Vazhdojnë reagimet ndaj Memorialit të Dëshmorëve të 15 Korrikut në Tiranë

Në lidhje me reagimet kundër memorialit dhe dëmtimet ka reaguar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Turqi-Shqipëri (ATTSO), si dhe Shoqata e të Diplomuarve në Turqi (TUMED).

Arnavutluk Tiran-daki 15 temmuz demokrasi parkı_10.jpg
Arnavutluk Tiran-daki 15 temmuz demokrasi parkı_7.jpg
arnavut öğrenciler_ ortak tarihe yolculuk gezisi_3.jpeg
arnavut öğrenciler_ ortak tarihe yolculuk gezisi_11.jpeg
Katarlı Fath el Kheir yelkenli gemi_Arnavutluk_Saranda.jpg
Katarlı Fath el Kheir yelkenli gemi_Arnavutluk_Saranda2.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (34/2019)

-Institucionet turke në Shqipëri reagojnë ndaj Memorialit të Dëshmorëve të 15 Korrikut në Tiranë

Ditëve të fundit në rrjetet sociale dhe në disa shkrime në media ka patur reagime kundër vendosjes së memorialit kushtuar dëshmorëve të 15 Korrikut, në parkun e ndërtuar më parë nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim -TIKA.  
Ndërkohë në mesin këtyre reagimeve u dëmtua edhe tabela treguese për rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut duke u dëmtuar simbolet turke, si dhe memoriali ku janë vendosur emrat e dëshmorëve të 15 Korrikut, ku disa persona vendosën sende të ndryshme pranë memorialit. 
Në lidhje me reagimet kundër memorialit dhe dëmtimet ka reaguar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Turqi-Shqipëri-ATTSO, si dhe Shoqata e të Diplomuarve në Turqi-TUMED. 
Në njoftimin nga ATTSO thuhet se "Dënon ashpër sulmet e shëmtuara që janë bërë mbi flamujt turq që ndodhen mbi tabelat në Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut që ndodhet në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë. Në këtë sulm janë copëtuar flamujt turq dhe mosrespektimi i memorialit që mban emrat e Dëshmorëve turq të Demokracisë është një situatë tepër e rëndë dhe e papranueshme nga ana jonë". 
"Në Shqipëri kanë ndodhur edhe më përpara sulme ndaj Simboleve Kombëtare Turke, por kësaj radhe, po shohim me keqardhje që këto sulme, sikur të ishin duke shtypur një buton të vetëm, janë provokuar nga individë dhe organizata për të cilat kuptohet se ishin të lidhur me FETO-n
", thuhet në deklaratën me shkrim të kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi, Fethi Kaya. 
Ndërsa, në reagimin e TUMED-it thuhet se "Nuk ka të drejtë askush të cenojë Flamurin Turk, Memorialin apo simbolet përkatëse të një shteti mik, ato respektohen. Shpresojmë që kjo situatë të mos jetë iniciuar dhe agravuar nga elementë të organizatës terroriste FETO, pasi sikurse e dimë kjo organizatë okulte është duke punuar për prishjen e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve mike, Shqipëri - Turqi. Ne si Shoqatë e të Diplomuarve në Turqi (TUMED) i bëjmë thirrje të gjithë institucioneve përkatëse të shtetit dhe të medias për zgjidhjen e kësaj situate, për gjetjen e përgjegjësve të këtyre gjesteve të turpshme”. 
Memoriali u inaugurua më 15 korrik të këtij viti gjatë shënimit të përvjetorit të tretë të tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të Shqipërisë, të institucioneve turke dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile në Shqipëri.

***

-Institucionet shqiptaro-turke organizojnë udhëtime turistike mbresëlënëse në Turqi 

Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të veprimtarive të tij kulturore organizoi një udhëtim turistik në Turqi, me mbështetje të Drejtorisë së Komuniteteve Turke dhe Mike Jashtë Vendit -YTB, duke mundësuar  dërgimin e një grupi prej 50 nxënësish dhe studentesh që ndjekin kurset e gjuhës turke në Shqipëri.

Një udhëtim 5 ditor me autobus, në disa qytete të Turqisë, duke synuar t’ju ofrojë pjesëmarrësve një guidë të pasur kulturore, historike e turistike në qytetet Edirne, Çanakkale, Izmir, Bursa dhe Stamboll, si pjesë e një mozaiku të trashëgimisë kulturore botërore, ku u alternuan në mënyrë të larmishme zhvillimet e vizitave në parqet kombëtare turistike, muzetë arkeologjike, kulturore, historike, dhe objektet e kultit etj.

Ky udhëtim mbresëlënës, u karakterizua nga mikpritja vëllazërore dhe përkushtimi maksimal i donatorëve, për ti argëtuar e ofruar fëmijëve çaste të paharruara gëzimi e lumturie, duke lënë në këtë mënyrë gjurmë të pashlyera në memorien e tyre.

Nga ana tjetër, edhe instituti turk “Yunus Emre” në Tiranë ka organizuar gjatë ditëve të gushtit ekskursionin "Udhëtimi në Historinë e Përbashkët", ku pjesëmarrësit nga Shqipëria kanë vizituar shumë vende historike dhe kulturore turke si dhe institucione të ndryshme të Turqisë si  Bashkinë e Yskydarit, kodrën Çamlıca dhe Xhaminë e Madhe të Çamılcasë, brigjet e të dyja anëve të Stambollit, ku përgjatë turit përjetuan momente entuziaste në shoqërinë e melodive shqiptare dhe turke. Po ashtu kanë vizituar Pallatin Topkapë dhe Muzeun Arkeologjik të Stambollit në Stamboll, Kampusin Kryesor të Universitetit të Stambollit dhe Fakultetin e Letërsisë, Xhaminë Sulejmanije, Xhaminë Sulltanahmet (Xhamia Blu) dhe Muzeun Ajasofja, ku patën mundësi të eksploronin gadishullin historik, e shumë monumente të tjera me vlera mjaft të mëdha historike dhe kulturore.

***

-Anija katariane me vela në Mesdhe pas vizitës në Turqi, mbërriti në Shqipëri 

Një anije e vjetër katariane me vela po lundron aktualisht në vendet e rajonit në një turne që quhet “Fatah Al Khair 4”.

Deri tani ka vizituar Turqinë dhe Greqinë dhe më 20 gusht 2019 ka mbërritur në brigjet shqiptare.

Në Shqipëri, ndalesa e parë e anijes katarase me vela ishte Saranda, ku më 20 gusht 2019 mbërriti në portin e qytetit bregdetar shqiptar, duke valëvitur flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe të Katarit.

Me këtë rast, u zhvillua një pritje e madhe në shëtitoren e qytetit.

Banorët e Sarandës dhe të pranishmit në këtë pritje patën mundësinë të hyjnë dhe të shohin nga brenda anijen, ku u njohën me vetë anijen si dhe me kulturën detare të Katarit. Atyre iu shpërndanë edhe suvenire që simbolizojnë Botërorin “Qatar 2022”.

Pas qëndrimit dy ditor në Sarandë, anija do të niset për në qytetin e Durrësit. Edhe në këtë qytet të lashtë të historisë dhe kulturës shqiptare, do të ketë një pritje dhe disa aktivitete argëtuese me banorët e qytetit dhe vizitorët e plazhit.

Më datë 25 gusht, aktivitetet e lidhura me lundrimin “Fatah Al Khair 4” do të transferohen në Tiranë. Për dy ditë, në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit dhe tek parku i liqenit, do të zhvillohen disa surpriza të këndshme dhe do të organizohen aktivitete kulturore dhe sportive në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

Këto aktivitete do të jenë të hapura për të gjitha grupmoshat, gjatë të cilave do të shpërndahen dhurata dhe suvenire me logo të Botërorit “Qatar 2022”.

Anija e cila ka në bord 15 marinarë katarianë, ka dy vela dhe është e llojit “Boom Safari” e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë, dhe ka kapacitet mbajtës prej 200 tonësh. Kjo anije konsiderohet një muze në miniaturë që pasqyron trashëgiminë detare të Katarit.

Gjithashtu ajo është e pajisur me ekrane të mëdha për të prezantuar stadiumet dhe përgatitjet e tjera të infrastrukturës sportive ku do të mbahen ndeshjet e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.

Lundrimi “Fateh Al Khair 4” për vitin 2019 do të zgjasë katër muaj dhe do të përshkruajë rreth 4.400 milje, nisur nga Bosfori e deri në Xhenova të Italisë. Konkretisht destinacionet e saj për këtë vit do të jenë pesë vende të Mesdheut, përkatësisht Turqia, Greqia, Shqipëria, Kroacia dhe Italia.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

 


Lajme të ngjashme