Shqipëria bëhet gati të marrë kryesinë e OSBE-së në vitin 2020

Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Thomas Greminger, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku fillimisht u prit nga Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.

Arnavutluk_AGİT Dönem Başkanlığı_Thomas Greminger_Gent Cakaj.jpg
Arnavutluk turist akını3.jpg
Arnavutluk_ALSAR_insani yardımlar_4.jpg
Arnavutluk tarihi yerler.jpg
Arnavut hacılar_11.jpg
Arnavut hacılar_1.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (31/2019)

-Shqipëria po përgatitet të marrë kryesinë e OSBE-së në vitin 2020.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Thomas Greminger, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku fillimisht u prit nga Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.

Në përfundim të takimit Cakaj dhe Greminger mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Cakaj tha se gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm është biseduar mbi elementë për një bashkëpunim të ngushtë, i cili do të vazhdojë edhe gjatë kryesisë shqiptare 2020.

"Për Shqipërinë, marrja e kryesisë së OSBE-së për vitin 2020, është procesi më i rëndësishëm në historinë e angazhimeve multilaterale që nga anëtarësimi në NATO", tha Cakaj. Sipas tij, Shqipëria po punon fuqimisht në tre aspekte: atë politik, financiar dhe të burimeve njerëzore.

"Së pari, aspekti politik ka të bëjë me finalizimin e prioriteteve. Së dyti, qeveria po vë në dispozicion të gjitha burimet financiare të nevojshme për një mbarëvajtje sa më të mirë të kryesimit. Së treti, tashmë kemi emëruar diplomatët më të mirë e më të përkushtuar si në Misionin tonë në Vjenë, ashtu dhe në Task Forcën e ngritur në Tiranë për këtë qëllim. Gjithashtu po punohet për një Kryesi shqiptare të suksesshme të Organizatës në vitin 2020", deklaroi Cakaj. 

Në përfundim të fjalës së tij Cakaj theksoi se marrja e kryesisë së OSBE-së është një përgjegjësi e madhe por e merituar nga Shqipëria.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger gjatë takimit dhe fjalës së tij foli për përgatitjet e Shqipërisë për Kryesimin e OSBE-së.

"Dëshiroj të vlerësoj përgatitjet e Shqipërisë dhe vendosjen e tonit të duhur nga ana e ministrit Cakaj gjatë paraqitjes të kuadrit paraprak të prioriteteve në Vienë", u shpreh Greminger.

Duke folur për situatën politike në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Greminger theksoi se OSBE-ja është gati për të ofruar mbështetje për zgjidhjen e krizës, por zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut gjithëpërfshirës dhe të brendshëm.

"OSBE-ja është gati për të ofruar mbështetje por qartësisht asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse nuk përfshihen të gjithë aktorët politikë", deklaroi Greminger.

Kujtojmë se Shqipëria po përgatitet të marrë kryesinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2020.

***

-Të rinjtë, ambasadorët e kulturës së Shqipërisë në BE

“Edukimi i të rinjve do të thotë progres për një vend” , deklaroi kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, në aktivitetin për fituesit e bursës Erasmus+, që u mbajt në ambientet e Europe House në Tiranë.

Soreca nënvizoi gjatë takimit se, këta të rinj meritojnë të gëzojnë të njëjtat të drejta si miqtë e tyre në BE.

“BE ka dyfishuar buxhetin nga 15 në 30 milionë euro në kuadër të programit Erasmus +”, tha ambasadori Soreca.

Sipas tij, “edukimi i rinisë është e ardhmja dhe në thelb të së ardhmes qëndron arsimi”.

“Pa edukim të mirë shoqëritë tona nuk mund të kenë progres”, tha Soreca, duke shtuar se, “të rinjtë e Shqipërisë meritojnë të gëzojnë të njëjtat të drejta si miqtë e tyre në BE”.

“Mos harroni që ju do të jeni ambasadorët e kulturës së Shqipërisë në BE”, tha ai në mesazhin drejtuar të rinjve shqiptarë.

***

-Solidaritet human në ndihmë të njerëzve në nevojë nga ALSAR në partneritet me fondacionet turke 

Në një vend si Shqipëria, ku politikat sociale janë të kufizuara për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme në nivel kombëtar, jeton një numër i madh njerëzish e familjesh të varfra, që si shpresë të vetme, për një jetesë normale, kanë dashamirësinë e shoqërisë.

Për të vijuar sigurimin e ndihmës për këto shtresa të varfra, Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të veprimtarive humanitare në qytetin e Gramshit realizoi në bashkëpunim me Sindikatën e Pavarur të Arsimit, projektin “Solidariteti human në ndihmë të njerëzve në nevojë” nëpërmjet të cilit u synua dhurimi i një kontingjenti ndihmash në artikuj ushqimore, për të kontribuar sadopak në lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.

***

-Fluks i madh turistësh të huaj në parqet arkeologjike

Parqet arkeologjike në Shqipëri kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë gjashtë mujorit të parë të 2019.

Këto parqe në Shqipëri kanë pritur 130.785 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2019. Pra mbi 10 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë.

Shqipëria ka një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti,Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalanë e Gjirokastrës, atë të Lëkurësit në Sarandë, kalanë e Krujës, të Beratit, Elbasanit, kalaja e Petrelës në Tiranë, ajo e Ali Pashës në Tepelenë, kalaja e Rozafës në Shkodër etj.

Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.

Këto parqe kanë interes pasi tregojnë historinë dhe kulturën si dhe janë dëshmi e gjurmëve që ka lënë historia në to.

***

-Nga Shqipëria nisen me qindra haxhi në vendet e shenjta 

Besimtarë myslimanë nga Shqipëria janë nisur për në vendet e shenjta për të kryer njërin nga pesë kushtet e fesë Islame, ritualin e Haxhit.

Haxhinjtë mes emocioneve janë përcjellë në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" nga familjarët e tyre, por edhe nga besimtarë të shumtë.

Në grupin e parë kanë udhëtuar më 31 korrik rreth 200 besimtarë, të cilët fillimisht do të ndalojnë në Xhide të Arabisë Saudite, ndërsa grupi i dytë i besimtarëve është nisur për në tokat e shenjta më 1 gusht.

Dritan Dorzi, imam në Xhaminë e Pezës në Tiranë, që është rikonstruktuar nga TIKA, në një prononcim mediatik tha se është hera e parë që ai shkon në Haxh. "Allahu e mundësoi, kemi vite që bëjmë lutje dhe përsëri do të bëjmë lutje që po shkojmë drejt Mekës. Allahu shpresoj të na lehtësojë udhëtimin. Janë disa ndjenja që nuk tregohen me fjalë, por përjetohen", u shpreh Dorzi.

Edhe për Blerim Voglin nga qyteti i Krujës, është herë e parë që udhëton për të kryer Haxhin. "Jam shumë i emocionuar dhe është një emocion i papërshkrueshëm. Allahu na mundësoftë gjithë muslimanëve vizitën në Qaben e shenjtë, sa më shpesh të jetë e mundur", shprehet Vogli.

Edhe këtë vit bashkë me besimtarët myslimanë nga Shqipëria, udhëtojnë për në tokat e shenjta edhe besimtarët nga Mali i Zi, ndërsa në total janë 400.

Çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët nga Shqipëria për vitin 2019 është 3.700 euro.

Nga ana tjetër, në përmbyllje të trajnimit njëjavor me haxhilerët e këtij viti, Myftinia e Metropolit Verior Shkodër shfaqi në kinema "Millenium" filmin dokumentar me titull: "Rruga për në Mekë".

Në fillim, myftiu i Shkodrës uroi haxhilerët e pranishëm për bekimin e madh të përzgjedhjes për kryerjen e këtij adhurimi të mrekullueshëm. Njëkohësisht vlerësoi faktin se në Shkodër, tradita e udhëtimit për kryerjen e ritualeve të Haxhit është kthyer në një pikë referimi pozitive, duke ia shtuar vlerat e madhështinë qytetit të Shkodrës...

Të pranishmit patën mundësi të ndiqnin filmin, që është ndërtuar mbi bazën e përshkrimeve dhe përjetimeve të haxhilerëve të shumtë shqiptarë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme