Maqedonia e Veriut - Hiqen barrierat doganore me Kosovën

Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë hequr barrierat e qarkullimit të lirë të disa mallrave.

Maqedonia e Veriut - Hiqen barrierat doganore me Kosovën

Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë hequr barrierat e qarkullimit të lirë të disa mallrave. Mjalti dhe patatet e Maqedonisë përsëri janë në tregun e Kosovës dhe Kosova është përsëri në listën e vendeve nga të cilat mund të importohet rasati i peshqve në shtet, pasi i përmbushi kushtet për monitorim pasiv dhe aktiv të peshqve.

 

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi,  ka sqaruar se masat nuk ishin të vendosura ekskluzivisht për Kosovën, por për të gjitha shtetet të cilat nuk dorëzojnë dokumentacion për implementim të standardeve që kërkon BE. 

“Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës e dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm sa i përket programit për monitorim aktiv dhe pasiv të produkteve të peshkut dhe bazuar në atë program, AUV i RMV-së sot ka marrë vendim që të lejojë importin e këtyre produkteve në vendin tonë”,- ka deklaruar ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Sipas ministrit Bekteshi barriera e vendosur nga Kosova nuk ka pasur ndikime në ekonominë e vendit, sepse produktet e Maqedonisë së Veriut plotësojnë standarde për t’u eksportuar në tregun evropian.

"Ne si Qeveri jemi plotësisht të përkushtuar për të përmbushur të gjitha standardet, dhe duke pasur parasysh faktin se jemi në pritje të një date për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian në muajin tetor, ne do të përmbushim të gjitha kërkesat dhe nuk do të ketë anashkalime. Ne si Qeveri po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të hapur tregje të reja, por në të njëjtën kohë duke mbrojtur qytetarët me kontroll më të madh mbi produktet e importuara në vend", theksoi Bekteshi.

Barrierat tregtare mes dy vendeve filluan pasi Maqedonia e Veriut ndaloi importin e rasatit të peshkut nga Kosova ndërsa si kundër- përgjigje vendi nuk mund të eksportonte mjaltë dhe patate në tregun e Kosovës.

KOMISIONI I EMËRIMEVE I PROPOZON PARLAMENTIT SHKARKIMIN E KATICA JANEVËS

Propozimi i komisionit i është dërguar kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili duhet të thërret seancë plenare në një afat të arsyeshëm.

Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime i ka propozuar Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që të shkarkojë nga detyra prokuroren Speciale, Katica Janeva, e dyshuar në rastin “Reketi” për çka edhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Raporti i Këshillit të Prokurorëve, është miratuar njëzëri nga të gjithë anëtarët e komisionit.

Kryetari i komisionit, Ilija Dimovski, ka deklaruar se nga përmbajtja që ka lexuar, ka elemente për shkarkimin e prokurores.

Nga ajo që mund të shoh konsideroj se ka shumë elemente që Kuvendi të mund të vendosë. Nuk mund të flas më shumë, pasi e kam obligim ligjor të mos jap detaje pasi duhet të mbahen në fshehtësi. Unë respektoj qëndrimin se duhet të kihet kujdes me procedurat që kanë të bëjnë ndjekjen penale të Prokurorit Special, por në anën tjetër nuk mendoj se bëhet fjalë për çështje që do të rrezikojnë të drejtat e njeriut. Ka interes shumë të madh për këtë problematikë, andaj edhe mendoj se opinioni duhet të jetë i njoftuar”, ka deklaruar Dimovski.

JANEVA NGA BURGU SHKRUAN LETER DHE KËRKON QË LËNDËT E SPECIALES TË KALOJNË TEK PROKURORIA E RREGULLT

Nga ana tjetër, prokurorja Speciale, Katica Janeva, nga burgu hetues ku ndodhet, ka kërkuar që të gjitha lëndët që janë ngritur nga Prokuroria Speciale, t'i dorëzohen Prokurorisë së rregullt.

Kërkesa e Janevës dhe nisja e procedurës parlamentare për shkarkimin e saj nga detyra, ndodhin në kohën kur partitë ende nuk kanë arritur marrëveshje për ligjin e Prokurorisë Speciale.

Zgjidhja duhet të arrihet deri më 15 shtator, pasi atëherë skadon mandati i Prokurorisë Speciale me çka bien poshtë edhe 93 lëndët e kundër ish-zyrtarëve nëse nuk miratohet ligji, me të cilin parashihet kalimi i të gjitha lëndëve nën mandatin e prokurorisë së re kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.



Lajme të ngjashme