Bosnjë-Hercegovina reagon ndaj deklaratës së Macron-it

Zvizdiç, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili BeH-në e quajti "bombë me sahat" për shkak të kthimit të pjesëmarrësve në luftërat e huaja.

Bosnjë-Hercegovina reagon ndaj deklaratës së Macron-it

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Denis Zvizdiç, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili BeH-në e quajti "bombë me sahat" për shkak të kthimit të pjesëmarrësve në luftërat e huaja, duke porositur se BeH nuk është kërcënim për askënd, raporton Anadolu Agency (AA).

"Sipas informacioneve relevante të institucioneve dhe agjencive ndërkombëtare dhe sipas raporteve të fundit nga Departamenti i Shtetit dhe agjencive tjera të inteligjencës, thuhet shumë qartë se BeH ka bërë përparim të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit. Është ndaluar shkuarja e qytetarëve të BeH-së në luftërat e huaja dhe në fund asnjë qytetar i BeH-së nuk ka marrë pjesë në ndonjë akt terrorist në Evropë ose kudo në botë”, tha Zvizdiç.

Sipas tij, kjo tregon qartë angazhimin serioz të BeH-së në luftën kundër terrorizmit, i cili ka rezultuar edhe në konstatimin shumë të qartë në raportet e institucioneve dhe agjencive relevante duke thënë se BeH është një partner shumë i besueshëm kundër-terrorizmit dhe një partner në koalicionin global në luftën kundër DEASH-it.

"Ne mbetemi shumë të përkushtuar në luftën kundër përbindëshit global. Asnjë më pak ose më shumë qytetarë nuk e kanë braktisur BeH-në se çdo vend tjetër nga Ballkani Perëndimor ose Evropa dhe për këtë shkak BeH nuk është dhe nuk do të jetë asnjë kërcënim", tha Zvizdiç.

Macron në një intervistë për revistën britanike “Ekonomist”, tha se Bosnjë e Hercegovina është një “bombë me sahat” që rreh pranë Kroacisë, gjegjësisht kufirit të Bashkimit Evropian (BE). (AA)



Lajme të ngjashme