Maqedonia e Veriut - Kërkesë për hapjen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe në Jurumleri

Banorët e fshatit kanë kërkuar që të hapet paralele në gjuhen shqipe, por, as drejtori I shkollës dhe as kryetari I komunës Gazi babe, nuk kanë parashtruar kërkesë deri tek ministria e arsimit.

Maqedonia e Veriut - Kërkesë për hapjen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe në Jurumleri

Maqedonia e Veriut: Kërkesë për hapjen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe në Jurumleri

Tash një muaj nxënësit shqiptarë të fshatit Jurumleri që gjendet në afërsi të kryeqendrës së Maqedonisë së veriut  e që graviton në komunën e Gazibabës së Shkupit, nuk janë ulur në bankat shkollore së bashku më moshatarët e tyre për të ndjekur mësimin. Kjo për shkak se në shkollën fillore “Njegosh” të po këtij fshati nuk ka paralele në gjuhën shqipe nga klasa e 5-të. Nxënësit shqiptarë nga klasa e pestë janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase, ose duhet të gjejnë shkollën më të afërt në gjuhën shqipe.

Banorët e fshatit kanë kërkuar që të hapet paralele në gjuhen shqipe, por, as drejtori I shkollës dhe as kryetari I komunës Gazi babe, nuk kanë parashtruar kërkesë deri tek ministria e arsimit.

BANORËT MAQEDONAS TË FSHATIT JURUMLERI JANË KUNDËR HAPJES SË PARALELES ME MËSIM NË GJUHËN SHQIPE

Banorët maqedonas të këtij fshati e refuzojnë hapjen e paraleles shqipe me arsyetimin se në këtë paralele do te mësonin edhe nxënës shqiptarë të fshatrave përreth, e me këtë, sipas tyre do  të nxitej konflikt ndëretnik.

" Ne kemi bashkëjetesë me shqiptarët që jetojnë këtu, por duan te sjellin nxënës nga fshatra tjerë Konjarë, Ognjancë që këtu të mësojnë. Këtu do ketë konflikte mes nxënësve"...

"Na thanë se do vinë nxënës shqiptar nga shkolla tjera,  nga Ognjanci nga Qolia, do si sjellin të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën. Ne po bojkotojmë që të mos sjellin nxënës nga etni tjera dhe nga fshatrat tjerë", thanë banorët.

ARBER ADEMI: JO POLITIKË NË ARSIM, TË  DORËZOHET KËRKESA

Ministri i Arsimit Arbër Ademi ka thënë se drejtori I shkollës nuk ka dorëzuar kërkesë për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe, i cili, sipas tij, është nën ndikimin e individëve të cilët I dëshirojnë  konfliktet.  Ai kërkoi që arsimi të mos politizohet.

"Apeloj që të mos politizojmë arsimin. Arsimi të mos jetë arenë për përplasje politike, etnike por të jemi të gjithë të fokusuar në përfarimin me njëri tjetrin në njohje me njëri tjetrin dhe përmirësimin e cilësisë në arsim. Është e vërtetë se drejtori nuk ka dorëzuar kërkesën deri në komunë. Ne kemi shpreh gatishmëri t’iu ndihmojmë edhe me rastin e hapjes së paraleles së re por edhe për hapësirat infrastrukturore edhe për sigurimin e hapësirave, por fatkeqësisht në bazë të informacioneve që posedoj ai është nën presion të individëve të caktuar që ndoshta kanë agjendë konkrete për ti kthyer tensionet e viteve të mëparshme që karakterizonin arsimin", ka thënë Ministri i Arsimit Arbër Ademi.

KOMUNA E GAZI BABËS PREMTON OBJEKT TË RI SHKOLLOR NË IDRIZOVË

Ndërkohë, për të gjetur një zgjidhje për nxënësit e Idrizovës që ata procesin mësimor ta ndjekin në gjuhën amtare, në komunën e Gazibabës të enjten u takuan  deputeti Muhamed Zeqiri, kryetari i Gazi Babës Boris Georgievski dhe një  përfaqësues i prindërve.

Pas takimit dolën me një propozim që të ndërtojnë një shkollë të re për nxënësit shqiptar në afat prej tre muajsh. Derisa të ndërtohet shkolla nxënësit shqiptar do të shpërndahen në shkolla tjera shqipe dhe nuk do të mësojnë në shkollën fillore “Njegosh”.

“Shpresoj se këtë problem që po zgjatë të paktën 22 vite, mund ta zgjidhim shpejtë. Kemi objekte ekzistuese, do t’i rinovojmë dhe adaptojmë që të jenë në funksion dhe të krijojmë ambient funksional për shkollën rajonale”,- tha kryetari i komunës së Gazibabës, Boris Georgievski.

Sipas Muhamet  Zekirit, kjo është zgjidhje më e mirë sesa fëmijët të mos ndjekin procesin mësimor.

“Ne do të bëjmë çmos që para gjysmëvjetorit të kryhet objekti dhe fëmijët të fillojë atje të mësojnë. Në këtë periudhë, 13 nxënës do të mund të transferohen atje ku prindërit dëshirojnë dhe komuna do të sigurojë transport të veçantë për ata fëmijë deri sa të adoptohet objekti në fshatin Idrizovë”,- tha nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

Koordinatori i Këshillit të prindërve, Rizvan Seferi, tha se për këtë propozim do të duhet të merret edhe pëlqimi  i prindërve.

“Nëse për tre muaj para gjysmëvjetorit bëhet ky objekt, atëherë ne do të pajtohemi. Por nëse nuk zgjidhet ky problem, atëherë e dimë të gjithë se çfarë do të ndodhë pas kësaj procedure”,- theksoi koordinatori i prindërve, Rizvan Seferi.

Ka disa vite që Komuna e Gazi Babës dhe drejtori maqedonas i shkollës “Njegosh” nuk lejojnë mësimin në gjuhën shqipe nga klasa e pestë për nxënësit shqiptarë në Idrizovë dhe rrethinë. Nxënësit shqiptarë, pas klasës së katërt, mësimin e ndjekin në shkollat e Çairit, ndërsa ata të cilët nuk kanë pasur mundësi ti dërgojnë fëmijët në shkollat e qytetit të Shkupit, janë detyruar që fëmijët i tyre ti regjistrojnë në paralelet me mësim në gjuhen  maqedonase.

 


Lajme të ngjashme