Presidenti Erdogan fillon vizitën zyrtare në Serbi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mbërriti mesditën e së hënës në Serbi për një vizitë zyrtare dyditore.

erdogan sirbistan.jpg
erdogan sirbistan1.jpg

Kreu i shtetit turk u prit me ceremoni shtetërore në Beograd nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Erdogani dhe Vuçiçi shëtitën ekspozitën me dokumente e fotografi nga Arkivi Shtetëror i Serbisë, çelur me rastin e 140-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Në vijim dy liderët kaluan në takimin kokë më kokë, pas të cilit do të drejtojnë mbledhjen e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit me Nivel të Lartë Turqi-Serbi.

Erdogani dhe Vuçiçi do të organizojnë një konferencë të përbashkët shtypi në orët e mbrëmjes, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve bilaterale.

Së bashku me Presidentin Erdogan në Beograd kanë udhëtuar gjithashtu bashkëshortja e tij - Emine Erdogan, ministri i Punëve të Jashtme - Mevlut Çavusoglu, ministri i Thesarit dhe Financave - Berat Albayrak, ministri i Mbrojtjes Kombëtare - Hulusi Akar, ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve - Bekir Pakdemirli, ministri i Komunikacionit dhe Infrastrukturës - Mehmet Cahit Turhan, kreu i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës - Fahrettin Altun, si dhe zëdhënësi i Presidencës – Ibrahim Kalin.



Lajme të ngjashme