Haradinaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e tij

Në Kosovë është mbajtur mbledhja e qeverisë, e ftuar nga Ramush Haradinaj, i cili ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit.

1244304
Haradinaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e tij
Ramush Haradinaj_Bakanları Kurulunu yeniden topladı.jpg
Kosova-dan Sırbistan ve Bosna Ürünlerine Yüzde 100 Gümrük Vergisi.jpg
Kosova_Devlet memurlarının gelirlerini kıyaslayacak_ platforma e krahasimit të pasurise.jpg
Kosova_ihale ve hizmetlerde yaşanan sorunlar.jpg
Prizren Belediyesi_ABI AVM-sini yıktı.jpg
Kosova kafilesi Hacca gitti.jpg

Haradinaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e tij

Në Kosovë është mbajtur mbledhja e qeverisë, e ftuar nga Ramush Haradinaj, i cili ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga ajo pozitë. Kjo ishte arsyeja e kritikave të shumta që i kanë shkuar në adresë të tij, nga analistë dhe njohës të Kushtetutës, se ai nuk ka të drejtë të thërras mbledhje të qeverisë, e as qeveria pas dorëheqjes së tij nuk ka të drejtë të merë vendime. Edhe pse në rend të ditës ishin disa pika, megjithatë Haradinaj, duke i marrë për bazë edhe këto mendime, në mbledhjen e qeverisë ka diskutuar vetëm nëse ekziston baza ligjore për mbajtjen e mbledhjeve të qeverisë, përkatësisht mbi ligjshmërinë apo jo të vendimeve që mund të marr Qeveria tashmë e dorëhequr. Pas diskutimeve, Haradinaj tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

“Përgjegjësia mund të bie mbi neve, mbi mua, pse nuk kemi vepruar. Se edhe mos-veprimi është përgjegjësi siç e dini. Në këtë rrethana jam i detyruar ti drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Unë e di që ata marrin kohë, por me shpresë që na kthejnë përgjigjen më shpejtë dhe përgjegjësia le të bartet tek një institucion që është i thirrur me e bo gjykimin”, tha ai.

Haradinaj ka thënë po ashtu se nuk ka të drejtë të fton takime të tjera të Qeverisë, pa e marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. E pas mbledhjes, në një konferencë për media, Haradinaj tha se mundësia për të vepruar në këtë situata nga Presidenti Thaçi është e thjeshtë.

“Një opsion është dakordimi i të gjithëve, sepse kanë kërkuar të gjithë zgjedhje siç e dini çdo parti politike ka thënë duam zgjedhje, edhe këta të koalicionit. Mendoj se ai ka 5 minuta punë, kur të gjithë të nënshkruajnë një deklaratë për shpërbërjen e Kuvendit. Edhe mendoj se mund të shkojmë në zgjedhje pra në 45 ditë nga një datë e dakorduar.”

Haradinaj ka folur edhe për intervistimin e tij në Hagë nga Gjykata Speciale, duke u shprehur se nuk di se si do të veprojë Gjykata ndaj tij në të ardhmen.

“Këshilla ligjore e mbrojtësit tim ligjor ka qenë që të paraqes pozicionin në heshtje. Nuk më është bërë njoftim as që janë ndalë hetimet ndaj meje e as që kanë me më thirr më. Por po ashtu nuk më është thënë se kam ndonjë obligim të çfarëdo natyre ndaj Gjykatës”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se edhe në të ardhmen do të vazhdoj të punoj pa ndryshim në qëndrimet e tij politike.

*

OJQ-të reagojnë ndaj Haradinajt 

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë reaguar ndaj ftesës së ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj për mbledhje të Qeverisë së dorëhequr. Sipas tyre, “Qeveria e dorëhequr, nuk ka legjitimitet për të vazhduar me zbatimin e planit të saj qeverisës.

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë kundërshtuar dhe reagojnë fuqishëm ndaj ftesës së ish-kryeministrit Haradinaj për mbledhje të Qeverisë së dorëhequr si dhe ndaj çdo vendimi të rëndësishëm që potencialisht mund të votohet nga Qeveria e dorëhequr”, është thënë në komunikatën e Organizatave të Shoqërisë Civile.

Sipas këtyre organizatave, “Qeveria e dorëhequr prej datës 19 korrik, nuk ka legjitimitet për të vazhduar me zbatimin e planit të saj qeverisës.

“Dhe çdo tentim që gjatë kësaj kohe të merren vendime të rëndësishme, bien në kundërshtim me parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë”, thuhet në komunikatë.

Ata i kanë bërë thirrje Haradinajt që deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të kujdeset vetëm për mbajtjen funksionale të administratës shtetërore për të parandaluar vakumin institucional.

“Qeveria në dorëheqje assesi nuk ka mandat qeverisës, që të vazhdojë me zbatimin e politikave të saj, sikurse ka paralajmëruar pikat për mbledhjen e radhës së Qeverisë, sikurse të mos kishte ndodhur asgjë”, u shprehën ata.

Organizata e Shoqërisë Civile i kanë bërë thirrje edhe Presidentit që të konsultohet me partitë politike në drejtim të zgjidhjes për zgjedhjen e institucioneve legjitime”, thanë këto organizata. Reagimi është mbështetur nga: Instituti i Kosovës për Drejtësi, Instituti për Zhvillimin e Politikave, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane dhe Iniciativa për Progres.

*

Parregullsi të shumta në tenderët e Shërbimet Spitalore

Instituti Demokratik i Kosovës ka gjetur parregullsi në 12 tenderët e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. Sipas këtyre të gjeturave, Instituti ka vërejtur se në listën esenciale të barnave, operatorët kanë lejuar produkte, specifikat e të cilave nuk kanë qenë konform me specifikat e produkteve në Listën e Barnave Esenciale. Liridona Behrami nga KDI tha se pas analizës së 12 dosjeve të tenderëve për furnizimin me produkte dhe pajisje medicinale në Shërbimin Spitalor, brenda periudhës mars-qershor 2019, kanë gjetur shkelje të theksuara.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shërbimit Spitalor Selami Krasniqi duke thënë se e mirëpresin monitorimin, ftoi ata t’i vizitojnë më shpesh që raporti të jetë më i saktë.

KDI rekomandon Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës që të respektojë specifikat në dosjet e tenderit, pasi që me dispozitat ligjore një ofertues në qoftë se nuk i përmbahet rregullave të tenderit atëherë oferta shpallet e pavlefshme.

*

Prokuroria heton Inspektorët e Haskukës për keqpërdorim të detyrës

Prokuroria e Prizrenit,  departamenti për krime të rënda ka filluar hetimet ndaj zyrtarëve që kanë marrë pjesë në rrënimin e aneks objektit pa leje të ‘Abi Çarshisë’, me dyshime se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. 

“Departamenti për krime të rënda, gjykatës ia ka përcjellë aktvendimin për fillimin e hetimeve kundër të pandehurve Islam Thaçi, drejtor i drejtorisë së inspektoratit pranë Komunës së Prizrenit, Jetmire Vrenezi, inspektore komunale e ndërtimtarisë pranë Komunës së Prizrenit, Arjan Taraku, zyrtar në inspektoratin komunal të ndërtimtarisë pranë Komunës së Prizrenit, Shqipron Krasniqi, jurist pranë Komunës së Prizrenit dhe Isë Bislimaj, zyrtar në inspektoratin komunal të ndërtimtarisë pranë Komunës së Prizrenit”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Sipas prokurorisë ata po hetohen për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Gjykata Themelore në Prizren ka vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje të Abi Çarshisë.

Komuna e Prizrenit ka marrë vendimin për vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata 15 minuta para se makineritë të dilnin te objekti, sipas kryeinspektorit Thaçi.

*

Lansohet platforma e krahasimit të pasurisë së zyrtarëve publikë

Organizata joqeveritare Lëvizja FOL prezantoi Platformën online për krahasimin e pronës së 500 zyrtarëve të lartë publikë të Kosovës prej vitit 2010 deri në vitin 2019.

Mexhide Demolli, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, deklaroi se kjo platformë kthehet në përdorim pas tre vitesh dhe përfshinë tre qeveri kosovare, si dhe deputetë të tre përbërjeve të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë komunash.

"Platforma ka rreth 500 zyrtarë publikë, ndërsa veçoria e Platformës është se ajo mund të bëjë krahasim për të gjithë këta zyrtarë nga 2010 deri në vitin 2019 për periudhën gjatë së cilës ata ishin në pozita në institucionet shtetërore", tha Demolli.

Sipas saj, të dhënat e vendosura në Platformë janë të dhëna zyrtare të Agjencisë për luftë kundër korrupsionit, të cilat zyrtarët i raportojnë pasuritë e tyre. Kategoria e udhëheqësve të shtetit përfshin presidentin, kryeministrin dhe zëvendëskryeministrat, pasuar nga kategoritë e deputetëve, ministrave, zëvendësministrave dhe kryetarëve të komunave. Si shembull, ajo vuri në dukje të ardhurat e presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kemi tetë të ardhura vjetore që nga viti 2010, kur të ardhurat e tij ishin 17.318 euro ndërsa në vitin 2019 paraqiti të ardhura vjetore prej 39.054 euro, që është për rreth 55 për qind rritje për këto nëntë vite kur është fjala e rrogës”, tha ajo.

Demolli shtoi se në rritjen më të madhe të pasurisë gjatë tre viteve të fundit e kishte kryeministri Haradinaj 44 për qind ose diçka më tepër se 820 mijë euro. Në vendin e dytë është ministri në dorëheqje Dalibor Jevtiç me një rritje prej 21 për qind ose rreth 123 mijë euro.

*

Buxheti përmes qytetarëve fiton 7 milionë euro më shumë pas takës 100% 

Në debatin lidhur me taksen 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës zëvendësministri në detyrë i Financave, Fatmir Gashi, foli rreth arsyeve që kanë sjellë deri të vënia e taksës. Ai tha se kjo taksë është politike, edhe pse ka ndikuar në rritjen e buxhetit të shtetit përmes taksave që paguajnë qytetarët e Kosovës.

“Vendimin të cilin e ka marrë qeveria e Kosovës është vendim politik, nuk ka të bëjë me vendim ekonomik, për të ndalur këto agresivitete që ndodhin në fusha të ndryshme sa i përket Kosovës. Buxheti i Kosovës s’ka humbur asnjë cent, vetëm ka fituar 7 milionë euro më shumë taksa të doganave se sa para vendosjes së kësaj takse.”

Kryetari i Asociacionit të Afaristëve Serbë në Kosovë, Sasha Sekuliq, tha se përveç mungesës së mallrave të cilat janë harxhuar, sektori i tregtisë ka pasur më së shumti probleme, sipas të cilit, bëhet fjalë për 1 mijë artikuj, ku shumica prej tyre mungojnë.

“Kemi menduar se taksa shumë shpejt do të hiqet, ndërsa tash me dorëheqjen e kryeministrit dhe zgjedhjet, anulimi i takës shtyhet”.

Ndërsa, Nenad Radosavleviq, iniciues i “Lidhjes për Serbi”, tha se me taksën 100 për qind është e pa kuptimtë të pritet njohja nga Serbia. Ai tha se katastrofa humanitare ka qenë e inskenuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. E kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, theksoi se taksa për produktet e Serbisë nuk është marrë në bashkëpunim me konsumatorët. Sipas tij, qytetari taksapagues është gjenerues i buxhetit dhe shteti ka obligime shtesë ndaj tyre”, tha në fund Kaqaniku.

*

Nga Kosova në Haxh nisen mbi një mijë besimtarë

Sipas të dhënave të siguruara nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), për në Haxh nga Kosova do të nisen 1.080 persona, në mesin e të cilëve 370 janë gra. Në këtë mënyrë, me t’u kthyer ata do të fitojnë titullin Haxhi.

Nga BIK-u, konfirmuan se grupi i parë i haxhinjve do të nisen nga Prishtina më 1 gusht ndërsa grupet tjera do të nisen më 2 dhe 3 gusht. Çmimi i haxhit për besimtarët kosovarë këtë vit është 4.150 euro.

E sipas të dhënave të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë Veriore, këtë vit janë regjistruar 850 haxhinj. Kurse nga Shqipëria në vendet e shenjta do të nisen 370 besimtarë.



Lajme të ngjashme