Përfundon procesi i numërimit, pritet certifikimi dhe qeveria e re në Kosovë

Udhëheqësit e dy subjekteve politike, Vetëvendosjes dhe LDK-së, janë pajtuar që një orë pas certifikimit të rezultateve, të takohen sërish për ta formalizuar brenda 72 orësh marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Përfundon procesi i numërimit, pritet certifikimi dhe qeveria e re në Kosovë
Kosova Seçimleri_oy sayma merkezi.jpg
Albin Kurti_Ramush Haradinaj_gümrük vergisi.jpg
Kosova_akaryakıt fiyatlarına artış.jpg
Priştine Üniversitesi Rektörlüğüne çamurlu protesto.jpeg
Vetting_güvenli incelenmesi.jpg

Përfundon procesi i numërimit, pritet certifikimi dhe qeveria e re në Kosovë

Ka përfunduar procesi i rinumërimit të mbi 1.400 vendvotimeve në Kosovë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, tha se, para certifikimit të zgjedhjeve do të marrin konfirmim nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme. Elezi tha se brenda 24 orëve mund ta paraqiten ankesat në PZAP, ndërsa publikimi i rezultateve në faqen e KQZ-së pritet të bëhet më së largu të hënën.

“Ju njoftoj se rezultatet pas këtij procesi të rinumërimit do të publikohen në Webfaqen e KQZ-së, besoj sa më shpejt të jetë e mundur. Brenda 24 orëve mund të parashtrohen ankesat, në qendrën e numërimit dhe rezultateve, 24 orë nga moment kur është vërejtur ndonjë shkelje”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para certifikimit të rezultatit përfundimtar merr konfirmimin nga PZAP dhe nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje në zhvillim.

*

Kurti e Mustafa thonë se brenda tri dite pas certifikimit, formalizojnë bashkëqeverisjen

Brenda 72 orësh, pas certifikimit të rezultati zgjedhor, kandidati për kryeministër Albin Kurti si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kanë premtuar se do të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje. Ky dakordim është arritur në takimin që patën krerët e dy subjekteve politike. Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka konsideruar mjaft konstruktiv takimin me kreun e LDK-së dhe ka shtuar se një orë pas certifikimit ata të dy do të takohen për ta formuar koalicionin qeverisës.

“Në këtë takim ne u morëm vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit të takohemi në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen brenda 3-4 ditëve pastaj”, tha Kurti.

Ndërkohë, posti i presidentit, që është përfolur shumë këto ditë, nuk ka qenë temë e takimit Kurti-Mustafa. Madje, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se me Kurtin nuk kanë biseduar as për postet konkrete të ministrive, duke theksuar se çdo gjë do të qartësohet me marrëveshjen për bashkëqeverisje e cila do të arrihet pas certifikimit të rezultateve.

“Për poste nuk kemi biseduar, s’kemi biseduar as për ministri konkrete. posa të bëhet certifikimi i rezultateve do të ulemi menjëherë bashkërisht me ekipet të merremi vesh për mundësinë e themelimit të qeverisë së përbashkët në mes të dy subjekteve tona politike”, tha Mustafa.

Krerët e dy subjekteve politike, që morën më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, janë pajtuar që grupet punese ta vazhdojnë punën e tyre për harmonizimin e plotë të programit, që sipas tyre, do të jete program i zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve.

*

Albin Kurti: U siguruan votat për Qeverinë 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se janë siguruar votat për votimin e Qeverisë së Kosovës dhe për të kryeministër. Këtë njoftim, Kurti e ka bërë pas një takimi që ka pasur në Prizren.

“Pavarësisht rinumërimeve dhe paneleve, u sigurua shumica parlamentare për qeverinë e re. Kryetarët e tri partive të komuniteteve jo-shumicë, njëkohësisht edhe deputetë të ardhshëm, zotërinjtë Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli do ta votojnë qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, pa kushtëzime. 6 tetori 2019 është data kur ka nisur ardhmëria”, ka shkruar Kurti në Facebook.

*

Kurti kritikon qeverinë në ikje për keqpërdorime

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se periudha nga 6 tetori e këndej po karakterizohet nga keqpërdorimi i skajshëm i vakuumit institucional nga ana e qeverisë në ikje. Sipas tij, keqpërdorimet kanë tri gjëra të përbashkëta: rehatime të militantëve partiakë e të familjarëve nëpër detyra me përgjegjësi; vështirësimi i punës së qeverisë së re përmes vendosjes në pozita me rëndësi të personave jokompetentë e me potencial bllokues; si dhe, dëmtimi i buxhetit të shtetit.

Kurti ka thënë se qeveria në ikje posaçërisht duhet të jetë e përmbajtur kur bëhet fjalë për emërime të ndjeshme si ato në Noteri, Gjyqësi, Diplomaci, Siguri publike apo AKI. Këto vendime sipas tij I i takojnë kryekëput qeverisë së re, pasi të ketë përfunduar skanimi i gjendjes ekzistuese dhe identifikimi i pengesave në operimin e suksesshëm të secilës prej tyre.

Albin Kurti thotë se pasi të zgjidhet kryeministër i vendit të gjitha vendimet që po merren nga qeveria në detyrë e që janë tejkalim i kompetencave të një qeverie kujdestare do të anulohen dhe vendimmarrësit do të vihen para përgjegjësisë.

*

Haradinaj thotë se heqja eventuale e taksës do të ishte gabimi i pafalshëm 

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj thotë se nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, e heqin taksën 100% ndaj Serbisë e Bosnjë e Hercegovinës, e bëjnë një gabim e cila do të ishte e pafalshme dhe se me ata do të talleshin bashkësia ndërkombëtare e Serbia. Ai për “Kosovapress” ka shtuar se Serbia po vazhdon që t’i përkeqësojë raportet ndaj Kosovës. Po ashtu, largimi i taksës sipas tij do të ishte në dëm të prodhuesve vendor, që gjatë kësaj kohe kanë shënuar rritje në prodhim e punësim.

Sa i përket asaj që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe pretendenti për kryeministër të vendit, Albin Kurti, kishte deklaruar se ndaj Serbisë do të vendosej masa e reciprocitetit, Haradinaj thotë se taksa dhe reciprociteti mund të funksionojnë së bashku.

E për takimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës për koalicion, kryeministri në detyrë thotë se janë normale, por që shihet se ka disa vështirësi në arritjen e marrëveshjes mes këtyre dy partive.

Haradinaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Vetëvendosja dhe kryetari i saj Albin Kurti janë mashtrues, ku ai thotë se plot qëndrime të tij janë mashtrime.

Megjithatë, ai thotë se është i interesuar që rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit të implementohet dhe të krijohet qeveria e vendit, në mënyrë që të shihet se çfarë sinjalesh do të jap qeveria e re.

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, pasi që ka hequr dorë nga pozita e deputetit. Këtë vendim ai thotë se e ka marrë për shkak se do të angazhohet më shumë me partinë që e udhëheq.

*

BQK ngritë tarifat për regjistrim të automjeteve

Pas vendimit për ngritjen e tarifës për regjistrimin e automjeteve prej afro 27% për qind nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një konferencë për media BQK ka arsyetuar këtë veprim duke thënë se e ka bërë për mbrojtje të mbajtësit të policave. Guvernatori, Fehmi Mehmeti, tha se ky vendim është marrë për të mbrojtur polica-mbajtësit, pasi që nga viti 2001 kur është nxjerr ky ligj, nuk është bërë asnjë rishikim i këtyre tarifave. BQK thotë se përmes tarifave të reja, kompanitë e sigurimeve janë në gjendje t’i mbulojnë obligimet ndaj qytetarëve, pasi sipas tij, deri më tani kompanitë kanë operuar me humbje.

*

Protesta kundër ngritjes së çmimeve nga BQK-ja 

Qytetarë të shumtë kanë protestuar para ndërtesës së Bankës Qendrore të Kosovës kundër vendimit për ngritjen e tarifës për regjistrimin e automjeteve për 27 për qind. Janë mbajtur dy protesta të ndryshme, një të premten dhe një të shtunën të organizuara nga organizata të ndryshme. Por qëllimi është i njëjtë, të anulohet vendimi për ngritjen e tarifave për sigurim të automjeteve.

Përfaqësues i protestës Agan Hajdarhoxhaj tha se e kundërshtojnë këtë vendim të BQK-së, dhe kërkojnë pezullimin e tij.

“Në kërkojmë nga BQK, që ta pezulloj menjëherë vendimin apo ta kthejë prapa vendimin të cilin e ka marrë. Ne nuk do të ndalemi me protesta nëse nuk kthehet vendimi i vjetër”, tha ai.

Qytetarët po thonë se vendimi BQK-së është i pa përballueshëm për qytetarët.

E guvernatori  i BQK-së, Fehmi Mehmeti ftoi përfaqësuesit e protestës të dorëzojnë me shkrim kërkesat e tyre, të cilat, ai premtoi se do t’i shqyrtojë pas tri ditësh.

*

Kërkohet Vetting edhe në Kosovë

Vettingu është mënyra e vetme për të siguruar pavarësinë e plotë të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Kështu vlerësuan ekspertë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, sipas të cilëve, reforma më qenësore që sistemi i drejtësisë duhet t’i nënshtrohet, është kontrolli i integritetit, profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës se gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ekspertë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike vlerësojnë se qeveria e re, duhet të ketë prioritet fillestar, fillimin e një procesi të Vettingut për sistemin e drejtësisë. Arbëresha Loxha, nga ky institut, tha se procesi i Vettingut duhet të ketë pranim të gjerë të klasës politike, aktorëve civilë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët kanë fokus në fushën e sundimit të ligjit.
Procesi i Vettingut në sistemin e drejtësisë, sipas Rreze Hoxhës, duhet të këtë së paku tre komponentë, njëri prej të cilëve, është edhe integriteti ku përmes së cilit bëhet vlerësimi i të kaluarës.
Sipas Grupit për Studime Juridike e Politike, Vettingu duhet të përfshijë edhe kategori të tjera të institucioneve, sidomos në Polici, Doganë dhe zyrtarët e prokurimit.

*

Autoriteti i konkurrencës thotë se ka pasur marrëveshje për çmime të naftës

Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë, për dhjetë muaj ka nisur një hetim për tregun e derivateve të naftës pas lajmeve dhe reagimeve se ndërmarrjet që operojnë në treg nuk kanë reflektuar në krahasim me çmimet e bursës. Kryetari i AKK-së Valon Prestreshi tha se janë hetuar 14 ndërmarrje dhe se është konstatuar se për muajin janar dhe tetor ndërmarrjet kanë pas një përqindje të fitimit prej 9 %, në nëntor 60% dhe 124 % në dhjetor. Ndërsa për benzinë kanë pas mesatare të fitimit 11 %, për nëntor 108% dhe 135 % për dhjetor. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës konstaton se në bazë të fakteve të gjetura ka pasur marrëveshje mes kompanive që tregtojnë naftë për ti mbajtur çmimet lartë, pa marrë parasysh uljen e konsiderueshme të tyre në bursa ndërkombëtare.

*

Baltë mbi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës

Aktivistët e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dhe të organizatës "Admovere" përmes një aksioni kanë hedhur baltë mbi objektin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, pasi sipas tyre, Këshilli i Etikës nuk po e zbaton Kodin e Etikës dhe e arsyeton plagjiaturën në këtë institucion. Këto dy organizata kërkuan shkarkimin e menjëhershëm të këtij këshilli.

Shkëlzen Gashi, nga “Admovere”, tha se Këshilli i Etikës i ka hedhur poshtë dy raste të plagjiaturës, të cilat kjo organizatë i ka adresuar më parë në Rektorat.

Ndërkaq, udhëheqësi i ORCA-s, Rron Gjinovci, theksoi se deri në shkarkimin e Këshillit të Etikës nuk do të ndalen me aksione.

Aktivistë të dy organizatave hodhën baltë mbi objektin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke deklaruar se kështu është  fytyra e vërtetë e Universitetit.



Lajme të ngjashme