“Pa Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian është më i pasigurt”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, përshëndeti takimin vjetor të komisioneve parlamentare të mbrojtjes dhe sigurisë të Evropës Juglindore, i cili u zhvillua në Tiranë, në datat 5-6 nëntor.

Güneydoğu Avrupa Ülke Parlamentoları Savunma ve Güvenlik Komisyon Başkanları Yıllık Toplantısı_2.jpg
TBMM İçişleri Komisyonu ile Milli Savunma Komisyonu heyeti Arnavutluk ziyareti_1.jpg
ALSAR_kitap tanıtımı_1.jpg
TBMM İçişleri Komisyonu ile Milli Savunma Komisyonu heyeti Arnavutluk ziyareti_4.jpg
Türkiye-nin Tiran Büyükelçiliğinde Türk mutfağı tanıtıldı_1.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (45/2019)

-“Pa Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian është më i pasigurt”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, përshëndeti takimin vjetor të komisioneve parlamentare të mbrojtjes dhe sigurisë të Evropës Juglindore, i cili u zhvillua në Tiranë, në datat 5-6 nëntor, ku theksoi se “me Ballkanin Perëndimor jashtë saj, Evropa dhe vetë Bashkimi Evropian janë më të pasigurt”. 

 “Është domethënëse që për promovimin e Politikës së Përbashkët Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe lidhjen e saj me Konceptin Strategjik të NATO-s të diskutojmë këtu në Tiranë. Për një arsye të thjeshtë: Politika e jashtme dhe e sigurisë e Shqipërisë përputhet 100 për qind me atë të Bashkimit Evropian. Qeverisja e sigurisë është një punë jo fort e lehtë në Evropën Juglindore, për shkak të mbivendosjes së çështjeve të trashëguara nga historia, ekonomive të dobëta, sistemeve të pafuqishme të mirëqenies dhe shfaqjeve të etnocentrizmit dhe nacionalizmit”-, theksoi Ruçi.

Sipas tij, kërcënimet transnacionale, terrorizmi, armët e shkatërrimit në masë, trafikimi, krimi i organizuar dhe rreziqe të tjera globale bashkëjetojnë në rajonin tonë me demonët e trashëguar apo ata që rikrijojmë periodikisht ne vetë.

“Për arsye që i dimë të gjithë, rajoni ynë duke qenë njësoj i rrezikuar, ka më pak imunitet mbrojtës nga rreziku kibernetik dhe rreziqet e tjera të avancimeve të vrullshme teknologjike të kohës sonë. Kapacitetet më të kufizuara vetëmbrojtëse kushtëzohen nga standardet më të ulëta teknologjike dhe informatike të vendeve të rajonit tonë”-, u shpreh Ruçi. 

Por, ai vijoi më tej, “...Do të ishte gjysma e të keqes nëse aftësitë tona më të pakta mbrojtëse ndaj rreziqeve kibernetike të lidheshin vetëm me teknologjinë dhe potencialet e kufizuara financiare.

Ballkani Perëndimor nuk është një rajon fqinj i Evropës, por pjesë integrale e saj. Pjesa tjetër e kontinentit, por sidomos ato vende të Bashkimit Evropian, prej nga burojnë qëndrimet skeptike e përjashtuese, duhet të kuptojnë se tendenca e pandryshueshme e historisë është afrimi i kufijve politikë dhe kulturorë të Evropës me kufijtë natyrorë të saj”, theksoi Ruçi.

Kryeparlamentari shqiptar  tha se “prandaj politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes në dhe për rajonin e Evropës Juglindore lidhen ngushtë më vizionin për Evropën, Bashkimin Evropian dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor”.

Në takim morën pjesë 65 përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Serbia, Kroacia dhe Turqia.

Organizimi i kësaj konference në Shqipëri dhe tema e trajtuar u vlerësua si një ndihmë e çmuar në zhvillimin dhe çuarjen përpara të përgjegjësive  si dhe një rast shumë i mirë për t’u njohur dhe shkëmbyer eksperienca me vendet e Evropës Juglindore, 

***

-Një përfaqësi nga parlamenti turk vizitë në Shqipëri

Ambasadori i Republikës së Turqisë, Murat Ahmet Yörük me rastin e “Takimit Vjetor të Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore”, priti në rezidencën e ambasadës, kryetarin e Komisionit të Brendshëm të parlamentit turk. Celalettin Güvenç, i cili është dhe deputeti i qytetit të Kahramanmarashit së bashku me nënkryetarin e Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes dhe deputetin e qytetit të Bursës, Refik Özen.

Delegacioni nga parlamenti i Turqisë janë takuar edhe me kryetaren e Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, Ermonela Felaj.

Në takim u bisedua për çështje dypalëshe dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet parlamenteve.

Gjithashtu, edhe kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi mirëpriti kryetarin e Komisionit të Punëve të Brendshme të Parlamentit të Republikës së Turqisë, Celalettin Güvençsi dhe  anëtarë të tjerë të delegacionit. Në takim u diskutua rreth hapave që mund të ndërmerren për të zhvilluar më tej lidhjet midis parlamenteve të të dy vendeve.

***

-ALSAR” përkujton me një konferencë shkencore 140-vjetorin e Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip

I dhënë fort pas përkujtimit të ngjarjeve me rëndësi kombëtare, Fondacioni “ALSAR” mblodhi akademikë, historianë, intelektualë dhe politikanë në 140-vjetorin e themelimit të Shoqërisë së Stambollit.

Aktiviteti u organizua vetëm pak kohë pasi Fondacioni “ALSAR” botoi dhe një përmbledhje studimesh dhe artikujsh mbi krijimin e kësaj shoqërie.

Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip do të themelohej më 12 tetor të vitit 1879, dhe me fjalët e Sami Frashërit, kishte për qëllim “të ngjallurit e gjuhës shqipe, të bashkuarit e dialekteve të saj, të ndritësuarit e kombit shqiptar”.

ALSAR u kujdes që 140 vite më pas ta përkujtojë ngjarjen me një konferencë shkencore.

Në konferencë morën pjesë ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i partisë Alternativa në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi, intelektualë të ndryshëm, përfaqësues të mediave, etj.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, i cili veç përshëndetjeve të rastit dhe shprehjes së mirëseardhjes për të pranishmit, vuri theksin në tre gjëra. Ai nënvizoi edhe njëherë tjetër angazhimin e për çështjen kombëtare, foli për paanësinë dhe hulumtimin e vazhdueshëm që duhet ta karakterizojnë historianin, për t’i parë ngjarje të tilla më me realizëm, dhe vuri në pah rëndësinë e themelimit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip.

“Është detyrë e historianit, dhe jo vetëm e tij, të hulumtojë pareshtur, të kërkojë diçka të re, diçka të pathënë, të fshehur apo të shtrembëruar, për të na e paraqitur aq sa është e mundur më pranë së vërtetës një ngjarje me peshë të madhe në historinë e vendit. Përkujtimi i përvjetorëve, si ky i 140-vjetorit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip, duhet të shërbejë për të sjellë një mendim profesional më të kualifikuar, më të pandikuar. Shpresoj shumë që kumtesat në këtë konferencë shkencore të na japin këndvështrime të reja, gjetje të reja, që qëndrojnë larg ideve të ngurtësuara dhe paragjykuese...” tha Gurra.

Radhën për të folur do ta kishte ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük. Fjala e përshëndetjes e diplomatit të lartë turk ishte e mirëmenduar, e përqendruar në vënien në dukje të lidhjeve të forta mes dy popujve shqiptare-turke, të një trashëgimie të përbashkët historike, e të nevojës për të mos e politizuar historinë, por për t’ua lënë atë për studim historianëve...

Dhjetë kumtesat në vazhdim iu kushtuan Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip dhe alfabetit të Stambollit, parë në forma të ndryshme. Folën në konferencë prof. dr. Ferit Duka, dr. Metin Ünver nga Turqia, prof. dr. Tomor Osmani, prof. dr. Seit Mansaku, prof. dr. Shefkije Islamaj, prof. dr. Emil Lafe, dr. Şamil Mutlu nga Turqia, prof. dr. Rami Memushaj, dr. Zekerija Ibrahimi, dhe prof. dr. Xhevat Lloshi.

Për t’u veçuar qe konkluzioni i një prej dy folësve turq në konferencë, i dalluar për realizmin në vështrimin e qëndrimit të Perandorisë Osmane ndaj përpjekjeve të shqiptarëve për ta folur dhe shkruar gjuhën e tyre: “Qëndrimi që ka mbajtur shteti osman duke filluar nga çereku i fundit i shekullit të 19-të ndaj gjuhës shqipe dhe arsimimit të shqiptarëve nuk ka qenë kurrë në të njëjtin drejtim, por është ndikuar së tepërmi nga zhvillimet sipas periudhave, nga zhvillimet politike të brendshme dhe të jashtme. Kështu, ndërsa në vitin 1878 ka mbështetur Lidhjen e Prizrenit dhe ka inkurajuar përhapjen e alfabetit të Stambollit, më vonë, për shkak të zhvillimeve të reja, ka qenë i detyruar të veprojë në një linjë të ndryshme. Politika arsimore që shteti zbatoi ndaj shqiptarëve asnjëherë nuk ka qenë më poshtë nga ajo e ndjekur ndaj popujve të tjerë që jetonin në Perandorinë Osmane.”

Punimet e konferencës, të gjitha kumtesat e mbajtura në të, do të botohen si një përmbledhje më vete nga Fondacioni ALSAR.

***

-Kuzhina turke prezantohet në Tiranë 

Në ambientet e rezidencës së Ambasadës së Turqisë në Tiranë janë prezantuar gatimet tradicionale turke.

Me pjesëmarrjen e bashkëshorteve të përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri, qytetarëve shqiptarë dhe të ftuarve të tjerë, gatimet turke u prezantuan dhe u shijuan nga të pranishmit, duke përfshirë byrekë, bakllava, ëmbëlsira të ndryshme dhe gatime të tjera.

Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e Ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se Turqia ka një popull shumë mikpritës, dhe sipas saj, nisur nga kjo gjithmonë ka shumëllojshmëri ushqimesh të servirura pranë çajit.

"Arsyeja e mbledhjes sonë sot këtu është zhvillimi i një workshopi bashkë me bashkëshortet e ambasadorëve të disa vendeve të akredituara në Tiranë dhe me miqtë tanë shqiptarë për të mësuar se si gatuhet një ëmbëlsirë që tek ne përdoret gjerë, ‘ballı toplar’ (topat me mjaltë)", tha Ayşegül Erdal Yörük, duke shtuar se kanë përgatitur edhe shumë produkte që në Turqi serviren bashkë me çajin.

Duke folur për gatimet që ishin përgatitur për këtë prezantim ajo tha se përveç ushqimeve me kripë janë përgatitur edhe ëmbëlsira të ndryshme.

"Ushqimi për mua është thjesht një shkak për t’u mbledhur. Është gjithashtu një mision për të përforcuar miqësitë, por ajo që është më e rëndësishmja është se ne ushqimin e kemi më shumë si shkak për t’u mbledhur", tha bashkëshortja e ambasadorit të Turqisë në Tiranë. 

Arjana Sina, qytetare shqiptare e cila ishte e pranishme në këtë prezantim tha se ka edhe ngjashmëri mes gatimeve turke dhe atyre shqiptare. 

"Kuzhina turke është e shumëllojshme. Unë jam ftuar disa herë në darka dhe dreka turke dhe në çdo rast ka kaq shumëllojshmëri dhe gjëra që nuk i kam provuar asnjëherë. Karakteristikë e tyre është që përdoret shumë pak brumë, qoftë në byrek qoftë në pite dhe brumi është aq i hollë dhe shumëllojshmëria e tyre është shumë e shëndetshme", u shpreh Sina.

Duke folur në lidhje me ngjashmëritë me kuzhinën shqiptare ajo tha se: "Ka mbivendosje, nuk e gjej dot nga është origjina e disa prej tyre shqiptare apo është turke. Sigurisht që ka ngjashmëri, është diçka më shumë pikante sesa ushqimi ynë".

Teuta Gjunkshi, një tjetër qytetare shqiptare që ishte pjesë e këtij prezantimi theksoi se: "Kuzhina turke cilësohet për shumëllojshmërinë. Unë sot po i shikoj akoma edhe nga afër për shumëllojshmërinë dhe profesionalizmin, cilësinë e gatimit. Të gjitha ishin të shkëlqyera, duke u nisur që nga gatimet me sheqer dhe gatimet me kripë. Pothuajse ne kemi një kuzhinë të përafërt, kuzhina shqiptare me kuzhinën turke".

Gatimet tradicionale turke janë prezantuar shpesh gjatë viteve të fundit në Shqipëri, si në aktivitetin "Ditët e Turqisë", gjithashtu edhe në aktivitete të tjera.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme