Në Tiranë u vandalizua Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut

Memoriali kushtuar dëshmorëve të 15 Korrikut, i vendosur në parkun e ndërtuar nga TIKA në Tiranë është vandalizuar nga persona të papërgjegjshëm.

Arnavutluk Tiran-daki 15 temmuz demokrasi parkı_7.jpg
Arnavutluk Meclisinde yeni yasama yılı başladı_1.jpg
Tiran Büyükelçiliği_30 Ağustos Zafer Bayramı_4.jpg
Tiran Büyükelçiliği_30 Ağustos Zafer Bayramı_2.jpg
Rahibe Teresa_Arnavutluk Bayrağı.jpg
küçük resim_msü harp okullarından 7 askeri öğrenci mezun oldu6.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (36/2019)

-Në Tiranë vandalizohet Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut

Memoriali kushtuar dëshmorëve të 15 Korrikut, i vendosur në parkun e ndërtuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim-TIKA në Tiranë është vandalizuar. Memoriali që ndodhet në Parkun “Dëshmorët e 15 Korrikut” brenda Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës është dëmtuar, duke u thyer me mjete të forta në pjesën ku janë të shënuar emrat e dëshmorëve të 15 Korrikut.

Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

"Në orët e para të mëngjesit, tek parku i Liqenit të Thatë, një person ende i paidentifikuar ka dëmtuar me sende të forta një pjesë të një memoriali. Grupi hetimor po kryen veprimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit", thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

Forcat e policisë pas dëmtimit e kanë rrethuar me pjesë metalike hapësirën ku është vendosur memoriali, të cilin po ashtu e kanë mbuluar.

Në parkun e ndërtuar nga TIKA, më herët është dëmtuar edhe një nga tabelat e parkut.

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, në llogarinë e tij në “Facebook”, më herët kishte bërë një postim lidhur me sulmin ndaj tabelës treguese, dëmtimin e simboleve turke dhe memorialit me emrat e dëshmorëve.

"Jo memorial politik të Turqisë së Erdoğanit në Tiranë", ishte shprehur Dedaj, duke shtuar se në parkun në fjalë nuk ka vend për politikën aktuale të Turqisë.

Ambasada e Turqisë në Shkup përmes një deklarate kishte theksuar se dënon ashpër pretendimet e pabaza dhe retorikën armiqësore kundër presidentit Erdoğan që Dedaj ka përdorur në postimin e tij lidhur me memorialin që ndodhet në Parkun “Dëshmorët e 15 Korrikut” në Tiranë.

Memoriali u inaugurua më 15 korrik të këtij viti gjatë shënimit të përvjetorit të tretë të tentativës për grusht shteti të dështuar nga organizata terroriste FETO me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të Shqipërisë, të institucioneve turke dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile në Shqipëri. 

***

-Çelet sesioni i pestë i legjislaturës së nëntë parlamentare shqiptare

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi deklaroi se, “Kuvendi mbylli sesionin e kaluar dhe fillon këtë sesion parlamentar si një institucion funksional me një kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor”.

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, kryeparlamentari Ruçi tha se “sesioni që mbyllëm nuk ishte i lehtë, por  me gjithë vështirësitë që u shkaktuan nga lënia e mandateve të deputetëve të opozitës, kjo nuk cenoi funksionimin e sistemit tonë politik, produktivitetin dhe rezultatet e Kuvendit”.

Po ashtu, Ruçi vlerësoi Reformën në Drejtësi si meritë ekskluzive të Kuvendit të Shqipërisë.

Ruçi shpalli edhe objektivat për sesionin e ri parlamentar duke theksuar se të gjithë presin negociatat, ndërsa dora e shumicës është e shtrirë për opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore.

“Rekomandimi i komisionit për çeljen e negociatave është produkt i arritjeve, në mbledhjen e këshillit në tetor shkojmë me sigurinë e plotësimit të këtyre detyrave. Dëshira e të gjithë shqiptarëve është çelja e negociatave. Ne duhet ta përdorim këtë fillim sesioni për të kompensuar atë që nuk bëmë mirë në sesionin e kaluar”, – tha ai.

Ruçi theksoi se “prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore”.

“Do të jetë një produkt konsensual i Kuvendit duke përfshirë edhe opozitën jashtëparlamentare. Dora e shtrirë e Kuvendit nuk është mëshirë. Mbrojtja e Kushtetutës është garancia e Shqipërisë së nesërme. Reforma në Drejtësi do të vijojë duke filluar me ngritjen e institucionet e reja. Gjykata Kushtetuese dhe ILD do të bëhen funksionale shumë shpejt”, – tha Ruçi. 

***

-Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, mesazhe urimi nga drejtues fetarë dhe  liderë politikë të Shqipërisë

5 shtatori, dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës është uruar edhe nga liderët politikë.

Me një foto të veçantë, kryeministri Edi Rama ka uruar ditën e Shenjtërimit të humanistes së madhe shqiptare.

Gëzuar Ditën E Shenjtërimit Të Nënë Terezës”, shkruan Rama.

Në mesazhin e urimit, presidenti shqiptar, Ilir Meta e quan 5 shtatorin si një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, por edhe për të gjithë njerëzimin.

Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin. Është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale...”.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në mesazhin e tij për 3 vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës shprehet se “Sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare”. 

Nga ana tjetër, besimtarët katolik të Shkodrës përkujtuan Nënë Terezën në tre vjetorin e Shenjtërimit të saj.
Procesioni nisi nga Oborri i Katedrales së Shën Shtjefnit duke përshkuar rrugët e Shkodrës me portretin e Nënë Terezës në duar dhe me këngë e lutje, për tu ndaluar tek shtatorja e saj në qëndër të qytetit.
“Nënë Tereza ishte një njeri i thjesht dhe se ajo asnjëherë nuk ka dashur të ketë vëmendje pasi për të në qendër të vëmendjes ishte Zoti dhe përkushtimi i saj”, u shpreh famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj.
Gjatë fjalës së famullitarit të Shkodrës u dëgjua edhe ezani i vaktit të mesditës në xhaminë aty afër, pikërisht nga xhamia “Ebu Bekër” e Shkodrës, Dom Vlash Palaj u shpreh se “ky është një moment i bukur që edhe lutja e hoxhës dhe fjalët e mia të bashkohen duke krijuar kështu lutjen e përbashkët për Shenjten Nënë Tereza”.

***

-Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë organizon pritje për Ditën e Fitores

Me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Forcave të Armatosura Turke, që shënon fitoren e Turqisë në betejën e fundit në luftën për pavarësi, Ambasada e Turqisë në Tiranë organizoi pritje zyrtare.

Të pranishëm në aktivitetin e organizuar në ambientet e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, ishin përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë, diplomatë dhe të ftuar të tjerë.

Ceremonia filloime intonimin e himneve të dy vendeve, ndërsa u lexua mesazhi i presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dërguar përfaqësive diplomatike.

Zv.ambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, tha se Republika e Turqisë u themelua me luftën çlirimtare të popullit turk.

"Guximi, mençuria dhe vendosmëria që populli turk tregoi në këtë luftë nën udhëheqjen e veteranit Mustafa Kemal Atatürk dhe shokëve të tij formuan karakterin e popullit tonë. Ky karakter qëndron edhe sot. Sulmet që kryhen ndaj vendit tonë në Turqi, në Shqipëri apo nga cilido vend tjetër në botë do të mposhten me këtë guxim, mençuri dhe vendosmëri", tha Cengiz.

Ai shtoi më tej se "Përkujtoj me respekt të gjithë bijtë tanë që kanë rënë dëshmorë për të bërë atdhe territoret ku është themeluar Republika jonë e Turqisë, për mbijetesën e Republikës sonë, që i kanë shërbyer atdheut, që kanë luftuar me organizatat terroriste dhe duke kundërshtuar përpjekjen për grusht shteti."

Kujtojmë se në këtë ditë, 97 vjet më parë, forcat turke me themeluesin e Republikës moderne të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, shënuan fitore të madhe kundër forcave greke në Betejën në Dumlupınar, e cila ishte e fundit në luftën e Turqisë për pavarësi mes viteve 1919 dhe 1922.

***

-Shtatë kadetë shqiptarë të diplomuar në akademitë turke, i shtohen Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Shtatë kadetë shqiptarë përfunduan studimet në akademitë ushtarakë në Turqi, mes 325 ushtarakëve të rinj nga 17 vende të botës.
Kadetët shqiptarë u diplomuan në specialitete të ndryshme, duke përfunduar me sukses programin Bachelor dhe atë të përgatitjes ushtarake.
3 nga kadetët shqiptarë u diplomuan në Akademinë e Forcës Tokësore, 2 në atë të Forcës Ajrore dhe 2 të tjerët në Akademinë e Forcës Detare.

Vlen të përmendet se 3 kadetëve shqiptarë, Ergys Dollomaja, Dario Bufazi dhe Krist Hasanbega,diploma iu dorëzua përpara protokollit nga zëvendësministri i Mbrojtjes i Turqisë, për rezultatet e larta të arritura.
Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm krerët më të lartë të shtetit turk, mori pjesë edhe komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bajram Begaj.
Kadetët e sapodiplomuar shqiptarë do të kthehen të shërbejnë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë me gradën e nëntogerit.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme