Refuzohet kërkesa e Presidentit Thaçi për kryeministër, zgjedhjet në prag

Në Kosovë i gjithë spektri politik është i pajtimit që të mos mandatohet një kandidat i ri për kryeministër, por të shkohet në zgjedhje.

Hashim Thaçi-Kadri Veseli-Ramush Haradinaj  Berlin Zirvesi değerlendirme.jpg
Isa Mustafa_LDK tekrar başkanı seçildi.jpg
Enver Hasani_Behgjet Pacolli.jpg
Kosova Savcılar Kurulu2.jpg
Hashim Thaçi_mektup.jpg
Dokufest_Kosova film festivali.jpg

Refuzohet kërkesa e Presidentit Thaçi për kryeministër, zgjedhjet në prag

Presidenti, Hashim Thaçi, i ka kërkuar të premten, koalicionit PAN, ta propozojë një kandidat të ri, mandatar për formimin e Qeverisë, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Por, përgjigja e menjëhershme e kreut të koalicionit PAN, Kadri Veselit, ishte se nuk ka mandatar të ri, duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme.

Veseli ka thënë se ”është koha të dëgjohet vullneti i sovranit" dhe ka thirrur për të hënën një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit bashkë me krerët e grupeve parlamentare, për të nisur procesin e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një postim në Facebook, Veseli ka thënë se kjo mbledhje e kryesisë ka për qëllim të saktësojë zyrtarisht qëndrimet e çdo grupi Parlamentar  rreth situatës së krijuar pas rënies së Qeverisë, si dhe konkretizimin e hapave për zgjedhje të hershme.

Veseli ka thënë gjithashtu se qytetarët meritojnë një qeverisje të re, që punon për zhvillim ekonomik, lufton pa kompromis korrupsionin dhe garanton mundësi të barabarta për të gjithë.

Kreu i Kuvendit ka theksuar se Kosova ndodhet para sfidave të mëdha, përballja me ta është e mundur vetëm duke pasur institucione legjitime.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka takuar gjithashtu ambasadorin amerikan në Kosovë, Filip Kosnet. Zyrtarisht nuk është njoftuar përmbajtja e bisedës së këtij takimi, ndërsa mediat raportojnë se Veseli e ka njoftuar ambasadorin Kosnet me qëndrimin për të proceduar me shpërbërjen e Kuvendit.

E kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i është bashkuar  po ashtu kërkesës së kreut të PDK-së, Kadri Veselit dhe partive opozitare për shpërbërje të Kuvendit dhe ka thënë se është koha për një garë të re zgjedhore.

Vendimin e presidentit Hashim Thaçi, që t’ia japë mandatin koalicionit PDK, AAK, Nisma, për të nominuar kryeministrin e ri pas dorëheqjes së Haradinajt, edhe Vetëvendosje e kundërshton kategorikisht.

*

Mustafa rizdhedhet kryetar i LDK-së 

Isa Mustafa, është rizgjedhur kryetari i LDK-së, në Kuvendin e nëntë zgjedhor, me aklamacion, pa kundër-kandidat. E pas rizgjedhjes, Mustafën e kanë uruar liderët e partive politike në vend. Ndryshe Mustafa ka thënë se në situatën e re të krijuar politike, nuk sheh opsion tjetër, përpos zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Isa Mustafa është rizgjedhur kryetari i LDK-së pasi ka mbetur kandidati i vetëm për këtë post. Pas rizgjedhjes, Mustafa ka deklaruar se procesi ka qenë demokratik.

“Ka qenë një process i hapur dhe cdo njeri ka pasur mundësinë të kandidoj edhe sot edhe gjatë proceseve zgjedhore nëpër degë. Bile nëpër degë nganjëherë na ka ndodhë që për shkak të demokracisë të cilën e kemi lejuar e të tjerët nuk kanë lejuar të kemi disa përplasje që sna kanë pëlqy, por edhe ato kanë qenë shprehje e një konkurrence që ne sjemi mësu ta shohim në Kosovë, por e kemi përmbyllë megjithatë mirë”, ka thënë Mustafa.

Në garë për kryetar të LDK-së ka pretenduar të hynte edhe ish presidenti Fatmir Sejdiu, por nuk ka arritur ti siguroj 50 për qind +1 votë të delegatëve për tu bërë kandidat. Ai tha se nuk është lejuar të jetë në garë me Mustafën nga frika për humbje dhe akuzoi se zgjedhjet ishin të manipuluara.

“Në këtë mënyrë të punës, në këto qasje, në këtë tip të kulisave që janë përgatit dhe instruktuar, në këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve që duhet të kenë përgjegjësi për fjalën e lirë dhe vertikalisht të themi në mënyrë më të mirë të mundshme të komunikojnë vullnetin e tyre, pra edhe në votim të fshehtë të jetë e ndrydhur”, tha Sejdiu.

E në lidhje me akuzat e ish presidentit të Kosovës dhe ish kryetarit të LDK-së Fatmir Sejdiu se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara, kryetari Isa Mustafa shprehu cudinë e tij për këto deklarata.

“Unë nuk do të dëshiroja ta dëgjoja këtë mendim nga njeriu i cili ka qenë president i vendit, kryetar i LDK-së. Sepse ne mund ta quajmë këtë proces si të duam, por faktet janë tjera. Faktet janë se kemi pasur një proces krejtësisht demokratike, kemi pasur 350 delegatë në sallë, prej 355’ve dhe askush nuk mund ti manipulojë 355 vetë, por ka qenë çështje e vullnetit të tyre. Nuk është mirë që kësaj pune dhe këtyre njerëzve që kanë qenë këtu t’iu jepen epitete të tilla”, tha Mustafa. 

Ndryshe, Mustafa ka theksuar se nuk do të bëjnë marrëveshje koalicioni me PDK-në që e drejton Kadri Veseli. Pas rizgjedhjes në krye të LDK-së, Isa Mustafën e ka uruar kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe kryetarë të Nismës, PSD-së si dhe AKR-së. Mustafën, e ka uruar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

*

Hasani e kritikon ashpër Pacollin 

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar ashpër shefin e diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli. Hasani është shprehur se nuk do t’i falet koalicionit PAN që i ka besuar një dikaster kaq të rëndësishëm një njeriu që sipas tij për një kohë të gjatë ka bërë biznes me vendin armik të Kosovës, Rusinë.

Sipas tij, Pacolli nuk e ka bagazhin intelektual për të udhëhequr me Ministrinë e Jashtme, ndërsa shtoi se sjelljet e tij janë ordinere dhe të rrugaçëve.

“Unë besoj që PDK-së kurrë nuk do t’i falet sepse ai shërbim është më i ndjeshëm, sepse vijnë informata të dorës së parë sekrete, tash imagjinoni njerëz që kanë bërë biznes për një kohë të gjatë me rusë, me vendet që janë armike të Kosovës dhe këtu është problemi. Pastaj, niveli, ajo me Brnabiqin, ose me presidentin amerikan sjelljet d.m.th sjelljet rrugaçërie, ordiner kur i shohim jo të ministrit të Jashtëm, kjo është e pafalshme për PDK-në dhe koalicionin që ka pranur”, tha ai.

Profesori universitar tha se veprimet dhe sjelljet e Pacollit kanë ndikuar edhe që të mos shtohet numri i njohjeve për shtetësinë e Kosovës.

*

VV kërkon heqjen e taksës në “Rrugën e Kombit”, ka rënie të hyrjeve 

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Shqipëri ka kërkuar që të hiqet taksa në “Rrugën e Kombit”.

Përmes një njoftimi, VV vlerëson se qeveria Rama po lumturon ata që janë kundër bashkimit kombëtar, ndërsa po pengojnë zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe po rrisin pabarazinë dhe mirëmbajnë padrejtësitë.

“Tarifat e larta përbëjnë shkelje të së drejtës së lëvizjes së lirë, duke qenë se udhëtarëve u mungon rruga alternative. Sipas Instatit, në muajin e parë të vendosjes së tarifave, numri i hyrjeve të shqiptarëve të Kosovës u ul me 11%, në raport me të njëjtin muaj një vit më herët, ndërsa hyrjet në maj të këtij viti kanë rënë me 19%”, thuhet në njoftim.

VV thotë se në kohën kur Kosova i ka vendosur tarifë 100% të gjithë mallrave të Serbisë, qeveria e Shqipërisë ka bërë një gjest aspak të pjekur, me vendosjen e tarifave tek i vetmi korridor që i lidh në çdo aspekt dy Republikat shqiptare.

*

30% e nxënësve detyrohen të mësojnë gjëra që nuk iu hyjnë në punë

Rreth 30 për qind të nxënësve në arsimin parauniversitar në Kosovë, mësojnë nga programe arsimore të cilat nuk ndërlidhen me tregun e punës, bëri të ditur Organizata “Çohu”, përmes një konference për medie. Si rrjedhojë e mosfunksionimit të këtij zinxhiri, shkalla e papunësisë në Kosovë edhe gjatë vitit 2018 ka mbet afër 30 për qind. Një nga pengesat për zhvillimin e shkollimit dhe ndërlidhjen e shkollave me treg të punës është edhe mungesa e buxhetit. Ndërsa, si faktorë të tjerë, të cilët e kanë penguar lidhjen në mes të arsimit me punën, sipas organizatës “Çohu”, janë edhe reformat e shpeshta në këtë fushë dhe moszbatimi i mirëfilltë i tyre në praktikë.

*

Këshilli Prokurorial ka miratuar rregulloren për emërimin e kryeprokurorëve

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka miratuar Rregulloren për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, të cilën e ka prezantuar Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi, rregullore kjo, e cila është hartuar në bashkëpunim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe faktorët e tjerë relevantë.   

Në vijim është marrë vendim për shpalljen e Konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, që ka ardhur si rezultat i miratimit të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, KPK-ja ka marrë vendim për themelimin e tre paneleve për hetimin e shkeljeve të pretenduara disiplinore të prokurorëve, me ç'rast shorti i panelit të parë për caktimin e anëtarëve u tërhoq nga përfaqësuesi i një OJQ-je, praktikë kjo e mirë e zbatimit të transparencës, e cila do të vazhdojë të aplikohet edhe në të ardhmen.

Gjatë këtij takimi, KPK-ja ka bërë transferimin e përhershëm të Prokurores Ariana Shajkovci nga Departamenti për të Mitur në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prizren.

*

Fillon Dokufest 

Festivali i filmit “DokuFest” më 2 gusht ka filluar në qytetin e Prizrenit dhe do të zgjasë deri më 10 gusht. Ai sivjet sjellë 282 filma, 100 prej të cilëve do të jenë në programin garues përmes dokumentarëve. Drejtoresha e Festivalit, Nita Deda, ka prezantuar temën e sivjetme të festivalit.

“Ky edicion ka dhe programin e muzikës, që sivjet shtrihet në 4 skena të ndryshme, që nga iso-polifonia e deri tek muzika elektronike eksperimentale, e po ashtu një program i festivalit të fëmijëve”, tha ajo.

Drejtori Artistik i Festivalit, Veton Nurkollari, tha se në Prizren do të vijnë edhe njerëz të famshëm nga bota e filmit.

“Në këtë edicion marrin pjesë filmat më të ri , të cilët kanë fitua çmime të rëndësishme si në Oskar apo në Festivalin e Kanës. Po ashtu do të sjellim njerëz të famshëm të botës së filmit ku do të diskutojmë rreth temave të ndryshme. Ne mburremi shumë që ne një vend të vogël si Kosova po sjellim një program cilësor. Do kemi shtrirje sikurse viteve të kaluar në hapësirat e Doku Festit, po ashtu çdo natë do vizitojmë lagje të Prizrenit”, tha Nurkollari.

Drejtoresha Ekzekutive, Linda Llulla, tha se do të ketë edhe trajnime për studentët se si të bëjnë një film dokumentar.



Lajme të ngjashme