Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave të shqiptarëve në Ballkan

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka organizuar në Tiranë konferencën mbarëkombëtare me temë “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit Perëndimor”.

1312318
Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave të shqiptarëve në Ballkan

Të pranishëm në këtë konferencë ishin zyrtarë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, ndërsa kishte si objektiv krijimin e një platforme të përbashkët bashkëpunimi në nivel mbarëkombëtar.

Në fjalën e tij në konferencë ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se kjo mbledhje e faktorëve politikë shqiptarë nga gjithë rajoni mund të jetë e vonuar, por sipas tij, kurrsesi nuk mund të konsiderohet e padobishme.

“Takime të kësaj natyre janë të nevojshme gjithmonë, jo vetëm se jemi pak ditë para festës së pavarësisë, por edhe sepse ndryshimi i rrethanave politike në rajon, Evropë e më gjerë kërkon një rivlerësim të kujdesshëm politik dhe një gjykimi kritik nga faktori shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Bashkërendimi i qëndrimeve politike sot nuk është vetëm një detyrim historik dhe kombëtar, por dhe një interesim që duhet të shfaqet nga ana jonë nga pikëpamja politike dhe strategjike në përgjithësi", theksoi Cakaj.

Sipas tij, Shqipëria si shteti qendror dhe më i madh i shqiptarëve duhet të ketë një rol më të madh në angazhimet e saj në rajon.

“Shqipëria këtë rol nuk mund ta luajë as me një diktat nga lart e as të njëanshëm pa konsultime, por këtë duhet ta bëjë në bashkëpunim të ngushtë me ju dhe në koordinim të vazhdueshëm me faktorin shqiptar në përgjithësi. Kjo mbledhje i shërben rritjes së komunikimit mes nesh, bashkërendimit të qëndrimeve politike, thellimit të diskutimeve dhe marrëdhënieve institucionale”, tha Cakaj.

Në përfundim të fjalës së tij, Cakaj u shpreh se shqiptarët kanë mbështetur pa kursim procesin e integrimit evropian, pavarësisht se sipas tij procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor aktualisht është i kushtëzuar nga vetë reforma e brendshme e BE-së.

Ndërsa ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli në fjalën e tij tha se ka ardhur koha që të qeveriset nga një pozitë e arsyes dhe jo e ndjenjave.

“Në vendet tona kërkohet modesti, vetëm me modesti mund të jemi më afër problemeve, qytetarëve, afër kërkesave të kombit. Modesti prej Shqipërisë do të thotë koordinim pa zhurmë. Ne duhet të jemi bashkë dhe të harmonizojmë interesat kombëtare. Të ngrihemi mbi akuzat që na i frymëzon padituria dhe agjenda e vobektë partiake, interesat partiake, lokaliste, rajonale dhe lojërat për zgjedhjet e radhës”, tha Pacolli.

Sipas Pacollit, elita politike e Shqipërisë “duhet të na ndihmojë të jemi bashkë dhe se kur jemi bashkë jemi më të ditur dhe më të fortë”.

“Mënyra e vetme që ne të fitojmë paqen me Serbinë është zhvillimi ynë i përbashkët me strategji të përbashkët, forcimi i marrëdhënieve me Perëndimin dhe jo dobësimi i marrëdhënieve me ta. Elita politike e Shqipërisë duhet të na ndihmojë të jemi bashkë”, u shpreh Pacolli.

Ndërsa zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në fjalën e tij tha se kjo konferencë është një mundësi e mirë për të sintetizuar mendimin politik dhe intelektual mbi bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes shqiptarëve në rajon.

“Çmojmë lart kontributin e shtetit shqiptar për aktivitetet e përvitshme diplomatike, politike e kulturore. Rajoni ka kaluar transformime të ndjeshme në 20 vitet e fundit, duke përfshirë dhe ridizenjimin e hartës së re politike të Ballkanit me pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe ridizenjimin e kornizës kushtetuese dhe sistemit politik në Maqedoninë e Veriut, që mundësoi integrimin e komunitetit shqiptar në çdo pol të sistemit. Roli i Shqipërisë ka qenë kyç, pozitiv dhe konstruktiv në mundësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”, tha Osmani.

Diskutimet në konferencë u fokusuan në dy tema kryesore si “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor” dhe “Roli i diplomacisë së Shqipërisë në promovimin e trashëgimisë kombëtare”. (Agjencia Anadolli-AA)



Lajme të ngjashme