Kosovë – Shpërndahet Kuvendi, vendi në zgjedhje të parakohshme

Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes në korrik të Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kosovë – Shpërndahet Kuvendi, vendi në zgjedhje të parakohshme

Deputetët e Kosovës vendosën me shumicë votash të enjten për shpërndarjen e Kuvendit duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Nga gjithsej 120 deputetë, 91 kanë votuar; prej të cilëve 88 pro, 1 kundër dhe 2 abstenime. Kuvendi vendosi për shpërndarjen e Legjislaturës 6. të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Vendimi i dërgohet për dekretim Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Urime gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi pas votimit Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Sipas nenit 82 – paragrafi 1 dhe pika 2 – të Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit duhet të përcaktojë datën e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.

Kjo ka ardhur pas dorëheqjes muajin e kaluar të Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili mori ftesë që të intervistohet si “i dyshuar” nga Gjykata Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë, në qytetin Hagë të Holandës.



Lajme të ngjashme