Maqedonia e Veriut nga 3 janari do të udhëhiqet nga qeveria teknike

Maqedonia e Veriut nuk fitoi datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, por caktoi datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

1295326
Maqedonia e Veriut nga 3 janari do të udhëhiqet nga qeveria teknike

Maqedonia e Veriut nga 3 janari do të udhëhiqet nga qeveria teknike

Maqedonia e Veriut nuk fitoi datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, por caktoi datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në takimin e realizuar tek presidenti ı shtetit pas dështimit të marrjes së datës për fillim të negociatave me BE-në, liderët e partive politike në vend u dakorduan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm, 6 muaj para zgjedhjeve të rregullta. Kjo sipas tyre ishte data më e përshtatshme duke pasur parasysh agjendën e ratifikimit të marrëveshjes së NATO-s.

“Kemi konsensus shtetëror, pavarësisht përfundimeve të samitit të BE-së. Të gjithë ranë dakord se nuk kanë asnjë problem me procesin reverzibil, për shkak se nuk kemi prej çka të frikësohemi. Të gjithë të pranishmit i thanë jo cilësdo alternativë tjetër. Ka pasur propozime që mos të na fusin në kategorinë e fqinjëve, sepse ne jemi pjesë e Evropës, dhe ne nuk po kërkojmë ndonjë alternativë tjetër, përveç asaj të  anëtares së plotë të organizatës”, tha Stevo Pendarovski, kryetar i RMV-së.

Propozimi ynë ishte që më  22 ose 29 dhjetor të shkojmë në zgjedhje sepse në atë periudhë mund ta realizojmë procesin zgjedhor dhe më pas të presim edhe ratifikimin e protokollit nga ana e Spanjës dhe ne të kemi parlament funksional. Kishte reagime nga opozita se nuk mund të ketë 100 dite qeveri teknike, andaj pasi u shqyrtua marsi, prilli, e kështu me radhë dhe me konsensus u vendos që 12 prilli të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Mund të them se ky është takimi më konstruktiv që kam pasur deri më tani. Të gjitha partitë politike thanë se alternative e jonë e vetme është Bashkimi Evropian. Kemi biseduar se për vendin tonë është me rëndësi që të bëhet ratifikimi i marrëveshjes për anëtarësim në NATO nga të gjitha vendet që akoma nuk e kanë ratifikuar. Gjithashtu pas ratifikimit edhe Parlamenti jonë duhet të bëjë ratifikimin si dhe të miratojë Ligji për Mbrojtjen. Me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të pranueshme dhe demokratike, të lira sipas të gjitha standardeve. Le të fitojë më i miri tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në NATO dhe BE. Ky ishte konstatim unanim i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim sa i përket mos-marrjes së datës për fillim të negociatave. Ndërkohë në pjesën e dytë ku u diskutua për zgjedhjet e parakohshme ramë dakord që 12 prilli të jetë dita kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kemi realitet të ri, do të kemi qeveri teknike dhe më 12 prill do të kemi fitues të ri të zgjedhjeve”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ajo që tanimë është konfirmuar, më 12 prill shkojmë në zgjedhje, ne si parti ishim të gatshëm, por 12 prilli u zgjodh për arsye se deri atëherë presim anëtarësimin e vendit në NATO. Qytetarët më 12 prill kanë shans që ta kthejnë shpresën tek të rinjtë, të cilët kohëve të fundit po braktisin shtetin në pamundësi që të prosperojnë këtu”, tha Zijadin Sela, kryetar i Aleancës.

“Në asnjë moment nuk duhet të vihet në pikëpyetje procesi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, që më pas në Samitin e radhës të marrim edhe datën për negociata”, tha Bilal Kasami, kryetar i lëvizjes Besa.

Sigurisht që qëndrimin e parë e dha Kabineti i Presidentit dhe ky është një lajm i mirë që forcat kryesore politike të Maqedonisë së Veriut vendosën që nuk ka alternativë tjetër përveç se të këmbëngulim në procesin integrues drejt NATO-s dhe BE-së. Arritëm marrëveshje që zgjedhjet të mbahen me 12 prill, kryeministri kishte propozim që ato të mbahen në dhjetor, por më pas u shqyrtua mundësia e ratifikimit të marrëveshjes nga ana e Parlamentit të Spanjës, dhe ne duhet të kemi Parlament që të ratifikojë këtë marrëveshje”, tha Menduh Thaçi, kryetari PDSH-së.

Të gjithë u dakorduam se Maqedonia nuk duhet të heq dorë nga procesi euro-integrues. Derisa Evropa t’i sqarojë punët e brendshme, ne duhet të vazhdojmë Evropën ta sjellim këtu dhe të vazhdojmë me reformat e posaçërisht ato në fushën e gjyqësorit. Ndërkohë u dakorduam që 12 prilli të jetë dita e zgjedhjeve që do të paraqes një kthesë të madhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Liderët në takim janë dakorduar që zgjedhjet të organizohen nga Qeveria teknike, e cila do të krijohet sipas Marrëveshjes së Përzhinës të vitit 2015, respektivisht 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Bazuar në Marrëveshjen e Përzhinës, qeveria teknike ka mandat 100 ditësh për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa kryeministri teknik do të jetë nga shumica aktuale parlamentare. Një nga emrat që është lakuar për kryeministër teknik është Oliver Spasovski, ministri aktual i Punëve të Brendshme.

Ndërsa VMRO-DPMNE, si partia më e madhe opozitare, do të marrë postin e ministrit të brendshëm dhe Ministrinë e Punës Sociale, si dhe poste zëvendësministrash në ministritë tjera. Poste ministrore do të ketë edhe për opozitën shqiptare.

Kompetencat e qeverisë teknike janë të barabarta me atë të një qeverie të zakonshme. Ajo do të ketë kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve, anëtarëve të bordeve menaxhuese dhe mbikëqyrëse e të tjera, kurse zëvendësministrat që do të emërohen si plotësues nëpër ministri, do të kenë të drejtën e vetos.



Lajme të ngjashme