Shqipëri – Rama: Duam që të prekurit nga tërmeti t’i kthejmë në shtëpi deri në mes të dhjetorit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi të shtunën se synojnë që deri në mesin e dhjetorit t’i strehojnë në shtëpi familjet e prekura nga tërmeti 6,3 ballësh që goditi vendin e tij më 26 nëntor.

Shqipëri – Rama: Duam që të prekurit nga tërmeti t’i kthejmë në shtëpi deri në mes të dhjetorit

Duke folur për Korporatën e Radios dhe Televizionit të Turqisë (TRT) dhe Agjencinë Anadolli (AA) mbi aktivitetet e ardhshme pas tërmetit që mori jetën e dhjetëra personave, Kryeministri Rama bëri me dije se sapo kanë filluar të bisedojnë për hapat e ardhshme dhe se tani është koha që të kujdesen për familjet e prekura.

“Ne duam t’i vendosim ata në shtëpi jo më vonë se deri në mes të dhjetorit. Por natyrisht është larg nga e mjaftueshmja, pasi janë mijëra e mijëra familje që duhet t’u ndërtohen shtëpitë ose të sigurohen që ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre”, deklaroi Rama.

Ai përshëndeti ekipet e huaja të shpëtimit, të cilët ndihmuan në operacionet e kërkim-shpëtimit për të mbijetuarit nën rrënoja.

“Që t’i shpërblejë këto veprime, nuk ka asnjë koment që unë mund të them për këta djem, vajza, burra e gra të cilët erdhën të ndihmojnë Shqipërinë në këtë moment tepër të errët. Ata ishin engjëjt tanë mbrojtës që erdhën nga qielli. Këto ditë kam parë gjëra të mrekullueshme dhe njëra nga më të paharrueshmet është trimëria dhe gatishmëria e këtyre njerëzve me uniformë, që hodhën jetën e tyre në një vend të huaj”, tha Rama.

Më tej Rama bëri të ditur se tërmeti i fuqishëm ka shkaktuar dëme të mëdha në prona dhe dëme materiale.

Por – vijoi ai – ne kemi miq të rinj dhe kjo është me të vërtetë e mrekullueshme.

Shefi i qeverisë shqiptare po ashtu theksoi se me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, vazhdimisht ka kontaktuar në telefon dhe e ka informuar për aktivitetet në terren, pasi që, siç thotë, ai beson tek Presidenti Erdogan dhe ndihma e tij nuk është një “surprizë”.

“Nuk është surprizë për mua, e dija që ai do të bënte më të mirën. Ai është një burrë që kur thotë «po» është «po» dhe kur thotë «jo» është «jo»(...) Ju pëlqen ose nuk ju pëlqen, «po» është «po» dhe «jo» është «jo»”, u shpreh Rama.

Më 26 nëntor, Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudë 6,3 ballë dhe përveç 51 viktimave dhe qindra të plagosurve, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, objekte të institucioneve, ndërkohë që vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.

Presidenti Erdogan paralajmëroi të premten se pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë, vendi i tij, “si vëllezër turq”, do të ndërtojë 500 njësi banimi në Shqipëri. / AA



Lajme të ngjashme