Mali i Zi shpallet “Perlë e Mesdheut”

Mali i Zi, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian për udhëtime, në tremujorin e parë të këtij viti, është shpallur “Perlë e Mesdheut”.

Mali i Zi shpallet “Perlë e Mesdheut”

Komisioni Evropian për udhëtime shpall Malin e Zi “Perlë e Mesdheut”

Gjatë tre muajve të parë, sipas të dhënave statistikore evropiane, në Mal të Zi, është shënuar rritje e bujtjeve, 29%, kurse ardhja e turistëve, njëkohësisht, është rritur 49%. Thuhet  se Mali i Zi, në raport me Kroacinë, është më interesant për shkak të paketave investuese sipas shembullit të Turqisë. Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, Damir Davidoviq, ka deklaruar se Mali i Zi gjatë 15 vjetëve të fundit, me përjashtim të njërit vit, shënon rritje në vazhdimësi të qarkullimit. Ai, ka sqaruar se Mali i Zi, ka 43 mijë shtretër në objektet e vendosjes kolektive, prej të cilëve 52%, janë të kategorisë me 4 ose 5 yje.

*****

Vlerësime pozitive për ligjin e feve në Mal të Zi

Ligji për lirinë e feve dhe për pozitën juridike të bashkësive fetare i duhet Malit të Zi, sepse i përgjigjet kohës dhe rrethanave, ka deklaruar ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Mehmet Zenka. “Disa vite me radhë është punuar në këtë Ligj dhe më në fund kemi marr mendim pozitiv të komisionit të Venecias, natyrisht përmes rekomandimeve të caktuara. Kemi zhvilluar shumë konsulta, shumë ekspertë konsiderojnë se ky ligj mund të jetë ligji më liberal nga të gjitha ligjet për besimet në Evropë. Është çështje tjetër se përsëri politika përzihet në sjelljen e ndonjë ligji”, ka sqaruar Zenka. Ai konsideron se edhe kur të miratohet ky ligj do të jetë një punë e madhe që ai të zbatohet. Ai ka theksuar në se mungesën e miratimit të ligjit për partneritetin jetësor të personave të njëjtës gjini, kapitulli 23 nuk mund të përmbyllet. Nëse Mali i Zi synon Evropën, atëherë ky është një segment i cili duhet plotësuar, ka vlerësuar Zenka. Mali i Zi është vend lider në rajon kur është fjala për respektimin dhe realizimin e të drejtave njerëzore, por ka akoma punë për tu bërë, sidomos kur është fjala për punësimin e personave me invaliditet, edukimin e romëve, luftën kundër dhunës etj., ka theksuar Zenka.

*****

NATO ndihmon edhe në situata të jashtëzakonshme

Mali i Zi, si anëtarë i NATO-s, gjithmonë mund të llogarisë në ndihmën e aleancës në situata të jashtëzakonshme, ka deklaruar drejtori i drejtorisë për situata të jashtëzakonshme në Ministrinë e punëve të brendshme, Mirsad Muliq. Ai ka theksuar se në vitin 2017, kanë shpërthyer zjarre të shumta dhe me përmasa të mëdha në Bregdetin e Malit të Zi, por kapacitetet e drejtorisë nuk ishin të mjaftueshme për përgjigje adekuate. Muliq ka përkujtuar se është kërkuar ndihmë nga qendra euroatlantike për koordinim e përgjigje ndaj katastrofave dhe e cila ka arritur brenda 24 orëve. “Ky është vërtetim se nëse i takojmë një sistemi të tillë të organizuar mirë siç është NATO, gjithmonë mund të llogarisim për ndihmë në situata të jashtëzakonshme”, ka theksuar drejtori i drejtorisë për situata të jashtëzakonshme, Mirsad Muliq.

*****

Rruga Podgoricë-Guci, më e shkurtër rreth 120 km

Rikonstruktimi i rrugës Dinoshë-Cemi i Trieshit, respektivisht deri në kufirin me Shqipërinë, ka filluar më 17 korrik dhe parashihet të përfundoj brenda një viti. Pas rikonstruktimit të kësaj pjese, rruga rajonale nga Podgorica deri në Guci, do të jetë e gjatë 75 kilometra. Inxhinierja e drejtorisë për komunikacion, Svetllana Janjeviq, deklaroi se realizimi i këtij projekti do të kushtoj rreth 9 milionë euro dhe siç parashihet do të përfundoj brenda një viti. Pjesa e rrugës deri në Cemin e Trieshit, në vendin e quajtur Grabom, është e karakterit rajonal dhe pjesa më e madhe e saj kalon nëpër Shqipëri. Ndërkaq pjesa brenda territorit të Shqipërisë është përfunduar, kurse ideja për lidhjen e Gucisë me Podgoricën është e hershme. Rruga ekzistuese nëpër kanionin e Moraçës është me gjatësi rreth 200 kilometra, ashtu që me realizimi e këtij projekti rruga e re do të jetë më e shkurtër rreth 120 kilometra.

*****

Prej sot ndalohet pirja e duhanit në ambientet  e mbyllura

Në bazë të Ligjit për kufizimin e përdorimit të prodhimeve nga duhani, prej sot në Mal të Zi ndalohet pirja e duhanit në ambientet e mbyllura. Ligjin me të cilin ndalohet pirja e duhanit në lokalet e mbyllura publike, me përjashtim në kazinotë, deputetët e kanë miratuar nga fundi i muajit korrik, kurse sot hyn në fuqi. Me miratimin e ligjit të ri për kufizimin e përdorimit të prodhimeve nga duhani, shfuqizohet ligji për taksat dhe në të ardhmen nuk do të jetë e mundur të paguhen taksa me qellim që në një pjesë të objektit të lejohet pirja e duhanit. Ekziston mundësia e caktimit të një këndi të veçantë të cilin pronari, gjegjësisht shfrytëzuesi i lokalit, ta caktojë ekskluzivisht për këtë qellim. Me ligjin e ri ndalohet pirja e duhanit në secilin lokal ose pjesë të tij ku konsumohet ushqimi dhe pijet. Për shkeljen e këtyre dispozitave ligjore parashihen dënime deri në 20 mijë euro.

*****

Në shtator fillon prodhimtaria e energjisë elektrike nga turbinat me erë në Mozhur

Rezultati i hulumtimit të deritashëm funksional të 23 gjeneratorëve elektrikë në malin Mozhur është pozitiv dhe prej muajit shtatorë pritet fillimi i prodhimtarisë komerciale, kanë kumtuar investitorët e këtij objekti elektro-energjetik. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq dhe sekretari për buxhet dhe financa, Sead Osmanoviq, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kompanisë kineze “Shangai Electric Power Engineering” dhe të firmës malteze “Enemalta”. Bashkëbiseduesit kanë theksuar se janë të kënaqur me bashkëpunimin dhe raportet  e deritashme ndërmjet qeverisë dhe firmës kino-malteze dhe kanë shkëmbyer mendimet për vazhdimin e bashkëpunimit, i cili do të jetë nxitës për Ulqinin, por edhe për investuesit. Për ndërtimin e këtij centrali elektrik me erë, me force 46 megavat, janë shpenzuar 89 milionë euro, kurse trualli është marrë me qira për 20 vite.

*****

Në Triesh do të vendoset shtatorja e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut

Kuvendi i Tuzit miratoi me shumicë të votash vendimin për ngritjen e monumentit përkujtimor kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut. Monumenti përkujtimor kushtuar Gjegj Kastrioti-Skënderbeut vendoset në bazamentin e shkollës me të njëjtin emër, “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”, në Triesh. Mjetet për ngritjen e monumentit përkujtimor do t’i sigurojë fondacioni “Trieshi” nga Nju-Jorku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nënkryetari i Komunës së Tuzit, Ivan Ivanaj, ka thënë se pas vendosjes së monumentit të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut në Triesh, i njëjti do të vendoset edhe në Tuz. Kohë më parë Klubi i Këshilltarëve të LDSH-së kishte iniciuar që në rend të ditës të vendoset miratimi për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut në qendër të Tuzit, por nuk kishte marrë  përkrahjen nga përbërja e atëhershme e Kuvendit të Komunës së Tuzit.

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera Alibegu Katana



Lajme të ngjashme