Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare Lorik Cana vizitoi Ulqinin dhe Tuzin

U paralajmëruan dy projekte për dy komunat shqiptare për vitin 2020 në kuadër të Fondacionin “Lorik Cana 5”.

Lorik Cana_Loro Nrekiq.jpg
yeni kitap_Ruzhdi Ushaku_Enigma e Valdanosit.jpg
Karadağ_ülke haritası_ingilizce.jpg
Karadağ Akdenizin İncisi.jpg
Liburnia_sergi.jpg
karadağ.jpg

Turqia gjatë 11 viteve të fundit në Mal të Zi ka investuar 165 milionë euro

Investitorët nga Turqia në 11 vitet e shkuara kanë investuar 165 milionë euro në Mal të Zi, e kjo shifër ka gjithnjë e më shumë tendencë rritjeje, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Sistem Politik Millutin Simoviq. Vetëm gjatë vitit të kaluar investitorët nga Turqia investuan 53 milionë euro. Kompanitë me renome dhe markat si Tosh Çelik, Global Ports, Waikiki dhe Ziraat Banka janë vetëm disa nga kompanitë që afarizojnë me sukses ka thënë Simoviq në mbledhjen e komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë ku u nënshkrua dhe protokolli i bashkë udhëheqjes së këtij komisioni. Gjithnjë sipas zëvendëskryeministrit Simoviq këtu veprojnë 2.800 kompani të themeluara me kapital turk. Turqia është partner i rëndësishëm tregtarë i Malit të Zi e kjo mund të dëshmohet me faksin se shkëmbimi i përgjithshëm tregtarë vitin që shkoi ka qenë 100 milionë euro duke shënuar një rritje prej 8,2%. Pritet që shkëmbimi tregtarë ndërmjet dy vendeve deri në vitin 2022 të arrijë 250 milionë euro.

Konsolidimi i BE-së nuk e përjashton zgjerimin

Konsolidimi i Bashkimit Evropian nuk e përjashton procesin e zgjerimit, ka vlerësuar kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Ivan Brajoviq. Ai, pas takimit me kryetarin e parlamentit të Luksemburgut Fernand Etgen, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Mal të Zi, ka theksuar se parlamentet e dy vendeve zhvillojnë aktivitet të veçantë të përbashkët përmes formatit të shteteve të vogla evropiane. “Ne organizojmë konferenca vjetore të kryetarëve të parlamenteve të vogla dhe brenda 20 ditëve kjo konferencë do të mbahet në Qipro , kurse vitin e ardhshëm mikpritës i një takimi të tillë do të jetë Mali i Zi”,- ka thënë Brajoviq. Siç ka shtuar gjatë takimit është biseduar edhe për hapat të cilat duhet ti ndërmarr Mali i Zi në të ardhmen në rrugën e tij  integruese si dhe për lajmet jo aq të mira që kanë arritur nga Brukseli dhe kanë të bëjnë me mos caktimin e datës për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Etgen ka theksuar se Mali i Zi dhe Luksemburgu janë partner dhe miq tash një kohë të gjatë. Ai ka shtuar se në Luksemburg jetojnë rreth 3 mijë e 600 shtetas të Malit të Zi dhe ka pohuar se të gjithë janë integruar shumë mirë në shoqërinë e atjeshme. Siç ka theksuar ai, takimet e tilla paraqesin bazë për forcimin e mirëbesimit reciprok. Si sot edhe në të ardhmen Luksemburgun e kënaq bashkëpunimi me Malin e Zi si në planin ekonomik ashtu edhe në atë politikë, ka deklaruar zyrtari i lartë i Luksemburgut.

Demarkacioni me Kosovën është çështje e mbyllur 

Shefi i diplomacisë  malazeze Srgjan Darmanoviq ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë në kurrfarë bisedimesh për lëshimin e një pjese të territorit ndaj cilitdo vend fqinjë. Ai duke u përgjigjur në akuzat e partisë opozitare Fronti Demokratik në parlament ka theksuar se bisedime të tilla nuk ka pasur dhe kurrë nuk do të këtë. Deputeti i FD Millun Zogoviq ka theksuar se çështja e demarkacionit me Kosovën nuk është e mbyllur. Nga deklaratat e politikanëve kosovarë Zogoviq ka konkludim se marrëveshja e nënshkruar nuk do të respektohet dhe se do të këtë ndryshme të kufirit. Darmanoviq i ka demantuar këto vlerësime duke shtuar se Mali i Zi zhvillon marrëdhëniet mira me Kosovën të cilat, siç ka shtuar, bazohen mbi principet e mirëbesimit dhe në perspektivën e përbashkët evropiane. Ai ka përkujtuar se marrëveshja për demarkacionin me Kosovën ka hyrë në fuqi në qershor të vitit të kaluar. Ministri Darmanoviq ka theksuar se Mali i Zi e ka mbyllur me sukses edhe demarkacionin me Bosnjë-Hercegovinën.

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana vizitoi Ulqinin dhe Tuzin

Në Ulqin qëndroi ish-Kapiteni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana, ku ai u prit nga Kryetari i Ulqinit Loro Nrekiq dhe bashkëpunëtorët e tij. Kryetari Nrekiq foli për Ulqinin, projektet zhvillimore e theks të veçantë i kushtoi talenteve sportive futbollit dhe sporteve të tjera. Nga ana tjetër Lorik Cana, i cili tash sa vite është larguar nga futbolli por që gjithmonë qëndron pranë talenteve foli për “Fondacionin Lorik Cana 5”, i cili promovon sportin për fëmijët. Ai tha se Fondacioni është shtrirë në vise të ndryshme ku jetojnë shqiptarët dhe këtë vit mund te thuhet se janë rreth 1000 fëmijë të cilët janë pjesë e programit të fondacionit. Lorik Cana u shpreh se dëshiron që edhe në Ulqin të ndërtojë një minifushë sportive në një nga hapësirat publike ku do të shoqëroheshin fëmijët në aktivitete sportive me edukatorë. Cana, paraprakisht pati dhe një takim me udhëheqësit e klubit të futbollit “Otrant Olipik, ku premtoi përkrahje dhe vënien e urave të bashkëpunimit me UEFA–n. Në një deklaratë për “Zërin e Turqisë” ish-kapiteni i kombëtares shqiptare Cana tha se për vitin 2020 do të realizohen dy projekte në Tuz dhe në Ulqin.

L. Cana:Në kuadër të Fondacionit “Lorik Cana 5” kemi plane që në vitin 2020 në Tuz dhe në Ulqin të realizojmë dy projekte. Vizita në Tuz kishte të bënte edhe për të uruar udhëheqësin e re të kësaj komune si dhe për të parë mundësitë e bashkëpunimit. Kemi vizituar dhe lokacionin e mundshëm ku mund të ndërtohet fusha sportive brenda kopshtit të fëmijëve. Pa tjetër dëshira jonë është të jemi prezent në përgjithësi në Mal të Zi gjatë vitit 2020. Zyrtarisht vizituam për herë të parë edhe Ulqinin ku biseduam për klubin e futbollit “Otrant” dhe mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të fondacionit”.

Tradita detare e Ulqinit prezantohet me një ekspozitë në qytetin e Durrësit

Pas suksesit që pati në qytetin e Ulqinit ekspozita për traditën e detarisë shqiptare ndër vite u hap dhe në qytetin e Durrësit. Kjo ekspozitë ku përfshihen materiale, dokumente, fotografi, piktura dhe botime është fryt i shoqatës “Liburnia” nga Ulqini. Qëllimi i ekspozitës është promovimi i detarisë shqiptare në të gjitha trevat. Jo pa qëllim këtë radhë u zgjodh qyteti i Durrësit pasi dihet që këtë profesion shumë të vështirë e kanë ushtruar dhjetëra dhe qindra detarë ulqinak të cilët jetojnë në Durrës dhe që ndër vite kanë dhënë kontribut të pamohueshëm  në kantierin detar dhe në portin e Durrësit. Janë dhjetar kapedanë ulqinak që kanë bërë emër në këtë qytet dhe përmenden për bëmat e tyre. Ekspozita e konceptuar nga Shoqata “Liburnia” me 28 Nëntor, në ditën e pavarësisë, pritet që të hapet në qytetin e Vlorës. 

Studiuesi ulqinak Ruzhdi Ushaku prezanton për lexuesit librin e ri “Enigma e Valdanosit”

Doli nga shtypi libri më i ri i studiuesi të njohur nga Ulqini, prof. dr. Ruzhdi Ushaku, me titull “Enigma e Valdanosit”. Ky studim është një përpjekje e autorit për të ndriçuar shumë mistere dhe enigma që lidhen me këtë lokalitet dhe toponim të qytetit të Ulqinit. Autori tregon se vetë emri Valdanos e ka intriguar që në fëmijërinë e tij sepse i tingëllonte si diçka e mistershme. Krahas kësaj, shumë ngjarje të pabesueshme që flitej se u kishin ndodhur detarëve, peshkatarëve, barinjve, pronarëve të ullishtave etj. e bënin Valdanosin edhe më të errët, por njëkohësisht shtonin etjen dhe dëshirën e autorit për t’u marrë me të. Në trajtimin e objektit të studimit, Ushaku mbështetet në dijet shkencore ekzistuese, legjendat, mitet, gojëdhënat, dëshmitë e ndryshme etj. Ai përdor po ashtu analizat dhe krahasimet gjuhësore, botën e tij imagjinare, për të zbërthyer nyjën e ndërlikuar të Valdanosit me të gjitha fenomenet që ngërthen. Përndryshe “Enigma e Valdanosit” është libri i 13-të i prof. dr. Ruzhdi Ushakut. Ai po ashtu është autor i rreth 100 punimeve shkencore dhe është paraqitur me kumtesa dhe referime në konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Për punën e tij kërkimore dhe botuese është dekoruar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me titullin “Nderi i Akademisë” (2015) dhe me medaljen “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2017).

Aktivitet i Bashkësisë Islame në Ulqin 

Në organizim të Bashkësisë Islame në Mal të Zi dhe mexhlisit të Bashkësisë Islame në Ulqin ditën e premte është paralajmëruar aktiviteti “Muhamedi a.s. dhe familja”. Në këtë temë do të ligjërojë Hafiz Alpcan Çelik  imam i xhamisë “Selimije” në Edirne të Turqisë, fitues i vendit të parë në botë për lexim kurani në vitin 2014-të. Po ashtu një tjetër ligjërues  do të jetë dhe teologu nga Shkupi Hasan ef. Baftjari. Aktivitete të këtij lloji në Ulqin janë shumë të vizituara e në të rregullisht angazhohen dhe fëmijët e kopshtit “Xixëllonja” dhe nxënësit e medresesë “Mehmet Fatih” nga Tuzi.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme