“Migjeni” i Air Albania në partneritet me Turkish Airlines nis fluturimet drejt Italisë

Migjeni do të mbulojë fluturimet drejt Italisë me destinacione Romën, Milanon dhe Bolonjën.

“Migjeni” i Air Albania në partneritet me Turkish Airlines nis fluturimet drejt Italisë

Migjeni i Air Albania në partneritet me Turkish Airlines nis fluturimet drejt Italisë

Pas “Lasgushit”, në fillim të kësaj jave ka nisur fluturimin edhe “Migjeni”, avioni më i ri i flotës së Air Albania.

Migjeni do të mbulojë fluturimet drejt Italisë me destinacione Romën, Milanon dhe Bolonjën. Në fluturimin e kthimit nga Roma për në Rinas, ‘Migjeni’ është pritur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“’Migjeni’ është një prodhim i vitit 2016, një Boeing 737 dhe siç kemi premtuar para një viti që flota e Air Albania do të jetë një flotë model për të gjithë kompanitë shqiptare që operojnë në fushën e aviacionit civil, ne po mbajmë premtimin tonë. Brenda këtij viti, jo më vonë se dhjetori, në Tiranë do ulet “Naimi”, avioni i tretë i flotës së Air Albania i cili do të përfshijë kryeqytetet më të rëndësishëm e ato që kanë më kërkesë në tregun shqiptar si Brukseli, Athina, Londra e të tjera”, – tha Balluku gjatë uljes së “Migjenit” në tokën shqiptare.

Air Albania do të ofrojë çmime të lira për udhëtarët e saj, por duke ofruar cilësinë e një kompanie ekselente.

Dua të theksoj që ky avion i ardhur sot në Shqipëri është absolutisht një vazhdim i  projektit tonë të madh për aviacionin shqiptar. Ai që përmban jo vetëm krijimin e kësaj kompanie, por dhe ndërtimin e rrjeteve të aeroportit duke filluar nga Kukësi, Tirana, Vlora dhe Saranda shumë shpejt”, – u shpreh Balluku.

Ndërkohë sipas ministres, “aviacioni civil është një nga strategjitë më të rëndësishëm për transportin e qeverisë Rama dhe ne jemi të fokusuar për të përmbushur të gjitha kushtet që një shtet evropian si Shqipëria duhet të përmbushë”, – përfundoi Balluku. 

Sipas Ministres, kjo pajisje e vitit 2016 sjell kushte optimale sigurie në përputhje me rregullat e BE-së për pasagjerët, ndërsa stafet në bord janë trajnuar për më shumë se një viti në akademinë e aviacionit pranë Turkish Airlines. Ministrja shtoi se avioni “Migjeni” do të udhëtojë 7 herë në javë në Milano dhe Romë, si dhe katër herë në javë në Bolonja të Italisë.

Air Albania, e themeluar në maj të vitit të kaluar me qendër në Tiranë, u krijua nga partneriteti i Albcontrol, një degë e Ministrisë shqiptare të Ekonomisë dhe Turizmit dhe Turkish Airlines.

Fluturimi i parë drejt aeroportit të ri të Stambollit, u krye më 19 prill.

***

-Pas tërmetit në Shqipëri, mbërrijnë ndihmat e para nga disa vende të BE-së

Mbërrijnë në Shqipëri ndihmat e parë të disa vendeve të Bashkimit Evropian  për familjet e prekura nga tërmeti i 21 shtatorit.

Ministrja e Mbrotjes së Shqipërisë, Olta Xhçka, deklaroi se “Shqipëria ishte me fat që një ngjarje e atyre përmasave kaloi pa asnjë të lënduar seriozisht dhe sidomos për faktin që nuk pati asnjë jetë të humbur. Gjithçka tjetër mund të zëvendësohet apo rindërtohet, por jetët e njerëzve jo”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca dhe shefin e ekipit të BE-së për Emergjencat Civile, Peter Glerum, ministrja Xhaçka u shpreh se “prania e Glerum këtu është padyshim një tregues i seriozitetit me të cilin BE dhe posaçërisht Mekanizmi i Mbrojtjes Civile Evropiane po e trajtojnë mbështetjen që po i ofrojnë vendit tonë”.

Ministrja falënderoi gjithashtu ambasadorin Soreca për të gjithë punën e tij, por edhe për faktin që vetëm fare pak kohë pas tërmetit të datës 21 ai jo vetëm që ofroi ndihmën e Delegacionit, por edhe që pa humbur fare kohë vuri në lëvizje delegacionin dhe Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për të mbështetur Shqipërinë në momentin e saj të nevojës.

“Tërmeti i datës 21 ishte padyshim një ngjarje dramatike. E gjithë situata, duke marrë parasysh edhe goditjet që pasuan ngjarjen kryesore sizmike, ishte një situatë dramatike, që shkaktoi shumë frikë tek qytetarët”, – nënvizoi Xhaçka.

Ministrja tha se “dëmet që shkaktoi tërmeti ishin të konsiderueshme. Çdo vend, qofshin këto vendet më të zhvilluara e të pasura, qofshin këto vende me ekonomi shumë më modeste, si Shqipëria, ka vështirësi në përballimin e dëmeve që lënë pas ngjarje si këto. Të gjithë e dimë që vështirësitë e vërteta në raste fatkeqësish natyrore, fillojnë pas mbarimit të emergjencës, kur lind nevoja për të rikuperuar atë çfarë është humbur e shkatërruar”.

Ajo shprehu mirënjohjen për Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen.

“E vlerësoj akoma më shumë këtë mbështetje, për faktin që Shqipëria sot nuk është e anëtarësuar në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Evropiane. E megjithatë jemi dëshmitarë të një shfaqje kaq të bukur e domethënëse solidariteti. Dua të falënderoj çdo vend që përmes këtij Mekanizmi, bujarisht ka vendosur të na mbështesë në këto momente të vështira”, – nënvizoi ministrja.

Kujtojmë se Tirana dhe Durrësi dhe qytete të tjera të Shqipërisë u goditën më 21 shtator nga një tërmet me një magnitudë 5.8 sipas shkallës Rihter, i cili u vlerësua nga autoritetet si "tërmeti më i fuqishëm në 20-30 vitet e fundit". Epiqendra e tërmetit ishte në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit, ndërsa u lënduan dhjetëra persona dhe u dëmtuan qindra banesa.

***

-Anija shqiptare “Oriku” shpëton 110 emigrantë, në 4 operacione të ndryshme

Anija Oriku dhe ekuipazhi i saj shpëtuan 110 emigrantë, në 4 operacione të ndryshme brenda dy ditëve, gjatë patrullimit në detin Egje.

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka është shprehur se kontributi i detarëve tanë në 3 vite si pjesë e misionit të NATO-s “Sea Guardian” është shumë më i madh se kaq.

Ajo thekson se “anijet dhe efektivët tanë kanë kryer mijëra orë patrullime, për të shpëtuar rreth 3000 fëmijë, gra e burra”.

“Emigrantët kryesisht afganë dhe palestinezë u shpëtuan në 4 operacione të ndryshme. Shqipëria është prej 3 vitesh pjesë e misionit të NATO-s në Egje”, shton Xhaçka.

“Në 3 vite kanë patrulluar rreth 300 detarë dhe 3 anije shqiptare. Ekuipazhet tona kanë shpëtuar rreth 3000 emigrantë në 160 operacione”, thekson ministrja e Mbrojtjes.

“Javën e ardhshme përcjellim kontingjentin e XIV në misionin e NATO-s Sea Guardian në detin Egje”, thekson Xhaçka

“Anija Oriku dhe ekuipazhi i saj shpëtuan 110 emigrantë, në 4 operacione të ndryshme brenda dy ditëve, gjatë patrullimit në detin Egje. Kontributi i detarëve tanë në 3 vite si pjesë e misionit të NATO-s “Sea Guardian” është shumë më i madh se kaq. Anijet dhe efektivët tanë kanë kryer mijëra orë patrullime, për të shpëtuar rreth 3000 fëmijë, gra e burra”, thekson ministrja Xhaçka.

***

-Emocione gjatë shpërndrajes së çertifikatave në institutin turk “Yunus Emre” Shkodër

Përmes një ceremonie në ambientet e institutit “Yunus Emre” u bë dorëzimi i certifikatave për 30 kursantë që përfunduan me sukses A1.2 dhe B2.2 duke marrë pjesë në kurset e turqishtes të organizuara nga qendra kulturore pranë këtij instituti.

Përgjegjësi i arsimit, İbrahim Aydoğdu në fjalën e hapjes së programit u uroi pjesëmarrësve festën e Ditës së Gjuhës Turke duke u shprehur: “Turqishtja është një ndër gjuhët më të njohura në botë dhe si një ndër vlerat më të vyera të kombit turk përbën shtyllën kryesore të qytetërimit.”

Në fjalën e tij, drejtori i institutit turk,  Zafer Kıyıcı tha: “Gëzuar festën e 87-të të gjuhës turke. Kam besim se do të tregoni përpjekjen e duhur për ta mësuar turqishten deri në nivelin më të lartë. Ju falënderoj të gjithëve që e doni turqishten”.

Programi vijoi me fjalime të kursantëve. Erion Pelingu, i cili përfundoi nivelin B2.2 u shpreh duke thënë se ka 4 vite që mëson turqisht, se e do turqishten dhe Turqinë dhe falënderoi institutin “Yunus Emre”  që i krijoi mundësinë e pjesëmarrjes në Projektin Akademia Rumeli-5.

Mirjana Pjeshka, e cila përfundoi B2.2 në fjalën e saj shprehu falënderime ndaj institutit turk që i krijoi mundësinë e pjesëmarrjes në Shkollën Verore të Turqishtes dhe në Projektin Akademia Rumeli-5 duke pohuar se do të vazhdojë të mësojë turqisht.

Eris Myftija, e cila përfundoi B2.2 u shpreh duke thënë: “Pasi fillova të mësoj turqisht u dashurova me turqishten dhe Turqinë. “

***

-Shqipëri, tryezë diskutimi mbi trashëgiminë kulturore

Në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë u zhvillua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë një tryezë diskutim me temë: “Trashëgimia Kulturore Kombëtare, pjesë e rëndësishme e Trashëgimisë Evropiane”.

Në aktivitet merrnin pjesë nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Vasil Tole, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, përfaqësues të institucioneve të ndryshme kulturore, studiues dhe studentë.

Në fjalën e tij, zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Vasil Tole tha se dita e trashëgimisë kulturore është një ditë e “shenjtë”, e cila sipas tij, kujton të gjithë ata që sakrifikuan për të studiuar dhe restauruar trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Duke folur për rëndësinë trashëgimisë kulturore, Tole theksoi se ajo nuk do të kuptohej dot nëse nuk perceptohet si një trup njeriu që ka dy krahë, ku njëri krah është trashëgimia kulturore materiale, gjithçka që është e prekshme. Ndërsa aspekti tjetër është trashëgimia kulturore jomateriale, e paprekshme.

Sipas tij, kujdesi për trashëgiminë ka filluar me ngritjen e institucioneve të shtetit shqiptar dhe se lista e monumenteve është pasuruar dhe arrin mbi 30 mijë objekte.

Në listën e monumenteve shqiptare ka qytete antike, parqe arkeologjike, ansamble muze, larmi objektesh që lidhen me ndërtesat popullore, ndërtesat e kultit etj”, u shpreh Tole.

Duke folur për rëndësinë e objekteve të trashëgimisë kulturore, Tole tha se Shqipëria sot ka disa objekte të regjistruara në listat botërore të trashëgimisë.

“Kur janë pranuar monumentet në listën e monumenteve botërore të ruajtje së trashëgimisë ato nuk na kanë vendosur asnjë kusht, por u ndjenë të kënaqur që shqiptarët si pjesë gjeografike e Evropës i kanë ruajtur dhe mirëmbajtur ato dhe që sot përfaqësohen si vlera evropiane të stacionuara në Shqipëri”, përfundoi Tole.

Ditët Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, një iniciativë e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, festohen nga miliona qytetarë evropianë me një kalendar eventesh në përputhje me tematikën e përzgjedhur çdo vit.

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme