Rritet numri i pushuesve që vizitojnë Malin e Zi

Sipas të dhënave të MONSTAT-it Mali i Zi ka pritur në muajin korrik 659 mijë turistë, ose 5,4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Karadağ_turizm_Ulqin_Ülgün.jpg
Karadağ Cumhurbaşkanı_Millo Gjukanoviq_Milo Djukanoviç.jpg
1 - Karadağ Ülgün'de turizm.jpg
Arnavutluk-Karadağ_Muriqan_Sukobin sınır kapısı.jpg
Millutin Simoviq Tuz Belediyesini ziyaret etti.jpeg

Numër rekord i turistëve që vizituan Malin e Zi gjatë muajit korrik

Në Mal të Zi gjatë muajit korrik në vendosjen kolektive kanë qëndruar 145 mijë turistë, ose 11,4% më tepër se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga MONSTAT-i është kumtuar se numri i bujtjeve të realizuara prej 659,63 mijë është 5,4% numër më i lartë se në periudhën krahasuese. Nga numri i përgjithshëm i bujtjeve në vendosjen kolektive 91,2% janë të realizuara nga turistët e huaj, kurse 8,8% i kanë realizuar turistët nga vendi. Më së shumti bujtje nga struktura e turistëve të huaj kanë realizuar ata nga Rusia 18,7%, nga Serbia 11,6%, nga Britania e Madhe 7,7%, nga Franca 7,2% dhe nga Gjermania 6,2% .

Marrëdhëniet me diasporën janë në mesin e prioriteteve më të larta shtetërore

Çështja e marrëdhënieve me diasporën është ngritur në nivelin e prioriteteve më të larta të pushtetit ekzekutiv dhe ligjdhënës,- ka theksuar Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq në hapjen e manifestimit “Ditët e diasporës – mërgimtarëve”. Gjukanoviq, ka theksuar se emigrimi nga Mali i Zi është zhvilluar ndër shekuj, individualisht dhe në forma masive, kurse skamja ka qenë shkak i njërës dhe i tjetrës. Ai ka rikujtuar se në periudhën e marrëdhënieve të mira ndërmjet Cetinës dhe Beogradit, ka pasur emigrime masive në Serbi si dhe në marrëveshje të ndryshme shtetërore Jugosllave. Banorët nga Mali i Zi janë zhvendosur edhe në viset e tjera. Ai ka theksuar se ka pasur emigrime në Turqi, ShBA, Argjentinë, kurse më vonë edhe në Australi, Gjermani, Luksemburg dhe Zvicër si dhe në shtetet e tjera të Evropës Perëndimore. “Vetëm në Amerikë, ndërmjet viteve 1903 dhe 1908, nga Mali i Zi, kanë emigruar 25 mijë njerëz, kryesisht të rinj të moshës 16 deri në 25 vjeç”, ka theksuar Gjukanoviq. “Është numër i madh i mërgimtarëve nga Mali i Zi dhe i pasardhësve të tyre, të cilët shërbejnë si shembuj dhe me të cilët krenohet edhe shteti amë i tyre, Mali i Zi”, ka theksuar Gjukanoviq. Ai, ka theksuar se ekzistojnë shembuj në histori se popujt kanë mbetur pa shtet, por që kanë mbijetuar dhe e kanë rivendosur shtetin duke iu falënderuar edhe vendasve të vetë në diasporë. “Këtë e kanë treguar malazezët, serbët, shqiptarët, boshnjakët, kroatët dhe myslimanët nga e tërë bota, kur në mënyrë masive ata morën pjesë në referendumin e 21 majit të vitit 2006, duke dhënë votën e tyre për ripërtëritjen e shtetit të Malit të Zi”, ka theksuar Gjukanoviq. Po ashtu, Gjukanoviq në solemnitetin e organizuar me rastin e aktivitetit “Ditët e diasporës” individëve të suksesshëm nga diaspora dhe organizatave të ndryshme, të cilat veprojnë jashtë Malit të Zi, u ka ndarë mirënjohje për kontributin e tyre dhënë në ruajtjen dhe avancimin e identitetit shtetëror, kulturor dhe gjuhësor të Malit të Zi.

Në të ardhmen do të ndëshkohen deputetët e parlamentit të Malit të Zi që nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit

Këshilli Ligjdhënës i Parlamentit të Malit të Zi ka miratuar ndryshimet e Rregullores së Kuvendit, me të cilat parashihet se deputeti, i cili nuk do të marrë pjesë rregullisht në aktivitetet e Parlamentit, në seancat e rregullta, për më shumë se 30 ditë, do të ndëshkohet me 60 për qind nga paga  mujore. Ndryshimet e rregullores, i ka propozuar deputeti i Partisë Liberale, Andrija Popoviq. Është propozuar që vendimin për dënimin në të holla ta sjellë për diskutim Këshilli Administrativ. Këshilli Ligjëdhënës e ka vlerësuar si të pranueshëm edhe amendamentin e deputetit Popoviq, me të cilin parashihet zbritja prej 40 për qind, e rrogës mujore për deputetin, i cili do të mungojë pa arsye nga një seancë parlamentare ose e Këshillit, ku ai është anëtar, brenda një muaji. Në arsyetim të propozimit theksohet se mungesat e pajustifikueshme të deputetit nga seanca e Kuvendit do të sanksionohen sipas shembullit të shumë të parlamenteve evropiane dhe botërore.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Millutin Simoviq viziton komunën e Tuzit 

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Millutin Simoviq me bashkëpunëtorët i tij qëndroi për një vizitë pune në komunën e Tuzit, ku u takua me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj me bashkëpunëtorë. Siç kumtohet nga Komuna e Tuzit, z. Gjeloshaj falënderoi Qeverinë për kontributin e dhënë ndaj Komunës së Tuzit dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen. Ai gjithashtu njoftoi mbështetjen e Zëvendëskryeministrit Millutin Simoviq se Ministria do të marrë pjesë me gjysmën e fondeve të nevojshme për furnizimin me ujë në zonat rurale malore, për të cilat Komuna ndan mjete të konsiderueshme. “Veprime të tilla janë shenjë respekti nga ana e qeverisë në përputhje me nevojat e kësaj zone dhe synim për të krijuar energji të re në Komunën e sapoformuar” – theksoi Simoviq. Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për projekte të reja dhe njëkohësisht të dyja palët shprehën kënaqësinë për përfundimin e ndërtimit të kopshtit të ri në Tuz dhe ndërtimin e rrugës Dinoshë-Cem të Trieshit me vlerë prej 9 milionë euro. Z. Gjeloshaj konstatoi se Komuna ka falur truallin për ndërtimin e kopshtit si dhe e ka liruar atë nga taksat komunale. Gjithashtu ai njoftoi, se deri në fund të muajit gusht do të asfaltohet rruga përreth kopshtit. Siç kumtohet, në fund të takimit u konfirmua partneriteti në mes Komunës së Tuzit dhe Ministrisë së Bujqësisë, që bashkërisht të ndihmojnë në zhvillimin e bujqësisë dhe stimulimin e prodhuesve bujqësorë në komunën e Tuzit.

Emërohet Ambasadori i ri i Kosovës në Mal të ZI

Ylber Hysa ka nisur punën si ambasadori i ri i Kosovës në Mal të Zi. Hysa në këtë post zëvendëson ambasadorin, Skënder Durmishi. Karriera diplomatike e Hysës ka nisur në vitin 2012, kur ishte emëruar ambasador i Kosovës në Maqedoni. Në periudhën 2004-2007 ai ka qenë deputet i partisë ORA në Kuvendin e Kosovës, pastaj pjesëtar i Grupit Negociator Kosovar gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë si dhe koordinator i Qeverisë për Veriun e Kosovës, ndërsa gjatë viteve 90-të ka kontribuar në shoqërinë civile dhe media.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme