Senatori Graham: ShBA-ja duhet të jetë më konkurruese në Malin e Zi

“ShBA-ja duhet të jetë më konkurruese në Malin e Zi”,- tha senatori amerikan Lindsey Graham në një takim që pati me Presidentin Millo Gjukanoviq.

Millo Gjukanoviq_ABD temasları.jpg
Lindsey Graham_Millo Gjukanoviq2.jpg
Ulqin_Ülgün plajı.jpg
Ulqin_Ülgün_Kolonia e Piktorëve.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün_festival2019.jpg

Senatori amerikan Lindsey Graham: ShBA-ja duhet të jetë më konkurruese në Malin e Zi

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq u takua me delegacionin e Kongresit Amerikan të kryesuar nga senatori Lindsey Graham. Ai i njoftoi kongresmenët me situatën aktuale politike, duke theksuar se Mali i Zi është i përkushtuar në rrugën euroatlantike, sistemin e vlerave dhe ruajtjes së demokracisë multietnike, forcimit të shtetit ligjor dhe kontributit në stabilitetin e rajonit dhe ruajtjes së rritjes ekonomike dhe standardit të qytetareve. Senatori amerikan, Lindsey Graham tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) duhet të përfshihen më shumë në zhvillimin ekonomik të Malit të Zi. Ai pas takimit me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe Kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviq tha se bashkëpunimi ndërmjet Malit të Zi dhe Kinës, është vendim i këtyre dy vendeve, por sipas tij, Mali i Zi të ardhmen e tij e sheh si pjesë të vendeve perëndimore. I pyetur nëse administrata amerikane është e shqetësuar me investimet kineze në Malin e Zi, Graham tha se për këtë çështje ka biseduar edhe me zyrtarët e Malit të Zi. Kam biseduar për investimet kineze me presidentin e shtetit, kryetarin e parlamentit dhe ajo që kam ardhur në përfundim është se ShBA-ja duhet të jenë më konkurruese. Kina me të vërtetë ofroi një paketë të mirë (për ndërtimin e autostradave në Malin e Zi) dhe kushte të mira, andaj unë mendoj se vendet e Evropës duhet të përfshihen më shumë në zhvillimin e ekonomisë së Malit të Zi. Kjo vlen edhe për ShBA-në. Unë me të vërtetë shpresoj se vendet e BE-së dhe ShBA-së gjithashtu do të jenë në gjendje të integrohen me ekonominë tuaj. Në këtë situatë, unë me të vërtetë nuk mund ta fajësoj Kinën, por ne duhet të jemi konkurrues”, deklaroi senatori Graham. Ai më tej tha se e zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Malin e Zi, janë test që do të tregojnë nëse në Malin e Zi është instaluar demokracia vërtetë. "Forcat që duan të minojnë përpjekjet e Malit të Zi në rrugën e saj drejt demokracisë dhe që minojnë përpjekjet drejt rrugës së saj drejt NATO-s, janë gjithashtu forca që punojnë kundër nesh. Dhe është e rëndësishme që ne t'i mposhtim ata këtu, jo vetëm për të ardhmen e Malit të Zi, por edhe për të ardhmen e të gjithë rajonit”, tha senatori Graham.

Rritja e investimeve nga vendet e NATO-s për 64% vitin e kaluar 

Në vitin e kaluar investimet e drejtpërdrejta të huaja nga vendet anëtare të NATO-s, janë rritur për 64%, krahasuar me vitin 2017, është kumtuar nga Qeveria e Malit të Zi. “Prej se Mali i Zi është anëtarësuar në NATO, janë rritur dukshëm investimet e drejtpërdrejta nga jashtë”, ka kumtuar Millosh Jovanoviq, drejtor i Agjencisë për promovimin e investimeve të huaja. Sipas fjalëve të tij, investimet e drejtpërdrejta nga vendet anëtare të NATO-s, janë rritur për 64%, e që është rritje e madhe krahasuar me vitin 2017, ka cilësuar Jovanoviq duke shtuar se gati gjysma e investimeve të drejtpërdrejta të huaja në vitin 2018 kanë qenë nga vendet anëtare të aleancës së NATO-s.

Në Mal të Zi filloi viti i ri shkollor 2019-20

Në Mal të Zi filloi viti i ri shkollor, ku mësimin do ta ndjekin më se 100 mijë fëmijë parashkollor, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Prej tyre rreth 7 mijë nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Nga institucionet edukativo-arsimore, kanë paralajmëruar se gjithçka është e gatshme për fillimin e viti të ri shkollor. Kryetari i Ulqinit, Loro Nrekiq me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor ka përshëndetur dhe ka përcjellë urime të përzemërta për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave të Ulqinit. Kryetari Nrekiq dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan shkollën më të madhe për nga numri i nxënësve, shkollën “Marshall Tito”. Ai duke uruar nxënësit tha se Komuna do të mbështesë përherë shkollat, nxënësit dhe mësimdhënësit. Kryetari Nrekiq shprehu vlerësim dhe mirënjohje për mësimdhënësit për përkushtimin dhe profesionalizmin që ata tregojnë. Arsimi,- theksoi ai,- është dhe mbetet një ndër hallkat më të rëndësishme drejtë procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në familjen evropiane.

U shënua 1 Shtatori, Dita e Komunës së Tuzit 

Në Tuz u shënua 1 Shtatori, Dita e Komunës. Në praninë e qytetarëve të shumtë, autoriteteve të shumta publike, kulturore dhe politike, u mbajt solemniteti i rastit, ku kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, theksoi se kjo është festa e parë në vetëqeverisjen lokale të Tuzit si komunë e plotë andaj, i jemi përkushtuar themelimit të segmenteve të nevojshme të pushtetit vendor, që Komuna të jetë shërbim i vërtet për qytetarët. Në këtë kontekst, ai veçoi themelimin e Organizatës turistike, zyrës për bashkëpunim me diasporën, të shërbimeve komunale si dhe të policisë komunale. “Kemi arritur shumë tepër gjatë këtyre pesë muajve në pushtet, sidomos në konstituimin e organeve dhe sektorëve të nevojshëm për funksionimin e  plotë të komunës” ka theksuar Gjeloshaj. Sa u përket planeve në të ardhmen, ai veçoi realizimin e disa projekteve kapitale, të cilat do të ndërtohen në partneritet me Qeverinë. Më pas Gjeloshaj falënderoi institucionet e shumta brenda dhe jashtë vendit si dhe përfaqësues të shumtë diplomatikë, të cilët kanë treguar interesim të veçantë për komunën e Tuzit. Në mbledhjen solemne, mes të tjerësh ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Kuvendit të Malit të Zi, përfaqësues të Qeverisë si dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Mal të Zi. Po ashtu u lexuan edhe urimet e dërguara nga Kryetari i Shtetit Millo Gjukanoviq, Kryetari i Kuvendit Ivan Brajoviq, pastaj Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi etj. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në urimin e tij u shpreh: “Shqiptarët e Malësisë festojnë për herë të parë Ditën e Komunës së Tuzit. E uroj kryetarin Nikë Gjeloshaj dhe gjithë tuzjanët në këtë ditë të rëndësishme, e cila u arrit falë përpjekjeve shumëvjeçare të shqiptarëve në Mal të Zi. Tuzi ka qenë gjithmonë qendër e rëndësishme administrative, kulturore dhe tradicionale për malësorët shqiptarë, por me punën dhe përkushtimin e ri, ai do të bëhet shumë shpejt edhe një qytet modern. Jam i lumtur që shqiptarët atje po vazhdojnë të japin kontributin e tyre për bashkëjetesën dhe të ardhmen euroatlantike të Malit të Zi dhe gjithë rajonit tonë”,- ka theksuar Thaçi në urimin e tij në Facebook. Ajo që ra në sy në solemnitetin e shënimit të Ditës se Komunës ishte mosprezenca e këshilltarëve nga radhët e Partisë Demokratike të Socialisteve të Presidentit Gjukanoviq, të cilët njëherit ishin që Tuzi të mbante ditë komune 15 Dhjetorin e jo 1 Shtatorin, kur kjo komunë u formua si komunë e pavarur.

Turistë të shumtë vazhdojnë të vizitojnë Malin e Zi 

Edhe pse kemi shkelur në muajin shtator turistë të shumtë nga tërë bota vazhdojnë të vijnë në Mal të Zi. Sipas  njohësve të fushës së turizmit, shënon rritje numri i mysafirëve nga vendet e Evropës Perëndimore, por edhe nga Kina dhe Japonia. Megjithatë,- theksojnë ata,- Mali i Zi duhet urgjentisht që të përmirësojë infrastrukturën rrugore, problem mbetet hapësira e parkimit dhe ajo që mysafirët udhëtojnë gjatë nga aeroporti për në destinacionin përfundimtar, dhe jo rrallë herë kjo është më gjatë sesa udhëtimi i tyre drejt Mal të Zi. Njohësit e turizmit thonë se muaji korrik dhe gusht i ka përmbushur synimet e parapara, ndërkohë që muaji shator dhe tetor nga paralajmërimet mund të jenë muaj shumë të suksesshëm. Punëtorët e turizmit janë të prerë dhe veçojnë që i duhet kushtuar rëndësi cilësisë së ofertës dhe në këtë drejtim të merret shembull nga Turqia. Ne nuk kemi bërë sa duhet në avancimin e shërbimeve tona dhe se është koha për të analizuar problemet dhe për ti eliminuar ato.

Aktivitete të shumta kulturore edhe në muajin shtator 

Falë angazhimit të Organizatës Turistike, Komunës së Ulqinit dhe Qendrës për Kulturë edhe gjatë muajit shtator do të mbahen një sërë aktivitetesh të larmishme kulturore. Në shëtitoren e plazhit të vogël në Ranë, më 7 shtator do të mbahet “D’olcinium International Festival”, i cili edhe këtë vit do të tubojë trupat më në zë folklorike të vendeve të rajonit të Ballkanit dhe më gjerë. Qëllimi i Festivalit është pasqyrimi i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij. Edhe ky edicion i Festivalit synon të promovojë vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuar prej shekujsh. Do të jetë ky një rast i mirë që turistët dhe qytetarët e Ulqinit të njihen me kulturat dhe traditat e grupeve pjesëmarrëse. Adhuruesit e muzikës do të kenë rast të përcjellin edhe interpretimet e këngëtarëve të mirënjohur Dren Abazi dhe Mirza Selimoviq. Festivalin e organizon Organizata Turistike dhe Komuna e Ulqinit.

Kolonia e piktorëve stacionohet në Ulqin

Edhe këtë vit në Ulqin do të organizohet “Kolonia e piktorëve”, aktivitet ky i përvitshëm që e organizon Organizata Turistike e Ulqinit në bashkëpunim me “Institutin e promocionit dhe librit Toena” nga Tirana. Dhjetëra piktorë të njohur të vendeve të rajonit stacionohen në vendet më atraktive të Ulqinit dhe derdhin në telajo bukuritë e qytetit dhe rrethinës. Ndërkohë natën e fundit të aktivitetit punimet ekspozohen për publikun. 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme