Kurban Bajrami festohet në Kosovë, mesazhe nga liderë

Në Kosovë po festohet Kurban Bajrami, I cili ka qëlluar të dielën, prandaj edhe e hëna është ditë pushimi.

Kurban Bajrami festohet në Kosovë, mesazhe nga liderë

Kurban Bajrami festohet në Kosovë, mesazhe nga liderë

Të gjitha xhamitë e Kosovës kanë qenë të stërmbushura në mëngjes gjatë ceremonisë tradicionale të faljes së Kurban Bajramit. Respektimi i gruas ka qenë kërkesa kryesore në fjalimin e zëvendëskryetarit të kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat Mexhidi, të mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, gjatë namazit të Kurban Bajramit.

Efendi Mexhidi vuri theksin pikërisht te e drejta e gruas për pronën, që sipas tij, një gjë e tillë, gruas i është garantuar edhe me Kuran.

Ai tha se festa e Kurban Bajramit, duhet të shërbejë si motivim për shoqërinë që të jenë sa më të kujdesshëm me gratë dhe më të respektueshëm.

Ai ka kërkuar nga institucionet që të zhvillojnë dhe të kultivojnë bashkëjetesën fetare, duke shtuar se Kosova është djep i të drejtës fetare.

“Liria fetare dhe të drejtat e femrës vazhdojnë të shkelen edhe në vendin tim në mënyra dhe forma të ndryshme, duke e privuar nga liria që i ka dhuruar Allahu xh.l. veçmas e drejta e saj për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe jo e nëpërkëmbur nga burri apo shoqëria në asnjë segment të jetës. Ende vazhdon femra të jetë e privuar nga hisja e saj në pasurinë e babait, të cilën Kurani tash e 1400 vjet më parë ia garanton. Kurban Bajrami duhet të na shërbejë si një motivim shtesë, për të jetësuar këtë të drejtë të tyre”, tha Mexhidi.

Namazi i Kurban Bajramit është falur edhe në xhamitë e tjera në Prishtinë, por edhe nëpër komunat e tjera në vend. Pas namazit, ata që kanë pasur mundësi, kanë thirrur Kurban, të cilën sipas rregullave, 1/3 ia shpërndajnë të varfërve, 1/3, të afërmve, kurse 1/3 për vete. Po ashtu sipas dëshirës, i gjithë Kurbani mund t’iu dhurohet të varfërve.

Mbi 1000 lopë Kurban të porositur nga besimtarët përmes BIK-ut

Pas faljes së namazit të Kurban Bajramit, në organizimin dhe mbikëqyrje të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ka nis therja e kurbaneve që janë porositur nga besimtarët e vendit dhe ata nga diaspora.

Në fillim, sipas Sheriatit që është ibadet, është bërë nijeti dhe duaja nga mbikëqyrësit e Kryesisë së BI të Kosovës.

Thertoret ku po bëhet therja e kurbaneve i plotësojnë të gjitha standardet e BE-së dhe njëkohësisht posedojnë licencën “Hallall”.

Kafshët që do të bëhen kurban janë të pajisura me certifikatë të nevojshme nga veterinari dhe theren nën mbikëqyrjen e teknologëve të ushqimit.

Sivjet Kryesia e BIK ka paraparë të bëjë kurban mbi 1000 lopë, mishi i kurbaneve do të përgatitet e ruhet në kushte optimale dhe me kohë do t’iu shpërndahet institucioneve të BIK, medreseve, pastaj institucioneve të tjera publike si dhe nevojtarëve.

Presidenti Thaci feston Kurban Bajramin me familjen

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar të gjithë besimtarët e fesë islame për festën e Kurban Bajramit.

Me këtë rast, ai ka publikuar një fotografi me nënën e babën e tij në fshatin e tij Burojë.

“Bajrami festohet më së miri në familje. Sot, në Burojë, me prindërit e mi: nënën Hyrë dhe babain Haxhi. Gëzuar! HTH”, ka shkruar Thaçi në një postim në Facebook.

Veseli drekon me familje për Bajram

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në ditën e Kurban Bajramit, ka vendosur që të qëndrojë me familje për drekë

Ai ka thënë se kështu e kërkon tradita shqiptare.

“Siç e do tradita jonë, dreka e Bajramit kalohet në familje. Shumë urime nga familja Veseli”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Gjatë ditës, Veseli porositi për unitet dhe uroi të shërbejë kjo festë që të heqim mendjen e keqe për njëri-tjetrin. 

Haradinaj, kafe e ëmbëlsira me policët për Bajram

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka nisur ditën e Kurban Bajramit me oficerët e Policisë së Kosovës.

Ai iu ka shpërndarë ëmbëlsira dhe kafe atyre, si traditë e kësaj feste.

“Mëngjesin e kësaj dite feste e nisëm bashkë me Policët e Kosovës, me kafe e ëmbëlsira!”, shkroi ai në Facebook.

Ndërsa, shefi i ekzekutivit uroi edhe besimtarët myslimanë duke përcjellë mesazhin e kësaj feste që është solidariteti dhe shtrirja e dorës për nevojtarët.

Kurti uron Kurban Bajramin

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka uruar të gjithë besimtarët rastin e festës së Kurban Bajramit.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook kujtoi vlerat e solidaritetit dhe sakrificës që na përkujton kjo festë duke thënë se “nuk jemi atë që kemi secili, por jemi ajo që ua japim të tjerëve – pra, jo sa mbajmë për vete, por çka ndajmë me të gjithë”.

“Këtë na e përkujton festa e Kurban Bajramit të cilën ua uroj përzemërsisht besimtarëve myslimanë. Çdonjëri e përbëjmë dhe zhvillojmë bashkësinë, mirëpo edhe i përkasim e formohemi prej saj. Gatishmëria për sakrificë si vlerë dhe shembull, ndihma e solidariteti me të varfërit dhe të afërmit, shënojnë këtë festë për të cilën ua dëshiroj zemrat dhe sofrat të mbushura përplot. Mbarësia e mirësia, shëndeti e lumturia, qofshin gjithmonë me Ju!” ka shkruar Kurti

Ambasadorja e Kroacisë uron Kurban Bajramin

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, u ka uruar të gjithë besimtarëve festën e Kurban Bajramit.

Ajo ka uruar Bajramin në gjuhën shqipe me anë të një postimi në rrjetin social Twitter.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë, gëzuar Kurban Bajramin! Bajrami le të ju sjellë shumë fat dhe shëndet”, ka shkruar Kapitanoviq.

Ministri i Kulturës: Ndërrimi i Qeverisë nuk e dëmton këtë Ministri

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), është duke hartuar 13 projektligje, por që nuk janë proceduar ende për në Qeveri.

Ministri në detyrë Kujtim Gashi tha se legjislaturën e re të Kuvendit do ta gjejë me një gamë të madhe të ligjeve të cilat janë përgatitur.

“Ligji për Teatro që do t’u mundësoj gjithë aktorëve të komunave të jenë pjesë e listës së pagave dhe të jenë punëtorë të rregullt të MKRS-së sepse kanë qenë në gjendje të keqe dhe tashmë janë të realizuara dhe shumë ligje tjera si Ligji për Rini që po ashtu i jep mbështetje dhe avancim të madh të rinjve në Kosovë duke ua mundësuar punën vullnetare ta njeh si përvojë pune”, tha ai për EO.

Gashi thotë se ka arritur të kaloj më së shumti ligje në Kuvendin e Kosovës. Vetëm me një seancë thotë ai kanë arritur që të kalojnë gjashtë ligje.

Sipas tij, ndërrimi i Qeverisë dhe shpërndarja e Kuvendit nuk dëmton aspak këtë ministri.

Afro 40 milionë Euro Remitenca dalëse nga Kosova

Kosova jo vetëm pranon para në formë të remitencave nga diaspora, por miliona euro dërgohen nga Republika e Kosovës në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vetëm në pesë muajit e parë të këtij viti, rreth 13 milionë euro ka qenë vlera e remitencave dalëse, kurse gjatë vitit të kaluar 39 milionë euro ka qenë vlera e parave që janë dërguar nga Kosova.

Ekspertë për çështje financiare pohojnë se vlera më e madhe dërgesave nga Kosova janë të punëtorëve të misioneve të huaja në Kosovë dhe studentëve nga Kosova që studiojnë në vende të ndryshme të BE-së, e që familjarët financojnë obligimet e nevojshme.

Mejdi Bektashi, ekspert për çështje financiare, në një prononcim për REL, thotë se vlera e remitencave dalëse është ulur për shkak të zvogëlimit të numrit të ndërkombëtarëve në Kosovë.

Edhe zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës thonë se “remitencat dalëse janë kryesisht të lidhura me vendet e Bashkimit Evropian, ngase shumica e atyre që dërgojnë para jashtë vendi janë rezident të Kosovës me origjinë të huaj (kryesisht punëtor të EULEX-it dhe UNMIK-ut). Sipas standardeve statistikore ndërkombëtare, të huajt që punojnë në Kosovë me kontratë një vit e më shumë, janë rezident të Kosovës.

Për shkak se pagat e këtyre punëtorëve paguhen nga qeveritë e tyre përkatëse, në Kosovë ata janë të përjashtuar edhe nga tatimi në të ardhura personale si dhe nga të gjitha tarifat dhe taksat e gjësendeve personale të vogla dhe të mëdha.

Ndryshe, përveç remitencave dalëse, diaspora kosovare, sipas të dhënave zyrtare, dërgon rreth 2 miliardë euro brenda një viti, duke përfshirë dërgesat dhe paratë që ata shpenzojnë gjatë pushimeve.

Mbetet në fuqi udhëzimi për pastrimin e rezervoareve të Naftës

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se janë të pavërteta lajmet se Udhëzimi Administrativ 06/2019 i cili do të obligon pikat e shitjes së karburanteve të naftës që të bëjnë pastrimin e rezervuarëve çdo 3 vite, udhëzim ky të cilin e kishte nënshkruar para disa javëve, është anuluar nga Zyra e Kryeministrit.

Shala në një postim në llogarinë e tij e tij në Facebook, ka shkruar se një gjë e tillë është ligjërisht e pamundur të ndodhë, dhe se prioritet i tij është dhe do të mbetet mbrojtja e konsumatorit.

“Një lajm i tillë është i pavërtetë. Një gjë e tillë ligjërisht është e pamundur që të ndodhë, dhe nuk do të ndodhë! Prioritet i imi i përhershëm është dhe do të mbetet mbrojtja e konsumatorit dhe cilësia e produkteve që tregtohen në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Shala në Facebook.

Vapë e madhe në Kosovë

Vala e të nxehtit e ardhur nga Afrika veriore që është shtrirë edhe mbi rajonin tonë, pritet të vazhdojë deri ditën e martë.

Më pas një turbullirë nga Atlantiku pritet të depërtojë mbi vendin tonë nga Italia, që ditën e mërkurë do të sjellë kushte për reshje lokale shiu me bubullima, e masa më të freskëta ajrore nga veriu i kontinentit do të shtrihen mbi rajon, që pritet të zbresin temperaturat përreth vlerave normale, sipas Prishtina Ëeather.

Temperaturat maksimale në fillim të javës do të vazhdojnë të rriten deri 37C, ndërsa ditën e enjte do të zbresin deri në 25C. Shtypja atmosferike do të zbres përreth vlerave normale.



Lajme të ngjashme