Fushata zgjedhore në Kosovë vazhdon e qetë

Në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 1068 kandidatë të partive dhe koalicioneve të ndryshme politike.

Kosova siyaset.jpg
Kosova Savcılar Kurulu_toplantı.jpg
Kosova_ Z-Mobile_Vala GSM operatörleri.jpg
Kosova erken seçim_kampanyalarda harcanan paralar.jpg

Fushata zgjedhore në Kosovë vazhdon e qetë

Të mërkurën në Kosovë filloi zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Kandidatët për kryeministër filluan me shpalosjen e plan programit të tyre. Theksi kryesor i partive dhe koalicioneve mbetet në luftimin e korrupsionit, liberalizimin e vizave dhe procesin euro-integrues të Kosovës. 

Në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 1068 kandidatë të partive dhe koalicioneve të ndryshme politike. Zgjedhjet e 6 tetorit do të monitorohen nga rreth 100 vëzhgues të BE-së.

Disa në Prishtinë, e të tjerë në Mitrovicë e Suharekë, partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore vendosën t’i mbajnë tubimet për hapjen zyrtare të fushatës, që do të zgjasë 10 ditë rresht.

Investime në arsim dhe shëndetësi, reforma pensionale, sigurime sociale, shtesa për fëmijë, vende të reja pune, rritje ekonomike, vetting në sistemin e drejtësisë, ishin vetëm disa nga premtimet që po dominojnë diskursin politik në fushatë.

Përveç premtimeve, një pjesë e konsiderueshme e fjalimeve të politikanëve shfaqte kritikat ndaj qeverisjeve të kaluara apo rivalëve politikë, duke anashkaluar kështu prezantimin e një programi të mirëfilltë qeverisës për katër vitet e ardhshme.

*

Afro një milionë euro iu lejohet subjekteve politike shpenzim për fushatë

Rreth një milion euro është shuma që iu lejohet subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, që të shpenzojnë për fushatën zgjedhore, e cila ka nisur më 25 shtator.

Sipas Ligjit për Financimin e Partive Politike, burimet financiare dhe materiale të subjekteve politike përbëhen nga financimi publik përmes buxhetit të Republikës së Kosovës. Shuma e mjeteve buxhetore, dedikuar fondit për mbështetjen e subjekteve politike, nuk mund të kalojë 0,17 për qind të buxhetit të Kosovës dhe donacionet e tjera.

Kurse në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton maksimumin e shpenzimeve të fushatës, që bazohet në numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën e votuesve, në kohën e freskimit të fundit nga KQZ-ja.

KQZ-ja duke u mbështetur në listën preliminare të votuesve, ka ardhur në përfundim që maksimumi i shpenzimeve për secilën parti të jetë 986 mijë euro, përkatësisht 0.50 euro për votues të regjistruar, për secilin subjekt politik të certifikuar.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur. Bazuar në shifrat e lejuara të shpenzimeve deri në 986 mijë euro, del se të gjitha subjektet së bashku, gjatë 10 ditëve të fushatës mund të shpenzojnë deri 25 milionë euro.

Numri i votuesve është 1.937.868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime.

Në bazë të Ligjit për Financimin e Partive Politike, subjektet politike lejohen të marrin kontribute nga personat fizike, në vlerë jo më shume se 2 mijë euro për një vit kalendarik, kurse nga personat juridik deri në 10 mijë euro për një vit.

Financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër raportet e progresit që publikon Komisioni Evropian. BE këtë e sheh si një komponent esencial të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

*

Partitë politike kanë shpenzuar mbi 1 milion euro për tri ditë fushatë

Demokracia në Veprim (DnV) përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se është duke vëzhguar fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e Përgjithshme të 6 Tetorit, në nivel vendi.

Ata njoftojnë se gjithsej 72 vëzhgues afatgjatë janë në terren duke vëzhguar dhe raportuar në baza ditore mbi mbarëvajtjen, aktivitetet dhe shpenzimet e subjekteve politike që po garojnë për zgjedhje.
Gjatë treditëshit të parë të fushatës, janë vëzhguar gjithsej 217 aktivitete të subjekteve politike, pjesa më e madhe e të cilave kanë qenë tubime publike.

DnV thotë se për tri ditë fushatë, partitë politike kanë shpenzuar rreth 1 milion e 64 mijë euro për organizimin e aktiviteteve në tërë territorin e Kosovës.

“Gjatë aktiviteteve të subjekteve politike për tri ditët e fushatës, është raportuar për përdorim të artikujve të ndryshëm (bina, zërim, ushqim, pije, ndriçim, karrige, moderator, LED, mjete piroteknike, shtande, dhe fotograf), materialeve promovuese, performanca artistike si dhe mjete të transportit”, thuhet në njoftim.

“Numerikisht aktivitetet zgjedhore të organizuara nga subjektet politike në tre ditët e para janë si në vijim: PDK-70 aktivitete, LDK-33 aktivitete, LVV-35 aktivitete, Koalicioni AAK-PSD -25 aktivitete, Lista Serbe-20 aktivitete, Koalicioni Nisma-AKR-PD -19 aktivitete, dhe 15 aktivitete janë organizuar nga subjekte të tjera”, thuhet në njoftim.
DnV thotë se sipas të dhënave të marra nga Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ), rezulton që 148 takime kanë qenë të paralajmëruara, ndërsa 40 nga aktivitetet e montuara nuk janë paralajmëruar ashtu siç e kërkon ligji.
Sipas tyre, trendi i pjesëmarrjes së qytetarëve në aktivitetet zgjedhore është i ndryshueshëm. Afërsisht 40 mijë qytetarë ishin pjesëmarrës në ditën e parë në aktivitete zgjedhore, kurse në ditën e dytë pjesëmarrja u ulë në afërsisht 18 mijë persona. Ndërsa në ditën e tretë kanë marrë pjesë rreth 21 mijë persona. Totali për 3 ditë aktivitete zgjedhore është rreth 78 mijë e 500 persona të pranishëm në aktivitete zgjedhore.
*

Rritje e pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatë 

Sipas DNV-së, në tre ditë të fushatës, është shënuar një rritje e pjesëmarrjes së fëmijëve me afërsisht 730 fëmijë, që kanë marrë pjesë në aktivitetet e subjekteve politike. Pjesëmarrja e tyre është vënë re në 56 aktivitete zgjedhore dhe në 13 raste ka qenë e organizuar.

Sipas hulumtimit të DnV-së shfrytëzimi i resurseve publike ka shënuar rritje nga dita e parë e fushatës zgjedhore sipas aktiviteteve të monitoruara nga DnV, ku në 20 raste kishte përdorim të 50 veturave zyrtare dhe 40 raste pjesëmarrje të shërbyesve civilë.
Ndërkaq në aktivitetet e Listës Serbe në Graçanicë në 3 raste është vënë re përdorim i veturës zyrtare dhe në 2 organizime tjera të subjekteve politike serbe është vërejt përdorimi i veturave zyrtare dhe atë nga 1 rast në Ranillug dhe Shtërpce. PDK në 3 raste në Shtime dhe 1 në Shtërpce, Nisma-AKR-PD në 2 raste në Mitrovicë Jugore dhe me nga 1 në Vushtrri dhe Shtime, LDK në 2 raste në Viti, Koalicioni AAK-PSD-PD në 3 raste në Klinë dhe 1 rast në Junik, LVV në 1 rast në Vushtrri ka përdorur veturë zyrtare.
Sa i përket monitorimit të mediave, DnV thotë se kur është fjala për kronikat e televizioneve të dhënat për dy ditët e para të fushatës, tregojnë që më së shumti mbulueshmëri ka pasur PDK me 38 minuta, pastaj VV me 36 min, LDK me 33 min, AAK me 25, PEK me 9, Fjala me 10, Lista serbe 25, SLS 8 minuta dhe koalicioni Slloboda me 8 minuta.
*

Një kandidat për kryeprokuror përjashtohet nga lista 

Këshilli Prokurorial i Kosovës konfirmoi listën përfundimtare të kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku ishin dhjetë kandidatë në garë. Kandidati Ibrahim Berisha, u përjashtua nga lista për shkak të masave disiplinore që i kishte.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se kandidatët për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë kontrolluar në bazë të kritereve ligjore. Ai tha se janë dhjetë kandidatë pretendentë për të udhëhequr këto dy institucione.

“Kanë aplikuar për Prokurorinë Speciale, Blerim Isufaj, Atdhe Dema, Haki Gecaj, Armend Haliti, Afrim Shefkiu, dhe për Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, Fitore Sadikaj, Kujtim Munishi, Valdet Gashi dhe Valmire Behrami”, tha ai.

Kryesuesi i Këshillit, Bahri Hyseni tha se sipas rregullores dhe ligjeve në fuqi janë shqyrtuar të gjitha kërkesat e kandidatëve që duan të jenë kryeprokuror, përderisa kandidati për në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, ka dy masa disiplinore të shqyrtuara dhe për këtë arsye atij nuk i jepet statusi i kandidatit për kryeprokuror në këtë prokurori.

*

Jepen subvencionet për bujqit

Të premten me 27 shtator, Ministria e Bujqësisë ka filluar ekzekutimin e subvencioneve për bujqit. Në një komunikatë për medie, kjo ministri njofton se deri tani ka proceduar listat për pagesë për mbi 13 mijë bujqve, të cilët kanë përfituar subvencione në vlerë prej rreth 12 milionë euro. Aktualisht, Ministria e Bujqësisë e ka të hapur edhe thirrjen për aplikim për mbështetje të fermerëve, në kuadër të programit për Integrimin Social - Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet".

*

Zbulohet shpella qindra-mijëra vjeçare në Prizren

Një shpelle qindra-mijëra vjeçare e mbushur me stalaktite e stalagmite është zbuluar në Zhur të Prizrenit, jo shumë larg nga kufiri shqiptar. Shpella duket të jetë 8 metra e thellë, por zakonisht shpellat e tilla janë më të mëdha, që pritet të zbulohet pas inspektimit e studimeve të ekspertëve.

Por ekspertët nuk shihen gjëkundi, e as policia nuk është duke e mbrojtur shpellën nga keqpërdoruesit e mundshëm, të cilët mund ta dëmtojnë atë.

Ramadan Kurtaj e zbuloi atë ndërsa po punonte me ekskavator për zgjerimin e rrugës Zhur-Dragash.

Në tre ditë ajo është kthyer në një atraksion për vizitorë nga të dy anët e kufirit të cilët kërkojnë të mbrohet. Shpella duket të jetë e mermertë, ngjashëm me Shpellën e Gadimes po në Kosovë, e që shpellat e tilla janë të rralla në Europë.

Ndaj kërkohet ndërhyrja dhe përkujdesi i institucioneve që siç thonë ende nuk po e marrin seriozisht rastin që mund të shërbejë si atraksion turistik në nivel ndërkombëtar.

*

Numrat e Z-Mobile i jepen Valës 

Bordi Drejtues i ARKEP ka vendosur për numrat e operatorit Z-Mobile pas përfundimit të kontratës me operatorin VALA. Bordi Drejtues i Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka vendosur që këto numra t’i kalojnë Telekomit të Kosovës.

Kjo është vendosur në mbledhje, pas analizimit të situatës së krijuar si rezultat i mos vazhdimit të raportit komercial ndërmjet operatorit të rrjetit të telefonisë “Telekomi i Kosovës” dhe operatorit virtual të rrjetit “Dardafon.net”.

“… me qëllim të dhënies së mundësisë së përdoruesve fundorë për vijimësi të shërbimeve, numeracioni i cili është aktualisht në dispozicion për nevoja të operatorit virtual ‘Dardafone.net’, pas kalimit të periudhës tranzitore, duhet t’i kalojë për përdorim operatorit amë rrjetit të telefonisë, përkatësisht ‘Telekomit të Kosovës”, thuhet në vendim.



Lajme të ngjashme