Maqedonia e Veriut investon 1,3 miliardë denarë në infrastrukturën rurale

Në Shkup është bërë prezantimi i rezultateve të projektit për zhvillim të infrastrukturës rurale, të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore.

1267246
Maqedonia e Veriut investon 1,3 miliardë denarë në infrastrukturën rurale

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka marrë pjesë në prezantimin e rezultateve të projektit për zhvillim të infrastrukturës rurale, të mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Banka Botërore.

Në fjalimin e tij Zaev tha se me realizimin e suksesshëm të projekteve nga fondi IPA janë përmirësuar kushtet e jetesës edhe në mjediset rurale.

"Me këtë projekt janë realizuar 135 nënprojekte në 78 komuna në nivel të shtetit, përmes projektit të përmirësimit të shërbimeve komunale MSIP, i financuar me hua nga Banka Botërore. Vlera e përgjithshme e projekteve është 1,3 miliardë denarë, nga të cilat 1,2 miliardë denarë janë siguruar nga granti IPA, ndërsa 97 milionë denarë janë bashkëfinancim i komunave", tha Zaev.

Projektet e realizuara kryesisht kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugëve, shkollave, çerdheve, ujësjellësve, kanalizimeve dhe investimeve tjera infrastrukturore në mjediset rurale.

Marco Mantovanelli, drejtor i zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, në fjalimin e tij tha se institucioni të cilin përfaqëson ai është partner i vendit për më shumë se 10 vite.

"Partneriteti fillimisht ishte dhe akoma është me Ministrinë e Financave dhe me kryetarët e komunave përmes financimeve të ndryshme të Bankës Botërore. Në fazën e parë në kuadër të projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale, 78 milionë dollarë do të kompletojnë financimin në mars dhe do të arrijë në 57 komuna", tha Mantovanelli.

Në prezantimin e rezultateve të projektit, folën edhe ministrja e Financave Nina Angellovska dhe përfaqësuesi i BE-së në Shkup Samuel Zbogar, ndërsa të pranishëm ishin edhe shumë kryetarë të komunave. (Anadolu Agency-AA)



Lajme të ngjashme