KQZ fton votuesit që jetojnë jashtë të marrin pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës ka filluar më 30 gusht dhe do të përfundojë më 10 shtator 2019.

Kosova kuzeyi yerel seçimler.jpg
Kosova erken seçim_ramush haradinaj2.jpg
kosova seçim.jpg
Ramush Haradinaj_okullar açıldı.jpg

Deri tani 4 koalicione për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë

Katër koalicione për zgjedhjet e 6 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), njofton se është përmbyllur afati për Partitë Politike të cilat kërkojnë certifikim për pjesëmarrje përmes Koalicionit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.

Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (27 – 30 gusht) në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim janë deklaruar këto Parti Politike se do të kërkojnë certifikim përmes Koalicionit: 

Koalicioni Vakat, i deklaruar ndërmjet 3 Partive Politike: Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka;

Koalicioni AAK–PSD, i deklaruar ndërmjet 2 Partive Politike: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate;

Koalicioni NISMA–AKR–PD, i deklaruar ndërmjet 3 Partive Politike: Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë; dhe

Koalicioni Sloboda, i deklaruar ndërmjet 2 Partive Politike: Progresivna Stranka Kosova dhe Nova Partija Kosova.

KQZ njofton se kjo është vetëm periudha për deklarim të pjesëmarrjes në zgjedhje përmes Koalicionit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjitha Subjektet Politike (Partitë Politike, Kandidatët e Pavarur, Koalicionet dhe Iniciativat Qytetare) të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës më 6 tetor se afati i aplikimit për certifikim për Subjekte Politike dhe Kandidatët e tyre përfundon më 6 shtator.

Kërkesat për certifikim duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri 18:00, ndërsa në ditën e fundit të afatit aplikimet mund të dorëzohen deri në orën 24:00.

*

Fillon afati për aplikim për regjistrim të votuesve jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës ka filluar më 30 gusht dhe do të përfundojë më 10 shtator 2019.

Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.

Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë.

Në këtë afat të përcaktuar nga KQZ-ja, aplikimi për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të bëhet përmes këtyre mundësive: fahut postar të KQZ-së; fax-it të KQZ-së dhe përmes ndonjërës nga e-mail adresat e Shërbimit Votues të KQZ-së.

Të gjitha informacionet e detajuara dhe se si të aplikohet për regjistrim janë të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj edhe të votojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

*

Haradinaj: Është fat i madh që Dogana vazhdon të jetë institucion kredibil 

“Jam thellë i bindur se kushdo që hyn në Kosovë kur ju takon juve fiton respekt për vendin dhe popullin tonë, përmes juve, dhe ju falënderojmë për prezantimin e parë që i bëni Kosovës; për punën e mirë që bëni jo vetëm duke siguruar se Kosova ka të hyrat që i takojnë në bazë të ligjit përmes qarkullimit të mallrave, hyrjes së mallrave në Kosovë, por edhe duke mbrojtur Kosovën nga të gjitha rreziqet që i kanosen në kufij”, kështu tha Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e shënimit të 20- vjetorit të themelimit të Doganës së Kosovës.
Para të pranishmëve të shumtë, Haradinaj tha se dogana është partnere e gjithë afaristëve, sipërmarrësve, ekonomisë së vendit, sepse u mundëson atyre qarkullim të shpejtë të mallrave dhe të të mirave të tyre.
Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se ka sfida, por duhet të jemi më të saktë në punë, të jemi ambicioz, të punohet më shumë dhe të bëhet kujdes i duhur që me të gjithë ata që punojmë, të na besojnë.
“Është fat i madh që institucionet e sigurisë në Kosovë janë të besueshme, duke filluar nga ushtria, institucionet e rendit dhe ligjit, policia, inteligjenca, dogana dhe institucionet tjera që kanë mision ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se i gëzohet faktit që dogana është anëtare e Organizatës Botërore të Doganave, punohet me standarde të avancuara dhe se premtimi i tij për 100% Kosovë është i vërtetë dhe jo vetëm në këtë periudhë.
E drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha tha se Dogana gjatë këtyre 20 vjetëve ka treguar rezultate në misionin e vet dhe vlerësohet si një nga institucionet me vlerat më të larta organizative dhe që nga themelimi ka qenë ndër kontribuesit kryesorë në mbledhjen e të hyrave.
“Dogana, deri më sot, ka arritur që për buxhetin të shtetit të mbledhë rreth 13 miliardë euro, shumë e rëndësishme për forcimin e shtetit”, tha Berisha.

*

Sot nis viti i ri shkollor

Të hënën më 2 shtator në të gjitha institucionet shkollore të arsimit para universitar në Republikën e Kosovës fillon viti i ri shkollor 2019/2020.

Edhe gjatë këtij viti të gjitha tekstet mësimore do të jepen falas për nxënësit e shkollës fillore.

Por, edhe më 2 shtator, pavarësisht deklaratave të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Arsimit se mësimi do të fillojë pa ndonjë shqetësim të veçantë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar reagim nëse nuk zgjidhet problemi i mbylljes së disa shkollave në Komunën e Kamenicës.

Nëse Institucionet përgjegjëse nuk gjejnë zgjidhje sipas SBASHK-ut mund të vihet në pikëpyetje mbarëvajtja e mësimit në gjithë Kosovën.

*

Thaçi uron nxënësit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka uruar të gjithë nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019/2020.

Në shkollat e Kosovës, sot hapen dyert për fillimin e vitit të ri shkollor 2019/2020, ku për shumë nxënës fillon një rrugëtim i rëndësishëm për ta dhe familjet tyre. Por, suksesi i nxënësve që sot për herë të parë vijojnë në klasën e parë, do të përcaktojë nesër fatin dhe të ardhmen e gjithë shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Në këto dy dekadat e fundit kemi investuar në infrastrukturë, kemi modernizuar kurrikulat dhe objektet shkollore. Tani është koha që të nxisim cilësinë, si parakusht për forcimin e përgatitjes profesionale të fëmijëve tanë. Urime fillimi i vitit të ri shkollor të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve të Kosovës”, ka shkruar presidenti Thaçi.

*

Mbesin vetëm 100 mijë euro rezerva

Nga 4 milionë e 800 mijë euro sa ishin rezerva shtetërore që ishin ndarë nga buxhet i shtetit, kanë mbetur vetëm 100 mijë euro.

Për shpenzimin e rezervave Qeveria Haradinaj u kritikua në vazhdimësi, por sipas zyrtarëve të qeverisë së dorëhequr kjo po del të jetë shuma më e vogël e mjeteve të ndara.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamz, thotë se shuma prej 4 milionë e 800 mijë eurosh, ka qenë më e vogël që ka ndarë ndonjë qeveri ndonjëherë.

“Gjatë këtij viti, ka qenë shuma më e vogël e paraparë në buxhet ndonjëherë, ka qenë një shumë e vetme 4 milionë, e cila është shpërndarë sipas vendimeve të Qeverisë për arsye se fondet rezervë i organizon Qeveria e Kosovës dhe kjo shumë deri më tani është harxhuar dhe janë edhe 100 mijë që kanë mbetur në buxhet të shtetit, mirëpo është shuma më e vogël e ndarë ndonjëherë dhe e harxhuar deri më sot”, tha Rafuna në një intervistë për “Ekonomia Online”.

Sipas Rafunës, Kosova ka kapacitete të mjaftueshme buxhetore të ndara nga rezervat shtetërore për rastet e jashtëzakonshme, por ai thotë se këto rezerva janë siguruar falë dikasterit të financave dhe jo Qeverisë.

Ai shton se ekzekutimi i parë i pagave me rritje, të cilat do të dalin në muajin dhjetor të këtij viti, do të bëhet pa vonesa dhe as asnjë problem, pasi që buxheti i shtetit është i mjaftueshëm.

Ndryshe vetëm dy muajt e parë të këtij viti janar-shkurt 2019, Qeveria Haradinaj harxhoi afro 1 milion e 800 mijë euro nga 4 milionë e 800 mijë euro të rezervave shtetërore. 

*

Aeroporti i Prishtinës thyen rekordet 

Gatë muajit gusht, në aeroportin e Prishtinës janë regjistruar mbi 300 mijë udhëtarë, ndërsa janë realizuar 2.212 fluturime. Kështu ka njoftuar Menaxheri i planifikimit të fluturimeve në Aeroportin “Adem Jashari”, Driton Hyseni, i cili ka thënë se në raport me gushtin e vitit 2018, rritja në fluturime është 16% e në udhëtarë 10%.

“Shifra prej mbi 300 mijë udhëtarë paraqet rekordin e aeroportit sa i takon numrit të udhëtarëve të shërbyer në interval kohor brenda një muaji kalendarik, gjithashtu numri prej më shumë se dy mijë e dyqind fluturimesh është numri më i madh i fluturimeve të realizuara ndonjëherë për një muaj. Faleminderit shfrytëzuesve të aeroportit, u jemi mirënjohës për besimin në shërbimet tona”, ka shkruar ai.

*

Eksporti i Kosovës shënon rritje gjatë verës

Sipas disa të dhënave nga raporti i ASK-së, (Agjencia e Statistikave të Kosovës), eksporti i mallrave në muajin korrik 2019 kishte vlerën mbi 40 milionë euro, ndërsa importi kishte vlerë afro 337 milionë euro, që është një rritje prej 41% për eksport, dhe një rritje prej 9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas këtyre të dhënave, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 13.000 milionë Euro, ose rreth 32% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej afro 70%.

Në anën tjetër, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin mbi 163 milionë Euro, ose 48% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28%.

Sa i përket, eksporteve të Kosovës me vendet e CEFTA-s, në korrik, arritën në afro 17 milionë Euro, ose 41% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17%), Maqedonia (11%), Mali i Zi dhe Serbia (6%).

Kurse, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin korrik 2019, arritën në 49 milionë Euro, ose 45% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-40%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria e Maqedonia (7%) dhe Serbia (1%).

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 11 milionë Euro, ose 27%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë: India (18%) dhe Zvicra (5.0%).

*

Oda Ekonomike e Kosovës do të merr pjesë në Forumin Biznesor në Vjenë

Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë pjesëmarrëse në Forumin Biznesor që do të mbahet në Vjenë gjatë muajit tetor të këtij viti.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, në një shkrim në Facebook njofton se ka takuar ambasadorin e Japonisë për Austri dhe Kosovë, Kiyoshi Koinuma.

Rukiqi gjatë takimit me ambasadorin pranoi ftesën për të qenë pjesëmarrës në forum, ku përveç tjerash do të kremtohet 10-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Japonisë.

“Si gjithmonë kënaqësi takimi me mikun tonë, ambasadorin e Japonisë për Austri dhe Kosovë, Kiyoshi Koinuma, me të cilin biseduam për interesimin në rritje të kompanive japoneze për të bërë biznes në Kosovë. Takimi i radhës, me rreth 100 kompani japoneze, do të mbahet në Vjenë më 2 tetor 2019”, ka shkruar Rukiqi.

Në këtë forum do të marrin pjesë më shumë se 100 kompani japoneze të cilat do të kenë rastin të dëgjojnë mundësitë dhe lehtësirat që Kosova ofron në të bërit biznes.



Lajme të ngjashme