Kosova sot voton në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Sot në orën 07:00 në mbarë territorin e Kosovës janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend.

Kosova sot voton në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Sot në orën 07:00 në mbarë territorin e Kosovës janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend, të cilat u shpallën pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas të dhënave në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), në këtë garë zgjedhore janë përfshirë 25 subjekte politike, nga këto 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur, për të cilët do të mund të votojnë gjithsej 1.937.869 votues të regjistruar në listën zgjedhore.

Fushata zgjedhore, ku përfaqësuesit e subjekteve politike dhe koalicioneve kanë prezantuar programet zgjedhore, filloi më 25 shtator dhe përfundoi të premten më 4 tetor.

Procesin zgjedhor në mbarë territorin e Kosovës do ta vëzhgojnë rreth 50 mijë vëzhgues dhe komisionarë të angazhuar, ndër të cilët do të ketë edhe vëzhgues nga Bashkimi Evropian (BE).

Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku do të garojnë gjithsej pesë kandidatë për pozitën e kryeministrit, do të vendosin për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, prej të cilëve 100 do t’i përfaqësojnë subjektet politike, 10 do të ruhen për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe 10 do të ruhen për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për deputetë është 1.067, prej të cilëve 343 femra dhe 724 meshkuj. 

Gjithsej 2.547 vendvotime do të jenë të hapura deri në orën 19 në mbrëmje.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare, nga gjithsej shtatë të mbajtura në vend. (AA)



Lajme të ngjashme