tërmeteve në Shqipëri
Arnavutluk depremden etkilenen bazı aileler Prizren-de yerleşti.jpg
Arnavutluk depremden etkilenen bazı aileler Prizren-de yerleşti2.jpg
Isa Mustafa_Albin Kurti_kooalisyon görüşmeleri.jpg
Kosova_Priştine_depreme hazırlık.jpg
Kosova Ticaret Birliği_istihdam.jpg

Mijëra të strehuar në Kosovë, pas tërmeteve në Shqipëri

Pas tërmetit, i cili ka goditur Shqipërinë më 26 nëntor, shumë familje nga Kosova ofruan strehim për ata të cilëve iu është shembur shtëpia, ose që iu është dëmtuar seriozisht.

Përveç familjeve janë edhe institucionet të cilët kanë ofruar mundësi të strehimit siç është kampi inovativ në Prizren.

E autoritetet thonë se gjatë natës ndërmjet të premtes dhe të shtunës, ka pasur një fluks të personave që kanë ardhur nga Shqipëria në Kosovë për t’u strehuar.

Në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren, deri të premten kanë qenë të akomoduar mbi 500 persona nga Shqipëria.

Kurse deri të shtunën vlerësohet se në Prizren janë të sistemuar, në sektorin publik dhe atë privat, rreth 2 mijë persona. E në qytetet e tjera, nuk ka të dhëna të sakta.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe më herët kanë thënë se përmes pikave kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, deri tani nuk kanë ngritur ndonjë kontroll të veçantë evidentimi për të marrë informacione se ku shkojnë personat që hyjnë në Kosovë.

Në Kosovë përveç kampit inovativ, e familjeve, janë edhe disa hotele që I kanë hapur dyert e tyre për strehim dhe ushqim falas. Hotelet që kanë ofruar një shërbim të tillë janë në qytete të ndryshme të Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, më herët i ka ftuar qytetarët që duan të ofrojnë ndihmë në ushqime dhe materiale të tjera të nevojshme, që t’i dërgojnë në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prizren dhe pastaj ato do të delegohen në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluar në vendet ku ka nevojë.

E autoritetet e Kosovës, menjëherë pas tërmetit, kanë dërguar në Shqipëri njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë të Kosovës me mision kërkim-shpëtimi, ndërkohë që Qeveria e Kosovës kishte ndarë 500 mijë euro ndihma për Shqipërinë. Poashtu ka pasur ndihma të mëdha në rroba, ushqim dhe mjete financiare që janë dërguar cdo ditë nga Kosova në Shqipëri.

Qytetarët e Kosovës në këtë mënyrë shprehën solidaritetin dhe bashkëndienin dhimbjen dhe frikën, pas tërmetit shkatërrues që e goditi Shqipërinë.

Tërmeti që ra të martën në mëngjes në orën 03.55 sipas kohës lokale me epiqendër në Durrës, është ndier edhe në gjithë Kosovën, duke shkaktuar frikë ek qytetarët. 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur të mërkurën, 27 nëntor 2019, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë.

Poashtu, janë anuluar të gjitha festimet e paraparë për nder të Ditës së Flamurit me 28 nëntor.

*

Kërkohet miratim i Ligjit të veçantë për mbrojte nga tërmetet 

Arben Gashi, nga radhët e LDK-së, pas tërmetit në Shqipëri, ka thënë se të gjitha komunat e Kosovës, veçanërisht ajo e Prishtinës, duhet të bëjnë vlerësimin e rrezikut sizmologjik.

Përmes një statusi në Facebook, Gashi ka thënë se ka për ndërtesat e vjetra, duhet të vlerësohet rreziku nga ndërhyrjet në strukturë, në katet e para si dhe mbindërtimet.

 “Komunat e Kosovës, veçanërisht komuna e Prishtinës, duhet urgjentisht të bëjnë vlerësimin e rrezikut sizmiologjik. Për ndërtesat e vjetra, duhet të vlerësohet rreziku nga ndërhyrjet në strukturë-në katet e para (hapja e lokaleve), si dhe mbindërtimet. Ndërsa, në objektet e ndërtuara pas luftës, duhet të bëhen vlerësime për rrezikun sizmologjik, si dhe kriteret e ndërtimit dhe projektimit duke përfshirë tejkalimet e lejeve ndërtimore”, ka shkruar Gashi.

Gashi thekson se Qeveria e re dhe Kuvendi duhet të nxjerrin një ligj të veçantë për mbrojtjen nga tërmetet, duke përfshirë këtu vlerësimin e sigurisë së ndërtesave.

*

Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, certifikoi të mërkurën rezultatet e votimeve parlamentare të 6 tetorit duke i hapur rrugën procesit të ngritjes së institucioneve të reja. Përfundimisht, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 26% për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 25% për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 21% për qind, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka fituar 12% për qind, Lista Serbe ka fituar 6% për qind dhe koalicioni i Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë ka fituar 5 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28 vende, Partia Demokratike 24 vende, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb.

Nga dita e certifikimit, vendi ka një afat prej tridhjetë ditësh për mbledhjen e parë të Parlamentit.

Sipas kushtetutës, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga lëvizja Vetëvendosje që është fitues i zgjedhjeve. Nëse kabineti i propozuar prej tij nuk siguron votat e mjaftueshme, përkatësisht së paku 61 vota, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër dhe nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Tashmë është e qartë që presidenti i vendit do t’i jap fillimisht mandatin kandidatit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

*

Të hënën pritet marrëveshja e koalicionit qeverisës 

Gjatë javës janë mbajtur takime mes kryetarëve të dy subjekteve politike që synojnë bashkëqeverisjën në Kosovë, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në takimin dy orësh të së shtunës, të dy liderët janë pajtuar finalizimin 100 për qind të programit qeverisë, si dhe janë dekoruar për 12 ministri.

Para takimit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka theksuar se nuk do të ketë deklaratë për media.

“Dje ka pasur takim midis dy ekipeve tona, sot takohemi bashkë me kryetarin Mustafa, e lëshojmë një komunikatë të përbashkët. Takimet dhe puna vazhdon, do të kurorëzohet së shpejti”, tha ai.

Kurse pas përfundimit të takimit, Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një komunikatë për media përmes së cilës thekson se në takim u finalizua 100 për qind programi qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Me tej, Vetëvendosje thotë se të hënën do të arrihet marrëveshja përfundimtare me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa në takim janë dakorduar që programi qeverisës t’i ketë 12 ministri.

“Në vijim do të përzgjidhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Takimin për të hënën, e konfirmoi edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Do të vazhdojmë të hënën...”, tha shkurt Mustafa.

Ndryshe, të premten janë takuar grupet punuese të Vetëvendosjes dhe LDK-së, ku është paralajmëruar se në fillim të javës pasuese do të nënshkruhet marrëveshja e koalicionit të dy partive.

*

Kurti kritikon Prokurorinë Speciale që nuk po ndjekë kriminelët e luftës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke kujtuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që ndodhi me 30 maj të këtij viti, ka thënë se Prokuroria Speciale po hesht kundrejt ndjekjes dhe gjykimit të kriminelëve të luftës. Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti, thotë se me këtë ndryshim iu mundësua sistemit të drejtësisë së Kosovës të nisë procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës, edhe kur ata janë në mungesë. Kurti tha se ishte gëzuar kur u amandamentua ky ligj, sepse më në fund edhe Kosova po ndiqte shembullin e Kroacisë, duke fituar të drejtën për t’i përndjekur kriminelët e luftës kudo që ata janë, e jo vetëm brenda kufijve.

“Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht, sepse janë ende gjallë të mbijetuarit e familjarët e viktimave”, ka thënë Kurti.

Kurti, pyet Prokurorinë Speciale pse ende nuk ka çuar para trupit gjykues masakruesit e luftës së fundit në Kosovë.

“Por, prokuroria speciale po hesht. Pse nuk kanë nisur hetimet dhe akuzat? Pse nuk janë çuar ende përballë trupit gjykues masakruesit e popullit tonë? Pse nuk ka sot një konferencë të tyre për medie ku ata raportojnë publikisht për punën e tyre në këta gjashtë muaj. Prokurorët specialë nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë pasivë në lidhje me këtë”, ka shkruar ai.

*

Sipas AKB-së ka pasur rënie të punësimit 

Aleanca Kosovare e Bizneseve, në hulumtimin “Vlerësimi i Nevojave të tregut të Punës 2019”, thekson se në dy vitet e fundit, kanë rënë investimet e huaja për 30 për qind, ndërkohë që numri i të punësuarve, ka shënuar rënie për 12 mijë persona.

Kështu tha kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, gjatë prezantimit të një hulumtimi të bërë për vlerësimin e nevojave të tregut të punës për vitin 2019.

“Deri në vitin 2017 ne kemi pasur një rritje mesatarisht 4.2% dhe 3.8 në vitin 2018. Nëse e krahasojmë vitin 2017 me 2018, më ka pasur të punësuar 12 mijë punëtorë”, tha Shahini.

Numri i bizneseve në vend ka shënuar rënie, ndërkohë që papunësia në vend është e theksuar, tha kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini.

“Tek ne numri i bizneseve është dita ditë duke u zvogëluar. Ky është një shqetësim, pasi punëtorët e mirë po i merr perëndimi, ekspertët tanë po ikin në perëndim”, tha Ajdini.

Hulumtimi është bërë në 32 komuna, me një mijë biznese në sektorë të ndryshëm.

*

Mediat në Kosovë, me mungesë të etikës

Mediat në Kosovë dhe rajon vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të etikës dhe saktësisë nëpër lajmet që i publikojnë, u tha në një konferencën rajonale në Prishtinë, të mbajtur nga Instituti i Medias dhe Komunikimit. Kryetarja e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, tha se eprorët e mediave në Kosovë për qëllim të klikushmërisë punojnë me lajme sensacionale, derisa sipas saj, në këtë aspekt ndikon mos-identifikimi i gazetarëve nëpër artikujt e postuar.

Sipas saj, tërmeti i fundit ka nxori në pah mungesën e etikës në media , ku ajo i përmendi disa fotografi që janë përdorur si ilustrime dhe që nuk e paraqesin gjendjen faktike.

*

Kosova mëson kundërshtarët potencialë në Kampionatin Europian 

Është hedhur shorti për “Euro 2020” që do të mbahet në muajin qershor 2020. 

Kosova në rast kualifikimi do të jetë në grupin C, me Holandën, Ukrainën dhe Austrinë.

Reprezentacioni i Kosovës mund të kualifikohet në europian vetëm nga Liga e Kombeve, në kuadër të cilës me 26 mars takohet ndaj Maqedonisë Veriore. Në rast fitores, në finale Kosova do të ballafaqohet me fituesin tjetër të fazës gjysmëfinale, Gjeorgji-Bjellorusi.

Euro 2020” do të fillon në qershor 2020 dhe zhvillohet në 12 shtete të ndryshme.

Ndeshja hapëse e kampionatit zhvillohet në Romë më 12 qershor në mes të kundërshtarëve të grupit A: Italia –Turqia.

Në rast se kualifikohet, Kosova ndeshjen e parë e zhvillon më 14 qershor, kundër Austrisë në Bukuresht. Edhe ndeshja e dytë zhvillohet në kryeqytetin e Rumanisë, ku Kosova do të luante me Ukrainën më 18 qershor. Kurse ndeshjen e tretë do ta zhvillonte në Amsterdam, kundër Holandës, me 22 qershor.



Lajme të ngjashme