Ambasadorja turke në Malin e Zi komenton operacionin “Burimi i Paqes“

Qëllimi i operacionit është mbrojtja e integritetit territorial të Turqisë, por edhe të Sirisë, Mali i Zi duhet të ketë mirëkuptim sepse edhe ai ka pritur mijëra refugjatë gjatë luftërave në Ish Jugosllavi, tha ambasadorja Ozan.

1289747
Ambasadorja turke në Malin e Zi komenton operacionin “Burimi i Paqes“
Türkiye Podgoriçe B.Elçisi_Songül-Ozan.jpg
barış.jpg
barış pınarı harekatı.jpg
Karadağ_ülke haritası_ingilizce.jpg
Buna Nehri_havadan görünüş.jpg

Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi Songül Ozan: “Burimi i Paqes” është operacion kundër terrorizmit, jo kundër kurdëve

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Mal të Zi, Songul  Ozan ka thënë se operacioni “Burimi i Paqes”, të cilin Turqia e ka nisur për të eliminuar korridorin terrorist që po formohet në kufirin e saj jugor, ka për qëllim vendosjen e paqes dhe qetësisë në rajon. Ajo për mediat në Mal të Zi ka deklaruar se ky operacion nuk është i orientuar kundër kurdëve sepse me kurdët nuk jemi armiq, ka thënë ajo. Me ata kemi jetuar si një familje prej mijëra vjetësh. Qëllimi i operacionit është mbrojtja e integritetit të Turqisë por dhe shtetit të Sirisë. Gjithnjë sipas Ambasadores Songul Ozan, Turqia nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti por me këtë aksion ndalohet formimi i korridorit terrorist në këtë pjesë, ku gjatë kësaj kohe janë vrarë mijëra njerëz tanë. Më tej Ambasadorja Ozan thotë se kjo organizatë terroriste tenton të mashtrojë opinionin duke u prezantuar sikur po angazhohet për popullin kurd. Kjo nuk është e vërtetë sepse ata kanë vrarë vetë kurdët përfshirë këtu edhe foshnjat. Në Turqi ka rreth 4 milionë refugjatë e në mesin e tyre me qindra kurdë e kjo dëshmon se ne me ta nuk jemi armiq por operacioni i Turqisë është operacion i bazuar në të drejtat tona ndërkombëtare. Dëshira jonë është që në Siri të mbizotërojë paqja, të ruhet integriteti i këtij shteti dhe atje të vendoset shteti ligjorë. Turqia sipas Ambasadores Songul Ozan për shkak të luftërave në rajon ka pasur dëme të mëdha. Ajo ka theksuar se kemi rreth 4 milionë refugjatë shifër kjo më e madhe se numri i banorëve të një shteti dhe për këto nevoja Turqia ka shpenzuar mbi 40 miliardë dollarë. Në këtë rast ne nuk kemi pasur përkrahjen e Bashkimit Evropian (BE) e as të shteteve të tjera. Ambasadorja Songul Ozan mendon se Mali i Zi do të ketë mirëkuptim sepse edhe ai gjatë luftërave në ish-Jugosllavi ka hapur dyert refugjatëve dhe i ka strehuar ata. Ajo mendon se operacioni në Siri do të përfundojë me sukses dhe se aty do të vendoset zona e sigurisë.

“Mollë sherri”, probleme të mëdha me simbolet kombëtare në Mal të Zi 

Përdorimi i simboleve etnike në Mal të Zi është shndërruar në mollë sherri mes autoriteteve dhe përfaqësuesve të minoriteteve. Probleme të mëdha ka edhe me përdorimin e simboleve shqiptare. Ministria e Kulturës e Malit të Zi njoftoi se do të ngrijë dy aktakuza kundër pjesëtarëve të minoriteteve, për gjoja përdorimin e simboleve të shteteve të tjera në Mal të Zi. E para u njoftua kundër organizatorëve të koncertit humanitar “Për Kosovën e Metohinë tonë”, që u mbajt në Herceg Novi. Ministria pohon se në këtë manifestim janë përdorur simbolet e Serbisë dhe është përdhosur himni kombëtar i Malit të Zi. Gjithashtu, u bë një njoftim kundër organizatorëve të një ngjarje në lumin Cijevna afër Tuzit, sepse atje janë vendosur vetëm flamuj shqiptar, por jo edhe malazez. Por as dy muaj më vonë ende nuk dihet nëse Ministria ka paraqitur ndonjë padi apo këto kanë qenë vetëm “kërcënime”. Thuhet se aktorët kanë bërë të ditur se gjëra të tilla nuk do të përsëriten më. Në kohën e ndodhjes së këtyre dy ngjarjeve, thuhej se organizatorët e manifestimeve të kontestuara nacionaliste kanë shkelur ligjin. Në Mal të Zi jetojnë përveç malazezëve edhe shqiptarë, serbë, boshnjakë, myslimanë, kroatë dhe romë. Ata të gjithë kanë të drejtë të përdorin flamujt e tyre, por në kushte të caktuara. Por ka të tillë që pohojnë se ligjet malazeze janë kontradiktore dhe të pasakta. Dy vjet më parë, në ditën e pavarësisë së Malit të Zi, më 1 maj, policia në Budvë ka marrë në pyetje një menaxher sepse ai kishte vënë simbole serbe në shtëpinë e tij. Autoritetet e panë atë si një provokim për festën kur Mali i Zi u shkëput nga Serbia. Në të njëjtën ditë, një grup më i madh shqiptarësh, me flamuj kombëtar dhe flamuj të “Shqipërisë së Madhe”, që përfshin një pjesë të territorit të Malit të Zi, u mblodhën në majë të malit Rumija. Autoritetet nuk reaguan, e politikanët serbë në Mal të Zi pohojnë se autoritetet nuk po i trajtojnë barabartë të gjithë. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse gjykatat kanë ndëshkuar shumë shqiptarë në Tuz apo Ulqin, por shkak të përdorimit të flamurit shqiptar. Kjo ka shkaktuar protesta të ashpra të politikanëve shqiptarë. Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Mehmet Zenka, theksuan një muaj më parë se “flamujt shqiptarë në Mal të Zi do të vazhdojnë të valëviten”. Partneri i partive në pushtet, nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu ka thënë se shqiptarët, si një popull autokton i Malit të Zi, presin që të mos ndëshkohen për përdorimin e simboleve kombëtare. “Ky është mospranim i origjinalitetit tonë dhe komunitetit tonë. Flamuri shqiptar është simboli ynë kombëtar dhe ne nuk do ta ndryshojmë atë” ka shtuar Nimanbegu. Me Ligjin e Malit të Zi për Rendin Publik dhe Paqen, një qytetar që tregon publikisht një flamur, stemë ose një simbol tjetër të një shteti tjetër pa autorizim, do të gjobitet me 100 deri 500 euro ose me burgim deri në 30 ditë. Shqiptarët pretendojnë se ata fituan të drejtën e ngritjes së flamurit kombëtar në vitin 2000, kur u miratua Ligji për Përdorimin e Simboleve Kombëtare, dhe se Ligji për Rendin Publik dhe Paqen është në konflikt me këtë. Nimanbegu ka kërkuar vitin e kaluar që të hiqet kjo masë dënimi. Por kjo kërkesë nuk ka kaluar në Kuvend. Nimanbegu e ka përsëritur kërkesën dy muaj më vonë. Qeveria i ka identifikuar problemet, por çështja ka mbetur tek disa ministri. Harmonizimi i ligjeve do të eliminonte problemet dhe do të siguronte përdorimin e simboleve, ashtu siç garanton Kushtetuta. Ai pret mbështetjen e qeverisë, e cila kaherë mbështetet nga subjektet shqiptare. Por përvoja politike tregon se ende ka probleme të mëdha.

Ndotet lumi Buna, Mali i Zi në alarm, ministri Klosi: Hetim i plotë 

Për rreth tre kilometra nga grykëderdhja e Lumit Buna deri ne fshatin Reç, pjesë e Malit të Zi, ujërat janë pushtuar nga pula të ngordhura. Kafshë e shpendë të ngordhura kanë dalë në brigjet malazeze të lumit Buna, nga grykëderdhja e deri në fshatin Reç. Duke e konsideruar situatën shqetësuese, autoritetet e Malit të Zi akuzojnë se kafshët e shpendët e ngordhur kanë ardhur nga Shqipëria, pasi sipas tyre në territorin që ato kanë në administrim nuk ka ferma apo pulari. Banorët e zonës kufitare, që jetesën e kanë të lidhur me turizmin e quajnë fat që kjo gjë nuk ndodhi në sezonin turistik, pasi kjo do t’u dëmtonte reputacionin. Autoritetet në Mal të Zi kanë dhënë alarmin, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme. Autoritetet malazeze janë të bindura që ky incident ekologjik është shkaktuar nga Shqipëria andaj kanë kërkuar sqarime dhe marrjen e masave për evitimin e kësaj katastrofe ekologjike. I menjëhershëm ishte reagimi i Ministrit te mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, i cili nga Shkodra, ka thënë se për këtë situatë ka nisur hetim i plotë. “Kemi nisur një hetim për këtë ngjarje”. Ne kërkojmë me forcë që në zbatim të kodit të ri penal, ai dënon me gjobë dhe heqje lirie te gjithë ndotësit. Një pjesë e ish komunave ende sot nuk marrin përgjegjësitë” Kjo është hera e dytë brenda pak ditëve që në grykëderdhje të lumit Buna shfaqen pula të ngordhura të mbështjella me qese plastmasi.

Aktivitete kulturore në Ulqin

Biblioteka e Qytetit në Ulqin, Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve organizojnë takimin letrar “Krijuesit nga Durrësi në Ulqin”. Në këtë mbrëmje letrare do të marrin pjesë: Agim Bajrami, Idriz Balani, Naim Kërçuku, Nikolla Spathari dhe Vladimir Muça. Evenimenti do të mbahet të premten, me 18 tetor në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin. Ndërkohë po në Ulqin në organizim të Shoqatës së Artistëve dhe intelektualëve “Art Klub” do të organizohet përurimi i kompletit të veprave “Nëna Terezë në shtatë shpalime” të autorit Anton Berisha.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA 



Lajme të ngjashme