Turqia si gjithmonë vazhdon të jetë kontribuuese dhe bujare me Shqipërinë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në kuadër të realizimit të projekteve në Shqipëri në lëmi të ndryshme, ka zhvilluar projektin e ndihmës e ofruar për bletarët e qytetit të Dibrës.

tika-dan arnavutluk arıcılığın geliştirilmesine katkı_12.jpg
tika-dan arnavutluk arıcılığın geliştirilmesine katkı_9.jpg
yök başkan vekili Rahmi Er_Arnavutluk_ALSAR1.jpg
Arnavutluk Merkez Bankası.jpg
İslam Dünyası STK-lari Birliği_Arnavutluk toplantısı2.jpg
İslam Dünyası STK-lari Birliği_Arnavutluk toplantısı1.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (32/2019)

-Turqia si gjithmonë vazhdon të jetë kontribuuese dhe bujare me Shqipërinë

TIKA-Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim në kuadër të realizimit të projekteve në Shqipëri në lëmi të ndryshme, ka zhvilluar projektin e ndihmës e ofruar për bletarët e qytetit të Dibrës. 

TIKA ka dhuruar 400 koshere blete dhe pajise të tjera ndihmëse për dhjetëra bletarë të Dibrës, ndërsa të pranishëm në shpërndarjen e tyre ishin koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu dhe përfaqësues të Shoqatës së Bletarëve Dibër.

Duke përshëndetur të pranishmit, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, tha se projekti në fjalë është një projekt në fushën e zhvillimit të zonave rurale.

"TIKA realizon projekte të ndryshme në lidhje me zhvillimin e Shqipërisë, si në sektorin e arsimit, shëndetësisë, në bujqësi dhe blegtori. Ky është një projekt në fushën e zhvillimit të zonave rurale, një projekt në lidhje me zhvillimin në fushën e bletarisë në rajon. Ne mendojmë ta zhvillojmë këtë projekt në bazë të rezultateve që do të kemi", tha Özütok.

Ai tha se në të ardhmen planifikojmë të ndërtojnë edhe një repart në lidhje me këtë fushë.

Ndërsa, prefekti i Dibrës, Shehu, theksoi se Qeveria e Turqisë ka qenë gjithmonë bujare me Shqipërinë, por edhe me zonën e Dibrës. "Natyra është e përshtatshme për bletarinë. Ju jemi mirënjohës përfaqësuesve të TIKA-s", tha Shehu.

Prefekti i Dibrës duke theksuar në rëndësinë e asistencës së dhënë, shprehu që kjo është ndihma e parë e dhënë nga Turqia që pas dhurimit të 7 mullive prej guri nga Perandoria Osmane në vitet 1800. 

Asllan Xhani, ish-kryetar i Shoqatës së Bletarëve të Dibrës, tha se rrethi i Dibrës është një vend me resurse të konsiderueshme për bletarinë.

"Dibra ka një mjedis shumë të favorshëm për zhvillimin e bletarisë edhe falë ndihmës nga TIKA për 40 bletarët. Shpresoj të na ndihmojë edhe në fuqizimin kapaciteteve tona për zhvillimin e bletarisë në zonën tonë, edhe për bletarët e tjerë. Prania e TIKA-s këtu është një tregues i qartë i seriozitetit dhe përkrahjes vëllazërore", tha Xhani.

TIKA ka ofruar 400 koshere blete për 40 pjesëtarët e Shoqatës së Bletarëve Dibër, dhe materiale të ndryshme për bletërritësit, duke përfshirë veshjet, si dhe pajisje për nxjerrjen e mjaltit.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), asiston vazhdimitsht në zhvillimin rural me “Projektin e Zhvillimit të Bletarisë” në Shqipëri.

***

-Zv. Kryetari i Këshillit të Arsimit të Lartë të Turqisë viziton institucionet shqiptare, në mes tyre edhe ALSAR 

Zv. Kryetari i Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë (YOK), Prof.dr. Rahmi Er zhvilloi një vizitë në selinë e fondacionit “ALSAR”.

Ai u prit nga Mehdi Gurra, kryetar i fondacionit ALSAR, i cili pas urimit të mirëseardhjes e njohu mikun e nderuar me misionin dhe vizionin e institucionit që drejton, duke i bërë një përshkrim të hollësishëm veprimtarisë arsimore, kulturore dhe humanitare të fondacionit “ALSAR” në shërbim të shoqërisë shqiptare.

Në fokus të këtij takimi të zhvilluar në një frymë të ngrohtë dhe miqësore, biseda u përqëndrua edhe në fushat ku mund të zhvillohet marrëdhënia e bashkëpunimit ndërinstitucional, ku ndër të tjera u theksua çështja e akordimit të bursave të studimit gratis dhe pranimin e kandidatëve nga Shqipëria të propozuar nga fondacioni “ALSAR”, që dëshirojnë të studiojnë në fakultete e degë të ndryshme të universiteteve turke, në kushte optimale arsimimi të standardeve bashkëkohore e ndërkombëtare.

Prof.dr. Rahmi Er nga ana e tij vlerësoi rolin dhe kontributin e fondacionit “ALSAR” në këtë drejtim, duke u ndalur veçanërisht në veprimtarinë e tij arsimore përmes projekteve të akordimit të bursave të studimit, organizimit të konferencave dhe kurseve të mësimdhënies së gjuhëve të huaja.

***

-Air Albania në partnerit me Turkish Airlines nis në vjeshtë fluturimet në Itali

Air Albania do të nisë në fillim të vjeshtës fluturimet drejt qyteteve italiane, ku është edhe tregu më i madh i kompanive ajrore që veprojnë në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama shfaqet entuziast për këtë zhvillim dhe thekson se me besim dhe durim mund të arrihen të gjitha ato që ka në dorë për të bërë “Shqipërinë që duam”.

“Nisin me Italinë në fillimvjeshtë, fluturimet e kompanisë kuqezi drejt qiejve të Evropës.

BESIM dhe DURIM miq, se do t’i bëjmë, së bashku, të tëra ato që kemi në dorë t’i bëjmë për Shqipërinë që duam”, shkruan Rama.

Kryeministri nuk është ndalur vetëm në lajmërimin e nisjes së fluturimeve. Ai ka publikuar në profilin e tij në “Facebook” edhe çmimet e biletave në drejtim të Italisë me “Air Albania”.

***

-Ekonomia shqiptare u rrit me 2.2 për qind 

Rritja ekonomike shqiptare do të vijojë të mbetet në territor pozitiv në afatin e mesëm në Shqipëri, ndërsa rënia e prodhimit të energjisë elektrike do të sjellë një ngadalësim të përkohshëm të rritjes gjatë vitit 2019, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një konference për mediat.

Sejko, duke folur për politikën monetare u ndal edhe në zhvillimet kryesore në lidhje me ekonominë, punësimin dhe inflacionin, ndërsa theksoi se konsumi dhe investimet private kanë vijuar të rriten.

"Sipas të dhënave të INSTAT-it(Instituti i Statistikave të Shqipërisë), ekonomia shqiptare u rrit me 2.2 për qind gjatë tremujorit të parë. Kjo ecuri pasqyron një ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të rritjes, si në krahasim me tremujorin paraardhës ashtu dhe në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë", tha Sejko.

Sipas tij, luhatjet e prodhimit të energjisë kanë krijuar luhatje të shtuara në ritmin e rritjes ekonomike gjatë tre viteve të fundit.

"Ndonëse nuk janë favorizuar nga klima e tensionuar politike, konsumi dhe investimet private janë zgjeruar në përgjigje të rritjes së të ardhurave të disponueshme, të nevojës për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, si dhe të kushteve të favorshme të financimit", u shpreh më tej Sejko.

Ai ka përsëritur për vijimin e reformave strukturore, të cilat sipas Sejkos kanë qenë dhe mbeten instrumenti kryesor i përshpejtimit të ritmit të rritjes ekonomikë dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

***

-Zhvillohet sesioni i 26-të i Unionit të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame

U zhvillua në Tiranë, sesioni i 26-të i Unionit të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame. Në të morën pjesë kryetari i këtij unioni Ali Kurt dhe përfaqësues të një rrjeti prej 354 organizatash me anëtarë nga 66 vende të ndryshme të botës, të cilët janë të mbledhur nën ombrellën e këtij unioni me mision dhe vizion të qartë: për të bashkëpunuar për një botë më të mirë!

Kryetari i fondacionit  “ALSAR”, Mehdi Gurra gjatë fjalës së tij të hapjes me cilësinë e mikpritësit të këtij sesioni u shpreh: “Jam i privilegjuar të mbaj një fjalë të parë në këtë takim të 26-të të Këshillit të IDSB-së, Unionit të Organizatave të Shoqërisë Civile të Botës Islame. Fillimisht, ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë! Është nder për ne që ky takim të mbahet nën organizimin tonë. Në të njëjtën kohë, me punën tonë të palodhur në vite, me spikatjen tonë, e kemi merituar diçka të tillë. Ndarja e përvojave, e shqetësimeve, e mënyrave të veprimit, këshillimet për rrugëdalje, bashkërendimet e veprimtarive, bashkimi në një zë i reagimeve, dhënia e ndihmës reciproke; një gamë e gjerë shkëmbimesh njerëzore përmblidhen në aktivitetin e këtij unioni. Sa më të efektshme të jenë këto shkëmbime, aq më e gjatë do të jetë jeta e IDSB-së, aq më sukses do të ketë ajo” do të theksonte, z. Gurra.

Gjatë zhvillimit të punimeve të këtij sesioni të zhvilluar nën drejtimin e kryetarit të tij, Ali Kurt, fokusi kryesor u ndal tek roli i shoqërisë civile, i cili është bërë gjithnjë e më kritik në një botë që ndryshon gjithnjë e më tepër me shpejtësi marramendëse. Krizat politike, ekonomike dhe shoqërore, që i lënë vendin njëra-tjetrës në një pjesë të mirë të globit, mund të përballohen, të tejkalohen dhe të lihen pas krahëve vetëm me përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e trajtimit të tyre.

Pjesëmarrësit në këtë sesion vlerësuan arritjet e shënuara dhe mundësitë e shfaqura, për të gjetur shtigje dhe forma të reja bashkëpunimi ndërmjet tyre.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme