Në Shqipëri zhvillohen aktivitete me rastin e Ditës së Ashures

Në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë u zhvillua një ceremoni me rastin e Ditës së Ashures, ku pjesëmarrës ishin besimtarë, zyrtarë dhe personalitete nga fusha të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, etj.

Arnavutluk Aşure Günü_12.jpg
Arnavutluk Aşure Günü_10.jpg
Arnavutluk Aşure Günü_14.jpg
Peter Zingraf-Gramoz Ruçi.jpg
Arnavutluk_Türkiye Mezunları Derneği_ TUMED_toplantı_4.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (37/2019)

-Në Shqipëri zhvillohen aktivitete me rastin e Ditës së Ashures

Në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë u zhvillua një ceremoni me rastin e Ditës së Ashures, ku pjesëmarrës ishin besimtarë, zyrtarë dhe personalitete nga fusha të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende të tjera.

Gjatë ceremonisë në Tiranë mbajti një fjalë përshëndetëse kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, duke përcjellë mesazhet e paqes dhe unitetit.

Në situatën aktuale politike kur palët ende nuk po gjejnë dakordësinë për zgjidhjen e krizës, kryegjyshi botëror bektashian, Baba Mondi i është drejtuar me një mesazh politikanëve shqiptarë, duke ju kërkuar që pushtetin ta vënë në shërbim të popullit.

"U themi sot politikanëve shqiptarë që ti afrohen aq sa munden jetës dhe veprës së imam Hysenit sepse do të gjejnë në to jo thjesht kuriozitetin historik dhe fetar, por në mënyrë të veçantë konceptin e tij për pushtetin. Ky pushtet do të jetë vërtet në shërbim të popullit. Ta meritojmë respektin e popullit dhe jo ta kërkojmë atë përmes kulmeve dhe permtimeve të pambajtuara çfarë e çuan këtë vend në zgrip të varfërisë".

Pas ceremonisë, të pranishmit kanë vazhduar ritet fetare, duke vizituar ambientet e selisë së Kryegjyshatës për të shijuar ashuren e përgatitur me rastin e kësaj dite, ndërsa u mbajt edhe një koncert me këngë dhe valle shqiptare.

Shpërndarja e ashures vazhdojë gjatë gjithë ditës, ndërsa selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane e kanë vizituar personalitete të ndryshme për të përcjellë urimet me rastin e kësaj dite.

Aktivitete dhe shpërndarja e ashures janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Në qytetin e Shkodrës u zhvillua aktiviteti me temë: "Ashurja: Shija e Gostitjes", organizuar nga instituti turk, “Yunus Emre”.

Gjatë aktivitetit u realizua gostitja me ashure; simbolin e ndarjes me të tjerët dhe begatisë. Në aktivitetin që u zhvillua në një nga rrugët më të frekuentuara të Shkodrës; Rruga Pedonale, përveç qytetarëve shkodran morën pjesë edhe turistë të huaj të qytetit.

Krahas gostitjes me ashure stenda e promovimit të kurseve të turqishtes dhe materialet arsimore tërhoqën vëmendjen e çdo moshe.
Qytetarë të shumtë të cilët shfaqen pëlqimin e shijes dhe promovimit të ashures kërkuan zhvillimin e një aktiviteti të tillë edhe në vitin e ardhshëm. Gjithashtu duke dëgjuar muzikën në sfond dhe nganjëherë edhe duke e shoqëruar me vallëzim, shfaqën gëzimin për këtë aktivitet në të cilin shkrihen kultura dhe gjuha.
Secili që mori pjesë në këtë aktivitet, i cili nxjerr në pah rëndësinë që Turqia i kushton unitetit, bashkimit dhe ndarjes me tjetrin përcolli falënderime dhe kënaqësi.

Me rastin e Ditës së Ashures, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka vizituar Teqen e Tarikatit Rifai “Haxhi Shejh Ali Kruja”. Me këtë rast, zj. Ademi ka përcjellë urimet e rastit për të gjithë besimtarët dhe prijësit e Tarikatit Rifai në Shkodër dhe më tej...

***

-Presidenti Meta i dërgon mesazh urimi Presidentit Pendarovski me rastin e 28-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut 

“28-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më jep kënaqësinë e veçantë që të përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet e përshëndetjet më të ngrohta, të përzemërta e vëllazërore për Ju dhe të gjithë qytetarët Tuaj.

Shpreh bindjen time se, falë edhe vullnetit, eksperiencës dhe vizionit Tuaj, marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë e të bashkëpunimit, që ekzistojnë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë, do të forcohen më tej në të ardhmen”, thekson Meta në urimin e tij.

Ndërkaq, presidenti shqiptar shprehet ”Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Përfitoj nga rasti t’Ju përgëzoj për vizionin dhe guximin në arritjen e Marrëveshjes historike të Prespës – një shembull për gjithë rajonin – që jo vetëm do të forcojë perspektivën euroatlantike të vendit Tuaj, por do ta bëjë rajonin tonë edhe më të sigurtë. Jam i bindur se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian”.

***

-Synimi i Gjermanisë, PO çeljes së negociatave me Shqipërinë

“Synimi i Gjermanisë është t’i thotë PO çeljes së negociatave me Shqipërinë”, ka deklaruar ambasadori i ri i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf.

Ai u prit në një takim nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me rastin e fillimit të mandatit të tij në Shqipëri.

Ambasadori Petert Zingraf nënvizoi se është i lumtur që ka filluar misionin e tij në Shqipëri dhe se i jepet mundësia të kontribuojë në forcimin e  bashkëpunimit midis të dy vendeve. “Kancelarja Merkel ka deklaruar së fundi se Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria kanë rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe BE-në. Synimi i Gjermanisë është t’i thotë PO çeljes së negociatave me Shqipërinë”, nënvizoi Ambasadori Zingraf.

Ruçi e uroi Ambasadorin Zingraf për detyrën e tij të re dhe shprehu besimin se gjatë këtij mandati marrëdhëniet midis të dy vendeve do të fuqizohen më tej. “Gjermania është lokomotiva ekonomike dhe politike e Evropës. Ne i jemi mirënjohës Bundestagut, qeverisë gjermane dhe personalisht Kancelares Merkel për fokusin e tyre të veçantë ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së rrugëtimit tonë evropian. Shpresojmë që kjo mbështetje do të vazhdojë dhe se Bundestagu dhe qeveria gjermane do tu thonë PO çeljes së negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Evropian të tetorit”, vuri  në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit Ruçi dhe Ambasadori Zingraf biseduan edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe nxitjen e investimeve gjermane në industritë prodhuese në Shqipëri.

***

-YTB organizon në Tiranë “Programin Orientues’’ 

Në kuadër të veprimtarive, Shoqata e të Diplomuarve në Turqi (TUMED) nën përkujdesjen e YTB-Departamenti për Turqit Jashtë Shtetit dhe Komunitetet Mike organizoi ‘’Programin Orientues’’ për studentët e rinj që kanë fituar të drejtën e studimeve në Turqi me bursë të plotë.
Në këtë veprimtari morën pjesë dhe përshëndentën ish-deputeti i kuvendit të Republikës së Turqisë, Celal Erbay si dhe kryekëshilltari për çështjet e Arsimit pranë Ambasadës Turke në Shqipëri, Atakan Doğan.

Turqia, e cila viteve të fundit u shndërrua në një qendër të rëndësishme të arsimit, me “Bursat e Turqisë” të YTB-së u ofron studentëve ndërkombëtarë nga e gjithë bota mundësinë për të studiuar në fushën e arsimit të lartë.

Studentët e huaj, të cilët ndjekin studimet në nivelin universitarë, të lartë dhe në nivelin e doktoratës, pas diplomimit do të kthehen në vendet e tyre, ku do të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërive.

***

-Për herë të parë në historinë shqiptare një film në festivalin e Torontos

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë një film kosovar është shfaqur në premierën botërore të Festivalit të Filmit në Toronto të Kanadasë.

“Toronto International Film Festival”konsiderohet si njëri prej festivaleve më të mëdha në botë.

Filmi tregon historinë e një gruaje të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë, ndërsa ballafaqohet me tmerret nga kaluara e saj e errët e kohës së luftës.

Protagonistja e filmit, Adriana Matoshi bëri të ditur lajmin me anë të një postimi në Facebook.

“Sonte për herë të parë në historinë shqiptare, premierë botërore në Toronto do të jetë një film kosovar. Kosova ka një histori, ka artistë, një zemër dhe forcë për t’i thënë botës që ne dimë. Falënderoj të gjithë ata në këtë jetë që besojnë në mua, dhe falënderoj Antonetën që më besoi me këtë rol të fortë të Lumes. Unë kurrë nuk do të arrij vetëm, pa përkrahjen e artistëve, dhe sonte do të ndriçoj me veshjen e Drenusha Xharra. Familja ime e dashur dhe miqtë e mi janë motivimi im! Sonte do të mbaj duart e juaja sepse e di që do jeni të gjithë me mua. Më uroni fat, ju dua shumë,”-shkroi ajo.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme