Dënim për mbajtjen e flamurit shqiptar në festën tradicionale “Ditët e Gështenjës” në Krajë

300 euro gjobë dhe dëbim nga Mali i Zi për tre muaj pa të drejtë qëndrimi për sportistin shkodran që valëviti flamurin shqiptar.

Dënim për mbajtjen e flamurit shqiptar në festën tradicionale “Ditët e Gështenjës” në Krajë
Irfan-Domnori.jpg
Irfan-Domnori_2.jpg
Vllastimir Golluboviq_Karadağ Ekonomi Odası Başkanı.jpg
Karadağ_ülke haritası_ingilizce.jpg
Karadağ Akdenizin İncisi.jpg

Policia malazeze dënon shtetasin shqiptar për valëvitjen e flamurit në Krajë

Policia e Malit të Zi ka dëbuar nga vendi një shtetas shqiptar sepse ai kishte shpalosur flamurin shqiptar në manifestimin mbarëpopullor “Ditët e gështenjës 2019”, që u organizua gjatë fundjavës në Krajë. “Bazuar në Ligjin për Kundërvajtje, i huaji u gjobit me 300 euro dhe u dëbua nga territori i Malit të Zi për një periudhë prej një muaji”, thuhet në një deklaratë të policisë.” Ndërsa Mali i Zi nuk i ndalon pakicat etnike të shfaqin simbolet e tyre kombëtare, ai kërkon që ata gjithashtu të shfaqin flamurin kombëtar të Malit të Zi së bashku me këto simbole ose përballen me gjoba që variojnë nga 100 deri në 500 euro. Në gusht Ministria e Kulturës e Malit të Zi njoftoi akuza ndaj organizatorëve të një koncerti pranë qytetit të Tuzit për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar. Forumi Shqiptar, një koalicion partish, i cili është pjesë e qeverisë së Malit të Zi, argumentoi megjithatë se flamuri që u shfaq ishte “flamuri i të gjithë shqiptarëve, jo i një shteti të huaj”. Vitin e kaluar, një grup turistësh shqiptarë u gjobitën gjithashtu me 230 euro për valëvitjen e një flamuri shqiptar në qytetin bregdetar të Budvës. Me rreth 630.000 banorë. Mali i Zi është një shtet multietnik i pazakontë pasi nuk ka asnjë komunitet që përbën më shumë se gjysmën e popullsisë së tij. Rreth 45 për qind identifikohen si malazezë, rreth 29 për qind si serbë dhe 5 për qind si shqiptarë.

KKSH: Të papranueshme veprimet e përsëritura të autoriteteve policore malazeze ndaj flamurit kombëtar të shqiptarëve 

Për rastin e fundit, të ndodhur në festën tradicionale “Festa e Gështenjës” në Krajë, në të cilën është ndaluar dhe proceduar një shqiptar për shkak të shpalosjes së flamurit kombëtar, ka reaguar Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi. Në kumtesën lëshuar për opinion thuhet se “me këtë veprim tregohet qartë fytyra e vërtetë e disa pjesëtarëve të autoriteteve policore malazeze, të cilët shfrytëzojnë rastet dhe hapësirat ligjore për të shprehur animuzitetin që kanë ndaj simboleve dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Edhe pse shpalosja e simboleve, të cilat shprehin identitetin kombëtar të pakicave që jetojnë në Malin e Zi është e drejtë e garantuar në Kushtetutën e Malit të Zi, edhe pse Ligji aktual në fuqi për përdorimin e simboleve kombëtare e lejon përdorimin e lirë të simboleve në manifestime dhe organizime private, edhe pse Këshilli Kombëtar në dy raste në vitin 2012 dhe 2014 e ka informuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi hollësisht se cili është simboli, gjegjësisht flamuri kombëtar i shqiptarëve në Malin e Zi, për disa zyrtarë të policisë malazeze kjo shpalosje e identitetit krijon problem dhe këta zyrtarë e shfrytëzojnë nenin famëkeq 23 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike, sipas të cilit dënohen personat që shpalosin simbolin e një shteti tjetër brenda Malit të Zi. Këshilli Kombëtar për rastin në fjalë do të informojë përfaqësitë diplomatike në Malin e Zi dhe do të shprehë qëndrimin e tij, duke cilësuar se këto veprime i vlerëson si shkelje të drejtave kombëtare të pakicës shqiptare në Malin e Zi, në shkelje me Kushtetutën, Ligjin dhe konventat ndërkombëtare, të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut dhe pakicave. Qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë është se nuk ka, as nuk do të ketë pushtet në Malin e Zi që do t’i frikësojë shqiptarët në shpalosjen e identitetit të vet kombëtar përmes simboleve nacionale edhe përkundër tendencave të herëpashershme për provokime dhe frikësime. Shqiptarët në Malin e Zi janë popull autokton, të cilët do të ruajnë dhe shpalosin identitetin e vet kombëtar me çdo kusht e në çdo situatë pa cenuar askënd dhe nuk lejojnë të nënshtrohen, t’i bëhet presion, të manipulohen e ngjashëm. Këshilli Kombëtar do të qëndrojë krah çdo atdhetari që dëshiron të shprehë identitetin kombëtar, me të gjitha format dhe mjetet demokratike. Ne do të vazhdojmë me shpalosjen e flamurit kombëtar, sepse jemi në ditët më madhështore për kombin shqiptar, festën e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar” thuhet në kumtesën për opinion lëshuar për media nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi .

Malta përkrah anëtarësimin e Malit të Zi në BE 

Malta në tërësi përkrah anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian e vetëdijshme për përparimin e madh që ka arritur Mali i Zi, ka deklaruar kryeministri i këtij vendi Xhozef Muskat. Ai është takuar me kryeministrin Dushko Markoviq me rastin e inaugurimit turbinave me erë në malin Mozhur. Vendimi i Këshillit të BE-së për mosmiratimin e fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë historikisht është i gabuar, konsideron Muskat, duke shpresuar se ai do të revizionohet. Mali i Zi, pa marrë parasysh vendimet e fundit të Brukselit, do të vazhdojë me përkushtim të njëjtë që të plotësojë obligimet evropiane, ka deklaruar kryeministri Makroviq. Pas bisedimeve zyrtare me kolegun nga Malta, ai ka theksuar se Mali i Zi, vlerëson lartë mbështetjen në vazhdimësi të Maltës për reforma në rrugën e miratimit dhe zbatimit të standardeve Evropiane. “Jemi mirënjohës për përpjekjet e përgjithshme, të cilat i ka ndërmarrë Mali i Zi ndaj integrimeve në Bashkimin Evropian, ndaj të cilave kanë treguar konsideratë gjatë kryesimit me sukses të Këshillit të BE-së nga Malta në vitin 2017, në kohën kur përkohësisht i kemi mbyllur dy kapitujt, ka deklaruar Markoviq. Kryeministri Muskat me këtë rast ka vërtetuar mbështetjen e vendit të tij për integrimin e plotë evropian të Malit të Zi dhe se Malta askurrë nuk ka sjellë në pyetje përkrahjen ndaj Malit të Zi. Ne, në tërësi përkrahim anëtarësimin tuaj në Bashkimin Evropian të vetëdijshëm për përparimin që keni arritur”,- ka deklaruar kryetari i Qeverisë së Maltës, Xhozef Muskat pas takimit me Kryeministrin Dushko Markoviq.

Valorizimi i aeroporteve të Malit të Zi për rritjen e ekonomisë

Valorizimi i Aeroporteve të Malit të Zi do të kontribuojnë në rritjen më të shpejtë të ekonomisë malazeze, ka vlerësuar Kryeministri Dushko Markoviq. Në mbledhjen vjetore të Këshillit të Investitorëve të Huaj ai ka theksuar se është i kënaqur me interesimin e investitorëve strategjik për aeroportet e Malit të Zi. Ai ka shtuar se Mali i Zi tash tre vjet me radhë shënon shkallë impresive të rritjes ekonomike. Po ashtu ka shtuar se anëtarësimi në NATO sjell përfitime, para së gjithash ekonomike dhe të sigurisë. “Sipas disa vlerësimeve rritja e investimeve nga vendet anëtare të NATO-s është mbi 60%. Kjo pozitë e promovon fuqishëm Malin e Zi si destinacion të sigurt investues”, ka thënë Markoviq. Ai ka folur edhe për rezultatet e sezonit të turistik të këtij viti. “Në ditën e sotme kemi 160 mijë turistë dhe 400 mijë bujtje më tepër se gjatë tërë vitit të kaluar. Në këtë moment i kemi tejkaluar efektet financiare nga turizmi në krahasim me vitin e kaluar”, ka konkluduar Markoviq.

Mali i Zi në krye të vendeve evropiane për investime 

Kryetari i Dhomës Ekonomike të Malit të Zi, Vllastimir Golluboviq duke folur në hapjen e forumit ekonomik në Vjenë ka ftuar investuesit që të investojnë në ekonominë malazeze duke potencuar se tri vitet e fundit të ardhurat e përgjithshme të investimeve të huaja kapin shumën prej 1,5 miliardë euro. Forumi Ekonomik i Vjenë, është ngjarje me renome, e cila merret me promovimin e bashkëpunimit dhe çështjet aktuale ekonomike në vendet, të cilat gravitojnë në Bregdetin e Adriatikut dhe Detit të Zi. Golluboviq, ka theksuar gjithashtu se Mali i Zi, viteve të fundit ka realizuar rritje të dukshme dinamike në aspektin ekonomik. Fjala është për trendin, i cili ka filluar në vitin 2006 me pavarësimin e Malit të Zi, prej kur në ekonominë malazeze është investuar afro 10 miliard euro nga më shumë se 125 shtete, ka theksuar Golluboviq. Me anëtarësimin në NATO ambienti afarist i Malit të Zi është bërë atraktiv për investime, një gjë të tillë e vërtetojnë edhe të dhënat se investimet e përgjithshme të drejtpërdrejta nga jashtë në vitin 2018 janë rritur 27,9% krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa nga vendet anëtare të Aleancës është investuar 64% më shumë krahasuar me periudhën e mëparshme, ka deklaruar Golluboviq.

Marrëveshja për realizimin e planit të veprimit në luftën kundër terrorizmit

Mali i Zi dhe Komisioni Evropian kanë nënshkruar marrëveshjen për realizimin e planit të përbashkët aksionar në luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor, është kumtuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ministri i Punëve të Brendshme, Mevlludin Nuhoxhiq në forumin e ministrave të Drejtësisë dhe të ministrave të Punëve të Brendshme të BE – Ballkani Perëndimor ka theksuar se marrëveshja, të cilën e kanë nënshkruar me komisionarin evropian për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopullos  paraqet edhe një dëshmi të përkushtimit absolut të Malit të Zi ndaj vlerave dhe politikave evropiane. Ai ka shtuar se është kumtuar qartë se BE do ta përkrahë Malin e Zi dhe kjo do të kontribuojë për një Ballkan Perëndimor më stabil dhe më të sigurt si dhe progresit të mëtejmë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ai ka shtuar se një Ballkan më i fortë do të thotë edhe një Evropë më e fortë dhe për këtë arsye integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është investim për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës në përgjithësi.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme